Pse Policia e Shtetit po bëhet qesharake me 'ekstradimet nga Dubai'

Pse Policia e Shtetit po bëhet qesharake me 'ekstradimet nga Dubai'

11:08, 17/08/2024
A+ Aa A-

Boldnews.al

Personat shqiptarë të kërkuar nga drejtësia dhe rezident në Dubai mund të rikthehen në Shqipëri me dëshirën e tyre ose kur deportohen pasi shkelin rregullat e vendit arabik.

Por, kurrësesi nuk mund t’i dorëzohen autoriteteve shqiptare nëpërmjet një procedure ekstradimi, për faktin e thjeshtë se mes dy vendeve nuk ka një marrëveshje të tillë.

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë, Muhamet Rrumbullaku, deklaroi dy ditë më parë se, “në një bashkëpunim të shkëlqyer me SPAK dhe Prokuroritë e Juridiksionit të Përgjithshëm, unë mund të bëj me dije se në kuadrin e informacioneve e operacioneve të fshehta policore, Policia e Shtetit ka bërë të mundur sot arrestimin e dy eksponentëve të krimit të organizuar, Plarent Dervishaj dhe Julian Meçaj. Ndodhen në drejtorinë e policisë së Tiranës”.

Kjo deklaratë nxiti mediat, sidomos ato pranë qeverisë, që të lëshonin klithma ekzaltimi e të jepnin tituj se “ra miti i Dubait”, “nisën ekstradimet nga Dubai”, e të tjerë të ngjashme.

Policia e Shtetit dhe vetë Rrumbullaku nuk bën asnjë përpjekje për të ndalur këtë “dezinformim publik”, duke e lejuar e duke u përkëdhelur me këto tituj bombastik, të cilët, mbi të gjitha, ishin aspak real.

Disa muaj më parë, Ministri i Brendshëm i kohës, Taulant Balla, shpërndau gjithashtu lajmin “e rëndësishëm” se Dubai kishte pranuar kërkesën e Policisë shqiptare dhe ekstradoi drejt vendit tonë shtetasin Bruno Çobo, i dyshuar për përfshirje në një skemë masive mashtrimi.

Në të dy këto raste, por edhe në të tjera të ngjashme, nuk bëhet fjalë për ekstradim nga Dubai drejt Shqipërisë.

Të dhënat e publikuara së fundmi në media tregojnë se Plaurent Dervishaj dhe Julian Meçe ishin përfshirë në një situatë të rrezikshme në Dubai, e cila është vlerësuar nga autoritetet e atij vendi se cënonin sigurinë e qytetarëve dhe për këtë arsye janë deportuar (larguar si të padëshiruar nga principata arabike).

Ndërsa i kërkuari Bruno Çobo, i cili mbërriti nga Dubai në maj të këtij viti, erdhi me dëshirën e tij.

Atëherë përse e ka të nevojshme Policia e Shtetit këtë butafori, deri në shndërrimin në qesharak, për të bindur opinionin publik se ka këtë forcë dhe pushtet për të bindur autoritetet e ngurta të Dubait që të kryejnë ekstradimet?

***

Dubai është një lloj oazi artificial, një qytet i krijuar nga sheikët e botës arabe, të cilët e përdorin për të shfryrë epshet e tyre-femra, alkool e kumar,- të cilat i kanë rreptësisht të ndaluara në vendet e tyre, ku Sheriati është shumë i ngurtë për këto kënaqësi “perëndimore”.

Ky vend, prej vitesh, është shndërruar në “parajsë” për persona nga e gjithë bota, të cilët për një arsye apo një tjetër, janë në kërkim nga autoritetet e drejtësisë së vendeve të tyre.

Dubai ka ligj për ekstradimin që prej vitit 2006. Në bazë të tij ka nënshkruar një numër shumë të kufizuar marrëveshjesh, me Francën, Britaninë e Madhe, Indinë, Kinën dhe Afrikën e Jugut.

Por, edhe me këto vende, Dubai tregohet shumë i rezervuar për të kryer ekstradime. Prej miratimit të ligjit për Ekstradimet, Dubai ka ekstraduar vetëm dy persona, një në Britani dhe një në Indi, nëpërmjet procedurave gjyqësore.

Kjo qasje e Dubait është kritikuar shpesh, sidomos nga vendet e Bashkimit Europian dhe strukturat ndërkombëtare financiare, të cilat e rendisin në “listën gri” të pastrimit të parave.

Megjithatë, kritikat dhe rankimi i ulët nuk duket se i shqetëson shumë autoritetet e vendit arabik. Pozicioni i tij strategjik në Lindjen e Mesme dhe partneriteti strategjik me fuqitë e rëndësishme perëndimore në politikën globale, i lejojnë atij vendi që të aplikojë “rregullat e veta”, edhe kur ato nuk shkojnë në të njëjtën linjë me autoritetet e drejtësisë ndërkombëtare.

Praktikisht, Dubai është “parajsë” për të kërkuarit nga shumë vende të botës, shumë e shumë herë më të fuqishme se sa Shqipëria.

Autoritetet policore të vendeve perëndimore nuk ndihen komodë me qasjen e Dubait, por kjo nuk i detyron ata që të “mashtrojnë” qytetarët e tyre dhe të pompojnë publikisht ekstradime të paqena.

***

Shqipëria, si një vend fare i papërfillshëm në botën globale, natyrisht nuk mund të bëjë më shumë për të bindur Dubain që të dorëzojë personat e kërkuar.

Policia dhe autoritetet gjyqësore kanë për detyrë që të kopsisin dosjet hetimore, të kryejnë shpalljen në kërkim ndërkombëtar dhe më tej të presin, nëse personat në kërkim thyejnë rregullat e qytet-shtetit të Dubait ose vendosin me vullnetin e tyre të rikthehen në Shqipëri e të përballin të vërtetën e tyre me drejtësinë.

Kjo është procedura më normale dhe nuk ka lidhje aspak me meritë apo dështim të institucioneve shqiptare. Është një zgjedhje e Dubait, e cila, e mira apo e keqe, duhet respektuar.

Por, ajo që duket se është e nevojshme për Policinë Shqiptare të tregojë efikasitet me “ekstradimet nga Dubai”, duket se lidhet me diçka tjetër.

Lidhet me atë që opinionin publik në përgjithësi, por edhe institucione të specializuara, dyshojnë se personat e “arratisur” në Dubai janë informuar paraprakisht për urdhër-arrestet dhe u është lënë koha e mjaftueshme që të marrin masat e të udhëtojnë drejt vendin arabik.

Këto raste “informimi”, të cilat mund të konsiderohen edhe si “dekonspirim” e që rëndojnë më së shumti mbi Policinë e Shtetit, janë të shpeshta, sidomos kohët e fundit, kur zbërthimi i aplikacioneve SKY/Encrochat, nxiti një lëvizje masive të personave problematikë shqiptarë drejt Dubait.

Për të hequr nga shpatullat dyshimin e “dekonspirimit”, Policia e Shtetit mundohet të tregojë zellin për arrestimin e “çunave të Dubait” dhe ekstradimin e tyre.

Shkurt dhe shqip. Nuk ka ekstradime nga Dubai drejt Shqipërisë, pasi nuk ka marrëveshje. Nuk ka as “operacione speciale”, pasi ato u rezervohen “El Chapos” ose pak të tjerëve që përbëjnë kërcënim serioz për paqen globale.

“Çunat shqiptarë të Dubait”, përtej rrezikshmërisë që kanë, edhe sikur të mblidhen të gjithë bashkë, nuk kanë as peshën dhe as pushtetin për të cënuar sigurinë globale.

Ndaj, edhe ata nuk mund të kenë “fatin” të jenë subjekte të operacioneve speciale, siç i konsideroi së fundmi kryepolici Rrumbullaku.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco