Hapja e urës së Ibrit, reagon Bislimi: Jo vendim i njëanshëm, por pjesë e marrëveshjes së ndërmjetësuar nga BE

Hapja e urës së Ibrit, reagon Bislimi: Jo vendim i njëanshëm, por pjesë e marrëveshjes së ndërmjetësuar nga BE

11:48, 14/08/2024
A+ Aa A-

Një ditë pas paralajmërimit të ambasadorit amerikan në Kosovë, Jeffrey Hovenier, për hapjen e urës së Ibrit, ka reaguar edhe zëvendëskryeministri i Kosovës Besnik Bislimi. Përmes një psotimi në rrjetet sociale, Bislimi thekson se “hapja e urës së Ibrit në Mitrovicë nuk është vendim i njëanshëm i Qeverisë së Kosovës dhe as çështje e mbetur pezull apo e pazgjidhur e procesit të dialogut, por është kërkesa kryesore e marrëveshjes mes Kosovës dhe Serbisë e të ndërmjetësuar nga BE-ja në vitet 2015 dhe 2016”.

Sipas tij “plani implementues i BE-së i datës 5 gusht 2016, e konsideron hapjen e urës si “Simbol i normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet serbëve të Kosovës, shqiptarëve dhe komuniteteve të tjera”.

Ai sjell në vëmendje raportin e vitit 2020 të Komisionit Evropian për Kosovën, ku thuhet se ura duhet të hapet pa vonesa.

“Raporti për Vendin i vitit 2020 nga ana e Komisionit Evropian për Kosovën, nxjerr konkluzionin si në vijim: “Punimet në urën e Mitrovicës kanë përfunduar dhe ura duhet të hapet për qarkullimin e automjeteve pa vonesa apo pengesa të mëtejshme”. Ky është formulimi i BE-së, por marrëveshja është arritur mes Kosovës dhe Serbisë”.

Në reagimin e tij, Bislimi përmend edhe vizitën e fundit të Lajçak në Kosovë më 19 qershor, që sipas tij rekomandoi zhvillimin e diskutimeve të brendshme me serbët lokalë dhe inspektime teknike.

“Gjatë takimit që e patëm, mbi urën e Ibrit ai deklaroi se nëse Kosova nuk preferon ta diskutojë përsëri këtë çështje në Bruksel, rekomandimi i tij ishte që diskutime të brendshme me serbët lokalë në veri të zhvillohen, për të adresuar implikimet e mundshme të sigurisë dhe shqetësimet e tyre lidhur me çështjen. Ndërkohë, një partner i QUINT-it, shtoi kërkesën për inspektime teknike”.

“Ne i kemi ndjekur të dyja këto rekomandime. Tani BE-ja po kërcënon Kosovën, në rast se ajo zbaton vetë marrëveshjen e ndërmjetësuar nga BE dhe rekomandimet shtesë. Qeveria e Republikës së Kosovës beson fuqishëm se BE-ja promovon më shumë liri të lëvizjes dhe më pak kufij apo mure ndërmjet etnive”, përfundon Bislimi.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco