Lajmi i fundit

Aksident me vdekje në Fushë Arrëz

TABELA/ Kompania e pasaportave fitime mbi 50%, prej çmimeve të larta që u ngarkon qytetarëve

TABELA/ Kompania e pasaportave fitime mbi 50%, prej çmimeve të larta që u ngarkon qytetarëve

10:47, 12/08/2024
A+ Aa A-

Qeveria fitoi 8.5 milionë euro në vetëm gjashtë muaj nga shitja e dokumentave të identifikimit tek qytetarët shqiptarë. Të dhënat nga bilanci i kompanisë publike Identitek, tregojnë se prodhimi dhe shitja e pasaportave mbeten një nga bizneset më fitimprurëse në vend me normë fitimi mbi 50 për qind.

Sipas bilancit, gjatë vitit të kaluar kompania Identitek arkëtoi në total 1.59 miliardë lekë ose 15.9 milionë euro nga shitja e dokumentave të identifikimit, ndërkohë që fitimi para taksave rezultoi 8.5 milionë euro.

Prodhimi dhe shpërndarja e dokumentave të identifikimi ka qenë një nga koncesionet më fitimprurëse në Shqipëri. Kompania Aleat u kontraktua nga qeveria shqiptare për koncesionin ekskluziv në vitin 2008, fillimisht për një periudhë 5 vjeçare. Marrëveshja e koncesionit u shoqërua me rritje të ndjeshme të çmimeve të pasaportave dhe kartave të identitetit për qytetarët.

Në atë kohë, qeveria e justifikoi koncesionin si një masë të domosdoshme për të plotësuar kushtet për liberalizimin e vizave dhe rritjen e sigurisë kombëtare. Por në vitin 2013, qeveria e zgjati koncesionin edhe me 10 vjet të tjera pa garë, njësoj si koncesionet e Aeroportit të Rinasit dhe minierës së kromit në Bulqizë.

Për 15 vjet me radhë, Aleat ka qenë një nga ndërmarrjet më fitimprurëse në Shqipëri, duke regjistruar norma fitimi që kanë variuar nga 25 deri në 50 për qind të xhiros.

Të dhënat historike tregojnë se për të gjithë periudhën 15 vjeçare Aleat arkëtoi 52.5 miliardë lekë ose 525 milionë euro nga shitja e pasaportave dhe kartave të identitetit, si dhe regjistroi një fitim neto prej mbi 140 milionë eurosh (kursi i këmbimit 1 euro = 100 lekë).

Image

Koncesioni 15 vjeçar i dokumentave të identifikimit përfundoi vitin e kaluar. Ish ministri i brendshëm Blendi Çuçi njoftoi se qeveria nuk do ta rinovonte më koncesionin dhe se shërbimi do të shtetëzohej. Për këtë qëllim, qeveria krijoi kompaninë publike Identitek.

“Politikisht kemi vullnetin për të riparë çmimin në mënyrë që ta ulim atë”, theksoi Çuçi kur njoftoi shtetëzimin e shërbimit. Por pak muaj më pas qeveria ndryshoi qëndrim 180 gradë dhe nuk i uli tarifat. Tashmë fitimet marramendëse të këtij shërbimi po i shkojnë qeverisë.

Mbajtja e pandryshuar e çmimeve është qartazi një vendim i padrejtë, për shkak se dhënia me koncesion e këtij shërbimi për 15 vitet e shkuara u justifikua me faktin se privati do të kryejë investimet dhe do të lërë gati infrastrukturën pa kosto për qeverinë. Por pavarësisht kësaj, qeveria nuk i uli çmimet. /Kapital.al

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco