Mos flirtoni me shqiptaret/ Telegraph: Udhëzime surreale për italianët

Mos flirtoni me shqiptaret/ Telegraph: Udhëzime surreale për italianët

10:02, 07/08/2024
A+ Aa A-

Nga Josephine McKenna, THE TELEGRAPH

Gardianët italianë që do punojnë në qendrat e emigrantëve në Shqipëri janë paralajmëruar që të shmangin flirtet me gratë vendase.

Dyzet e pesë roje meshkuj janë përzgjedhur deri më tani për të punuar në një bazë të re për emigrantët në Gjadër, një nga dy objektet që do të hapen së shpejti në veri të Shqipërisë.

Qendrat janë pjesë e një marrëveshjeje dypalëshe të diskutueshme për të strehuar njerëzit e shpëtuar me anije në Detin Mesdhe.

Gjatë kursit të tyre të trajnimit, oficerëve italianë iu dha një manual me 14 udhëzime që i këshillonte për sjelljet si duhet të vishen, të hanë dhe ku të pinë kafe.

Por një paralajmërim më i qartë në lidhje me seksin e kundërt ka provokuar një protestë politike dhe ka rindezur debatin për vlerën e të gjithë skemës së emigrantëve në det të hapur.

“Shmangni shoqërimin me femrat shqiptare në mjedise të ndryshme apo në mënyrë spontane”, thuhej në manual.

“Kjo është një shoqëri më konservatore, veçanërisht në veri të vendit. Një burrë që e di ose e sheh gruan e tij duke u ndjekur nga një burrë tjetër, mund të reagojë keq.”

Udhëzimet theksonin gjithashtu se shqiptarët janë “një popull modest, kështu që lakuriqësia apo veshja më pak konservatore nuk është e mirëpritur”.

Paralajmërimet u kritikuan si "surreale" nga sindikata e rojeve të burgut, ndërsa kundërshtarët e qeverisë thanë se demonstronin natyrën farsë të kësaj skeme të veçantë të emigrantëve.

“Ne menduam se ishte lajm i rremë, por më pas mësuam se manuali ishte hartuar dhe shpërndarë në të vërtetë”, tha Gennarino De Fazio, sekretari i përgjithshëm i sindikatës së rojeve të burgut.

“Ne nuk besojmë se ishte qëllimisht seksiste, intolerante apo anti-etnike. Ndoshta është punë e ndonjë zyrtari të zellshëm, por ajo që është e habitshme është se kjo mund të trajtohet në mënyrë të jashtëzakonshme dhe pa verifikim paraprak nga drejtuesit e lartë.”

Planet për qendrat e propozuara të emigrantëve në Shqipërinë veriore u njoftuan nga Giorgia Meloni, kryeministrja italiane, në nëntor të vitit të kaluar.

Duke punuar me Edi Ramën, homologun e saj shqiptar, ajo premtoi që qendrat të funksionojnë duke nisur nga maji, por ato ende nuk janë funksionale.

Matteo Renzi, një ish-kryeministër që kryeson partinë Italia Viva, e përshkroi manualin si "gafën e radhës ndërkombëtare" në lidhje me qendrat e emigrantëve.

“Më shumë se një tragjedi, ky operacion po bëhet një komedi, por askush nuk po qesh,” tha ai.

“Racizëm kulturor”

Filiberto Zaratti, një deputet nga partia Europa e Gjelbër, e akuzoi qeverinë për "racizëm kulturor".

Oficerëve u kërkohet të mos i ndjekin gratë sepse ‘shqiptarët janë konservatorë’ dhe të mos vrapojnë lakuriq sepse ‘shqiptarët janë modeste’”, tha ai. “Ata nuk mund ta bënin më keq se kaq”.

Qendrat shqiptare të emigrantëve janë një zotim i zonjës Meloni për të reduktuar anijet që mbërrijnë në Itali nga Afrika e Veriut.

Më shumë se 156.000 migrantë arritën në Itali përmes detit vitin e kaluar, krahasuar me 105.000 në 2022.

Ashtu si propozimi i qeverisë britanike për të dërguar emigrantë në Ruanda, plani i Italisë iu nënshtrua një sfide ligjore nga Gjykata Kushtetuese e Shqipërisë, e cila përfundimisht e miratoi atë.

Sipas planit italian, objektet e emigrantëve pritet të kushtojnë deri në 688 milionë paund dhe do të strehojnë deri në 3,000 emigrantë çdo muaj.

Qendrat do të strehojnë emigrantët e kapur në ujërat ndërkombëtare - duke përjashtuar gratë, fëmijët ose ata që konsiderohen të pambrojtur.

Personat të cilëve u miratohet kërkesa për azil pritet të dërgohen në Itali, ndërsa emigrantët e refuzuar do të kthehen në vendet e tyre të origjinës.

Pavarësisht se ndërtimi po pengohet nga vonesat, qendra e parë - në Gjadër - pritet të funksionojë nga 20 gushti.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco