Muçollari: Siguria ushqimore, qeveria ka dështuar, ministria e Bujqësisë bashkëpunëtore në krim, drejtësia të veprojë

12:26, 07/08/2024
A+ Aa A-

Anëtari i kryesisë së Partisë Demokratike, Grigels Muçollari me anë të një deklarate për mediat, ka kërkuar nga drejtësia që të veprojë ndaj AKU-së.

Sipas tij, siguria ushqimore, që duhej të ishte një nga gjërat kryesore në këtë vend, por qeveria ka dështuar, ndërsa Ministria e Bujqësisë që është përgjegjëse direkte, është bashkëpunëtore në krim.

Deklarata e anëtarit të kryesisë së PD, Grigels Muçollari:

Për javë me radhë kemi ngritur shqetësimin jetik të mungesës së sigurisë ushqimore, me fakte dhe raste konkrete.

Qartësisht, Qeveria ka dështuar të bëjë detyrën në një prej sektorëve më jetikë. Ministria e Bujqësisë si përgjegjëse ka dështuar ose është bashkëpunëtore në krim.

Thirrja jone ka qenë që organet e drejtësisë të reagojnë sepse nuk ka indicie më të fortë për të nisur një hetim se sa lejimi në treg i produkteve të dëmshme për shëndetin. Nuk ka asgjë më të rëndësishme se sa shëndeti dhe jeta e qytetarëve.

Drejtësia nuk po vepron.

Edhe pse:

-AKU, agjencia që ka rolin kyç, që ka fondet dhe stafin, që është e ngarkuar me ligj ta ofrojë këtë shërbim, sigurinë ushqimore, ka dështuar.

Teksa reagojnë me vonesë ose nuk bëjnë detyrën kur informacioni u vjen i gatshëm, dhe kur dalin për kontroll del se malli është zhdukur, AKU dhe Ministrja e Bujqësisë lëvizin menjëherë kur ka denoncime, kur thuhet e vërteta.

Janë vigjilentë pra, symprehtë, janë energjikë për të mbrojtur imazhin e qeverisë.

Ne do të donim shumë, që AKU dhe Ministrja e Bujqësisë të kishin të njëjtin angazhim për të mbrojtur qytetarët nga ushqimet e produktet e dëmshme. Por kjo nuk ndodh.

Ndërsa hidhen në sulm ndaj opozitës apo qytetarëve të shqetësuar për sigurinë ushqimore, apo publicistëve e personave të njohur, njerëzit e qeverisë, nuk reagojnë ose reagojnë me shumë vonesë kur mallra, ushqime e produkte të rrezikshme hyjnë në tregun e në marketet tona.

Nëse do të bëhej puna e do të zbatohej ligji, AKU e funksionarët e qeverisë do të duhej të kontrollonin çdo gjë që në hyrje, në kufij e dogana.

Kjo nuk ndodh.

Por, ata nuk e bëjnë punën as kur autoritetet e vendeve fqinje, të BE, apo kur organizmi i Komisionit Europian, lajmëron, lëshon alarmin.

Ata vetë, AKU dhe funksionarët e qeverisë, në reagimet e tyre e pranojnë dështimin.

Pranojnë se produkte të rrezikshme hyjnë në treg, dhe se ata kanë ndaluar ose konfiskuar një pjesë të tyre.

Po pjesa tjetër?

Vetëm ky konfirmim i dështimit, është alarmues.

Partia Demokratike është e shqetësuar për mungesën e sigurisë ushqimore. Ne përsërisim kërkesën ndaj organeve ligjzbatuese dhe të drejtësisë të veprojnë. Përgjegjësit për këtë krim me pasoja të renda në shëndetin e qytetarëve duhet të mbajnë përgjegjësi.

Ne jemi të angazhuar dhe do të ngremë zërin e do të denoncojmë çdo rast kur qeveria dështon të ofrojë siguri për ushqimet.

Po ashtu, jemi të angazhuar me ekspertë e njohës të fushës të ofrojmë zgjidhje për këtë problem madhor.

Fëmijët tanë, prindërit tanë, të gjithë shqiptarët, meritojnë të konsumojnë produkte e ushqime të sigurta, që e përmirësojnë jetën nuk e shkurtojnë atë.

 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco