PD: Do dyfishojmë mbështetjen për fermerët kur të vijmë në pushtet

PD: Do dyfishojmë mbështetjen për fermerët kur të vijmë në pushtet

09:42, 12/08/2024
A+ Aa A-

Partia Demokratike do të dyfishojë mbështetjen për fermerët në momentin që do të vijë në pushtet. Ky është premtimi i Drejtuesit të Departamentit të Bujqësisë Gjok Vuksanit dhe Kryetarit të PD së Lushnjës Eduart Sharkës gjatë një takimi me fermerë.

Dy drejtuesit e Departamentit të Bujqësisë thanë se vëmendja e Partisë Demokratike do të kthehet tek bujqësia. 

Ndërsa vetë fermerët u shprehën se ndjehen të braktisur pasi këtë vit kanë dalë me humbje në prodhim dhe shitje.  Sipas tyre mbështetja e qeverisë nuk ekziston dhe çmimet e ulëta të shitjes këtë vit i ka çuar drejt kolapsit. Fermerët u shprehën se mundi i tyre po shkon dëm për shkak se qeveria po favorizon importin.

"Çdo hektar ka dalë me një kosto prej më shumë se 1 milionë e gjysëm lek minus. Shpenzime totale ka qenë mbi 6 mln, dhe të ardhurat janë tek 4 mln", tha një fermer.

"Jo vetëm shalqini, domatja, specat, qepa që e dinë mirë të gjithë. Me patate, me të gjitha janë me humbje të papame. Shteti nuk interesohet se ky do doganë, tonazhin dhe traun që ka vënë në Kukës. Ne jemi jashtë mase, jo të dorëzuar, por të falimentuar komplet", theksoi një tjetër fermer.

Prodhimi  dhe shitja e shalqinit për një tjetër fermer ka qenë e dobët. "Sot e shesim 10 lek kilogram, nuk mbulojmë shpenzimet e këtij viti. Nuk kemi ndërmend të shtojmë sipërfaqen për vitin që vjen me këto çmime", tha ai

Drejtuesi i Departamentit të Bujqesisë, Gjok Vuksani, theksoi  se fermerit shqiptar i mungon subvencionimi dhe politikat mbështetëse për fermerët. 

"PD ka një program shumë të qartë që synon të mbështesë fermerin për njësitë e prodhimit dhe aty ku është e domosdoshme edhe për sipërfaqen. Që në vitin e parë të qeverisjes do të dyfishohet sasia e mbështetjes për bujqësinë dhe që do t'i jepet fermerit".

Kryetari i  PD, Eduart Sharka, tha se kërkesat e fermerëve janë plotësisht të realizueshme vetëm se qeveria nuk ka dëshirë t’i dëgjojë.

"Në pikat e tjera siç i kanë kërkuar fermerët, do të mbrohet produkti vendas. Do të zbatohet marrëveshja e CEFTAS, nuk do të hynë produkte të rajonit pa u markuar me tarifat për subvencionet që marrin në vendet e tyre", tha Sharka.

Gjok Vuksani dhe Eduart Sharka i kanë premtuar fermerëve që kur Partia Demokratike të vijë në pushtet do të dyfishojë mbështetjen për bujqësinë si dhe do të merren masa për importuesit.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco