'Turizimi, hijet e errëta të propagandës së mashtrimit'

'Turizimi, hijet e errëta të propagandës së mashtrimit'

10:00, 14/08/2024
A+ Aa A-

Kur mendojmë për turizmin, shpesh na vjen ndërmend imazhi i plazheve me rërë të artë, hoteleve luksoze dhe ekskursioneve të pafundme, fluks turistësh dhe një sezon të mbingarkuar. Por, pas fasadës mediatike të shkëlqyer dhe përvojave të paharrueshme, fshihet një realitet më i errët dhe më kompleks i turizmit në Shqipëri. Turizmi nuk është gjithmonë ai që duket, dhe pas suksesit ekonomik të kësaj industrie fshihet një seri sfidash dhe ndikimesh negative që krijojnë boshllëqe me pajosa të njëpasnjëshme.

Nga Amarildo Veizi, anëtar i Departamentit Brain Gain, PD

Një vend si Shqipëria që nis nga 0 nivel – 2700 m, si pikën më të lartë, ofron shumë dhe gjithçka. Pothuajse e gjithë pjesa perëndimore e Shqipërisë, një vijë bregdetare që nis me detin Adriatik dhe përfundon me atë të detit Jon, ka të vetmin flamur Blu në Green Coast (një shenjë/certifikim ndërkombëtar që u jepet plazheve të mirëmenaxhuara me cilësi të shkëlqyera uji dhe programe edukimi mjedisor), indirekt a direkt në shërbim të të cilit disa javë më parë, është instaluar më shumë se ndërtuar një tunel që shkurton jo më shumë se 27 minuta rrugë, duke anashkaluar pjesën më të bukur, si Parku Kombëtar i Llogarasë.  Sot, në 2024, Shqipëria vazhdon të luftojë për të përmbushur standardet ndërkombëtare të cilësisë së plazheve, me mungesën e flamujve të Blue Flag që vepron si një tregues i qartë i dështimeve të qeverisjes së mazhorancës socialiste. Kjo mungesë nuk është vetëm një çështje estetike apo simbolike, por një reflektim i paaftësisë së qeverisë për të siguruar një zhvillim të qëndrueshëm dhe të mirëplanifikuar të turizmit, një sektor kyç për ekonominë e vendit.

Një nga kriteret kryesore për të fituar statusin e Blue Flag ështëinfrastruktura e duhur dhe menaxhimi i qëndrueshëm mjedisor. Sipas të dhenave të INSTAT, Shqipëria ka regjistruar një rritje të ndjeshme të numrit të turistëve, me rreth 8 milionë vizitorë të huaj në vitin 2023, një rritje prej 20% krahasuar me një vit më parë. Pavarësisht kësaj rritjeje, investimet në infrastrukturë mbeten të pamjaftueshme dhe aty ku nuk ka vend për të mbushur xhepat e kastës së dedikuar të “Investitorëve Strategjikë”, mbeten pas dore. Një nga rrugët më të rëndësishme është autostrada Tiranë-Durrës, ndoshta e vetmja në Europë që lidh një kryeqytet me portin më të madh të vendit, me 2 korsi, (pa një korsi emergjence, apo korsi të dedikuar të mjeteve të rënda të transporttit) gropa që shkaktojnë dëmtime dhe konsum të madh të karburantit të makinave, i cila rrit nivelin e ndotjes dhe zgjat distancën e mbërritjes në destinacion duke hequr deshirën e pushuesve që të zgjedhin pikërisht Durrësin dhe plazhet rreth tij për të pushuar.

Shumë nga plazhet më të njohura të vendit edhe pse private, nuk kanë kapacitetin e duhur për të menaxhuar mbetjet dhe nuk ofrojnë lehtësitë bazë për turistët, si tualetet publike dhe shërbimet sanitare. Pastrimi i mbetjeve nga inceneratorët, dhe turizmi masiv i Shqipërisë vazhdojnë të jenë kolona imagjinare që po ndihmojnë Shqipërinë. 

Pavarësisht premtimeve të shumta për përmirësimin e cilësisë së ujit në plazhet shqiptare, sipas një raporti nga Ministria e Turizmit dhe Mjedisit, ndotja nga ujërat e zeza të papërpunuara dhe mbetjet industriale mbeten probleme të përhapura në shumë zona bregdetare.  Qytetarë dhe pushues vazhdimisht denoncojnë në media dhe rrjete sociale abuzime në këto zona, me mbetje të cilat dëmtojnë ekosistemin dhe natyrën e vendit, vende si liqeni i Komanit, plazhe bregdetare në Durrës, Velipojë, dhe bukurinë më unike të Rivierës, nga Vlora deri në Sarandë.

Siguria dhe shërbimet e ofruara në plazhe mbeten një tjetër hije e propagandës së mashtrimit. Sipas INSTAT, vetëm 25% e plazheve të monitoruara kishin prezencë të rojeve bregdetare në sezonin turistik të vitit 2023. Kjo tregon një mungesë të investimeve dhe planifikimit të duhur nga ana e mazhorancës socialiste, e cila ka dështuar të sigurojë standardet bazë të sigurisë për turistët dhe shtetasit shqiptarë.

Sipas të dhënave të Bankës Botërore, vetëm 40% e zonave bregdetare në Shqipëri janë të mbrojtura dhe të menaxhuara në mënyrë të qëndrueshme.

E ndërsa këto problematika gjenden tek të gjitha plazhet private, është për të ardhur keq që Shqiperia ofron pak e më pak plazhe publike, të cilat privatizohen, pa një tavan, pa një plan menaxhimi, ndërkohë që mungesa e “Tourist Info Point”, lë pa asnjë formë orientimi turistët, më së shumti ata të huaj..

Është e pamudur të gjesh nje komunikim zyrtar për plazhet publike në Shqipëri, hartë vendodhjeje, e për rrjedhojë dhe të llogaritësh sesa i saktë është ky proporcion në raport me dhëniet e plazheve private. E kundërta ndodh me fqinjët tanë, Mali i Zi, me të cilin, edhe pse ndajmë të njëjtin det, nuk ndajmë të njëjtat standarte. Rreth 40% e plazheve janë publike atje, ofrojnë shërbime shumë herë më të mira, me çmime më të arsyeshme duke i dhënë gjithashtu prioritet turizmit të brendshëm. Në 150 km vjië bregdetare me plot 41 “Blue Flags”, Mali i Zi ofron më shumë plazhe publike se Shqipëria e cila ka plot 400 km vije bregdetare.

Flluska e turizmit të propaganduar nga Rilindja e mori shpërblimin e saj, pasi turizmi “low-cost” të cilit i bëhej publicitet ndërkombëtarisht, nuk doli i tillë.  Si fillim, Shqipëria për shkak të çmimeve stratosferike që kapnin shifra të papërballueshme për xhepat e shqiptarëve në një vend me pagat më të ulëta në rajon, i dëboi ata drejt vendeve dhe plazheve të fqinjëve tanë, pikërisht në Malin e Zi, Greqi apo resortet e Turqisë.

Image

Është mjaft e lehtë të kuptosh se nëse sektori i turizmit në Shqipëri do të ishte mirëmenaxhuar, vendi ynë nuk do të merrte si shuplakë fytyrës braktisjen nga vëllezërit tanë kosovarë, liberalizimi i vizave të të cilëve i drejtoi drejt aeroporteve për të kaluar pushimet në vende të tjera, dhe jo si cdo vit në Shqipëri, duke i dhënl fund legjendës së turizmit patriotik.

Bizneset nga ana tjetër, të vegjël dhe të mëdhenj, përballen me mungesën e stafit, duke u detyruar të ofrojnë shërbimet e tyre me staf të pakualifikuar, në sajë të shpopullimit masiv.

Kulmi i sezonit turistik në Shqipëri, shënjoi këtë vit, jo fabulat e 15 milion turistëve, por kulmin e rënies dhe dështimit të Shqipërisë.

Hijet e propagandës nuk kanë fituar dot një tjetër betejë, atë me të nxehtin afrikan, i cili ka kapur disa herë të papërgatitur autoritetet shqiptare, me zjarret në Parkun Kombetar të Llogarasë, Parkun Kombëtar të Finiqit dhe të tjera pyje, të cilat janë mbështetur në mëshirën e ndërhyrjeve nga fqinjët tanë të Adriatikut.

E ndërsa ne përballemi me këto problematika, narko-qeveria i ben përpjekjet e fundit për ta mbajtur gjaëë flluskën e turizmit përmes statuseve të statistikave qesharake, kur është në fakt mungesa e infrastrukturës ajo që krijon trafikun kilometrik, të cilin propaganda e konsideron dyndje turizmi masive, ndërsa plazhet e bregdetit tonë i bëjnë jehonë mungesës së njerëzve.

Mungesa e profesionalizmit për të trajtuar theraset e Shqipërisë, është tashmë një mangësi e njohur e qeverisë socialiste. Përveç faktit që sitet kulturore si “Parku Arkeologjik i Apollonisë”, Parku Arkeologjik i Bylisit dhe ai i Butrinit, që tërheqin vemendjen ndërkombëtare, kanë mungesë në ekspozimin e mozaikëve, të cilët prej vitesh qëndrojnë të mbuluar në zhavor, duke mos-justifikuar çmimet e biletës, anashkalojnë investimet në gërmimet e mëtejshme, të cilat për identitetin tobë kombëtar janë më përfituese se të investohesh katërcipërisht në money-laundering përmes kullave disa-katëshe. Eksperienca personale si udhërrëfyes turistik, më kujton se turistët shprehin keqardhje për mungesën e investimeve në këtë drejtim, sesi territori i sotëm shqiptar, më i afërti i Prendorisë Romake, që ka ndërtuar qytete që tejkalojnë popullsinë e shumë qyteteve të sotme, qëndron i varrosur edhe plot 2000 vite më vonë.

Një tjetër gabim i qëllimshëm, është mbyllja për rikonstruksion e Muzeut Historik Kombëtar, pikërisht në nisje të sezonit turistik, duke lënë të zhgënjyer turistët, të cilët së bashku me ne, duhet të presin 4 vite në përfundim të tij.

Tentakulat famëkeqe nuk ndalojnë këtu, pasi tashmë një problem ndërkombëtar, që ka revoltuar shtetas shqiptarë dhe të huaj, është  privatizimi i Parkut Kombëtar të Butrintit nga qeveria socialiste. Kjo ka shkaktuar shqetësim të thellë në komunitetin e gjerë intelektual e kulturor. Ky veprim përbën një precedent të rrezikshëm për trajtimin e pasurive kombëtare dhe kërkon një analizë të thelluar jo vetëm nga aspekti ekonomik, por edhe nga pikëpamja ligjore, morale dhe strategjike për të ardhmen e vendit. Legjitimiteti i këtij procesi privatizimi vihet në pikëpyetje duke theksuar se ky veprim bie ndesh me disa parime dhe akte ligjore themelore të Republikes së Shqipërisë.                                                                                  

Neni 59 i Kushtetutës parashikon detyrimin e shtetit për të mbrojtur trashëgiminë kulturore kombëtare. Privatizimi i Butrintit mund të shihet si një shkelje direkte e këtij obligimi kushtetues, pasi dorëzimi i administrimit te një subjekt privat redukton ndikimin dhe kontrollin e shtetit mbi këtë pasuri të çmuar. Ligji nr. 27/2018 “Per Trashëgiminë Kulturore dhe Muzetë”: ky ligj e trajton trashëgiminë kulturore si pasuri të veçantë nën mbrojtjen e shtetit. Ndërsa ky ligj nuk përjashton bashkëpunimin me sektorin privat, ai vendos kufizime të rrepta për të siguruar që ruajtja dhe administrimi i kësaj trashëgimie të mos dëmtohet nga interesa të ngushta komerciale. Një fenomen i tillë as që mendohet të ndodhë në vendet e BE-së, sepse nuk është mbrojtje, por qartazi shitje e pasurive kulturore dhe natyrore shqiptare.

Sektori privat, duke u fokusuar kryesisht në përfitimet financiare, mund të nënvlerësojë rëndësinë e ruajtjes dhe studimit të trashëgimisë kulturore. Komercializimi i pasurisë kulturore të Butrintit mund të çojë në një erozion të vlerave autentike historike të tij, ku përfitimet financiare mund të kenë përparësi ndaj ruajtjes dhe edukimit publik.  Ky është një shqetësim i justifikuar se standardet e ruajtjes së trashëgimisë kulturore mund të bien, nëse nuk mbikqyren siç duhet nga autoritetet shtetërore. Në këtë kontekst, kalimi i administrimit te një subjekt privat përbën një rrezik të madh për shkeljen e këtyre standardeve.

Ky proces nuk ka ndjekur procedurat e rregullta të prokurimit publik dhe ka pasur favorizime te panevojshme ndaj subjekteve të caktuara private. Në këtë aspekt, një auditim i plotë dhe i pavarur i procesit të përzgjedhjes është i nevojshëm për të siguruar që ky privatizim nuk është bërë në dëm të interesit publik.

Në vendimet qe prekin trashëgiminë kulturore, përfshirja e ekspertëve është thelbësore. Janë injoruar zërat e ekspertëve dhe komunitetit shkencor gjatë procesit të privatizimit, duke minuar kështu integritetin e vendimmarrjes. Duke qenë se kjo qeveri është akuzuar më parë për skandale korrupsioni, privatizimi i Butrintit përforcon perceptimin publik se kjo lëvizje është pjesë e një skeme më të gjerë të përfitimeve të padrejta për individë ose grupe me lidhje të ngushta me pushtetin. Vendimet e tilla strategjike janë shpesh të motivuara nga nevoja për të shpërblyer mbështetësit politikë të qeverisë, duke përdorur pasuritë kombëtare si mjet për të forcuar bazën e saj të pushtetit.

Një pasuri kombëtare nuk duhet të jetë objekt komercializimi, aq më tepër nën presionin e globalizimit, ku ruajtja e identitetit dhe trashëgimise kombëtare është thelbësore. Dorëzimi i administrimit të një pasurie si Butrinti te një subjekt privat, qoftë ai edhe vendas, rrezikon të minojë sovranitetin kulturor të Shqipërisë, duke e vendosur këtë pasuri në një rrezik afatgjatë të humbjes së vlerave të saj të paprekshme.

E ndërsa problematikat e turizimit, janë më të medha se fasada mediatike e krijuar, është detyra jonë, opozitarëve, demokratë dhe shqiptarë, t’i japim fund iluzionit që narko-qeverisja dëshiron të implementojë, dhe të nxjerrim në pah, potencialin e vërtetë, me shumë më shumë vlera se ai i hijeve të mashtrimit, të Shqipërisë në turizëm.

Image

 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco