Dumani i krimit me bekimin e Dumanit të SPAK gjoba dhe kërcënime/ SYRI TV disponon SMS dhe video, pamje edhe nga qelia luksoze

10:51, 10/08/2024
A+ Aa A-

Nuredin Dumani, i penduari i drejtësisë, nuk e ndal aktivitetin as nga qelitë e burgut, ku veç gjobave që shkojnë deri në 400 mijë euro, vijon dhe me kërcënimet. Syri TV disponon video nga qelia e tij luksoze brenda 313 me palestër, kompjutera, kondicioner, teksa ky luks nuk besohet të ketë ndodhur pa bekimin e SPAK që drejtohet nga Altin Dumani. Alda Nikolli, e kërcënuar prej tij, ka vënë në dijeni prokurorët e SPAK për kërcënimet e Nuredin Dumanit. Banesa e Nikollit në Elbasan u bë objekt i një atentati me lëndë plasëse

SYRI TV

Shpërthimi me tritol në apartamentin e motrave Xhovana dhe Alda Nikolli në Elbasan orët e para të mëngjesit të 14 korrikut, ku mbeti i plagosur rëndë fqinji i tyre, ktheu prozhektorët nga Nuredin Dumani, i penduari i drejtësisë, që mesa duket as nga qelia luksoze e 313-ës, nuk e ka ndalur aktivitetin, duke vendosur gjoba, madje dhe brenda burgut dhe duke kërcënuar për interesat e tij financiare.

Në kohën kur mbipopullimi është kthyer në problemin më të madh për burgjet shqiptare, Nuredin Dumani, i vetëdorëzuar pas një atentati të dështuar, dhe personazhi kyç i dosjes ‘Plumbi i artë’, në qeli me bekimin e SPAK që drejtohet nga Altin Dumani, pjesëtar i së njëjtit fis, është privilegjuar, teksa aty ka palestër, kompjuter, kondicioner, internet dhe falë aplikacioneve mban komunikim dhe vijon i qetë aktivitetin e tij.

Redaksia investigative e Syri TV disponon mesazhe në platformat e rrjeteve sociale dhe video që faktojnë aktivitetin e Nuredin Dumanit, teksa, që këto materiale të censurohen, SPAK ka ndërhyrë në mediat kombëtare.

Syri TV disponon një video në qeli të Nuredin Dumanit, ku duket teksa bën palestër, teksa pajisjet e palestrës është krejt e dukshme që nuk kanë hyrë kontrabandë në ambientet e burgut 313 në Tiranë.

Alda Nikolli ka pasur një lidhje dhe komunikim me Nuredin Dumanin, marrëdhënie që është ndërprere pas kërcënimeve dhe presioneve të Dumanit, dhe shkak i konflikteve mesa duket është bërë një tjetër i burgosur, Amarildo Nikolli.

Alda Nikolli, nënë e një vajze të mitur, është motra e Xhovana Nikollit, të fejuarës së Amarildo Nikollit, i arrestuar si i dyshuar për tentative vrasje dhe në tratativa për t’u bërë i penduar, të cilin sipas Alda Nikollit, Nuredin Dumani e ka dhunuar në qeli dhe i ka vënë një gjobë prej 400 mijë eurosh.

Alda Nikolli për kërcënimet e Nuredin Dumanit, për të cilat disponon SMS, ka vënë në dijeni dhe prokurorët e SPAK përmes mesazheve që redaksia investigative e Syri TV i disponon, por nuk i publikon të plota për të respektuar sekretin hetimor.

Alda Nikolli pohon se Nuredin Dumani mbrohet në emër të SPAK, teksa në një episod ajo thekson se një oficer i SPAK i ka kërkuar që të fshijë çdo SMS dhe foto me Nuredin Dumanin, pasi në të kundërt do kishte pasoja.

Alda Nikolli shprehet se përmes një telefonate është kërcënuar nga Nuredin Dumani në datën 12 korrik, teksa audion e kësaj telefonate  me përmbajtje të papërshtatshme e ka vendosur në dispozicion të Syri TV, që për hir të transparencës po e publikon.

Dy ditë pas kësaj audioje, banesa e motrave Nikolli në Elbasan është bërë objekt i një sulmi më lëndë plasëse të llojit tritol, ku mbeti i plagosur rëndë një qytetar i pafajshëm.

Alda Nikolli në një komunikim me redaksinë investigative të Syri TV është shprehur se prokurorë të SPAK kanë ndërhyrë që shumë materiale që ajo ka, të mos publikohen në media.

Ajo rrëfen se pas shpërthimit, ka kërkuar që Policia e Elbasanit të mos përfshihet në këtë histori pasi nuk ka besim se është një institucion i inkriminuar.

Nuredin Dumani, me dëshminë e tij në statusin e të penduarit, ka zbardhur disa prej vrasjeve më të bujshme dekadën e fundit në Shqipëri, por përgjimet e ardhura nga SKY, faktuan se ai ka ceduar në shumë dëshmi, çka mund t’i rrezikojë statusin.

Ndërkohë përgjimet e ardhura nga SKY dhe Enchro-Chat deri tani, janë stopuar pikërisht aty ku nisin çështjet e krimeve zgjedhore, të cilat mesa duket janë krasitur në mënyrë të dirigjuar për të mos dalë në publik.

Të gjithë personazhet që dolën në dosjet Metamorfoza dhe Revanshi kanë pasur aktivitet politik, në qarqet Shkodër, Lezhë, Elbasan, Tiranë dhe Durrës, duke nisur nga Bajrët, Arben Ndoka, Pëllumb Gjoka, Rrajat, e deri tek personazhe të krimit dhe politikës në qarkun e Elbasanit, ku mes tyre përmendet edhe Taulant Balla, ish-ministër i Brendshëm, aktualisht pasues i Spiropalit si ministër për Marrëdhëniet me Parlamentin.

Për krimet zgjedhore, SPAK deri tani ka zgjedhur t’i fusë në kalendat greke, teksa kreu i këtij institucioni, Altin Dumani, as nuk e dinte se çfarë ka ndodhur me dosjen 184 të krimeve zgjedhore në Dibër.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco