Rama fut tapinë në xhep dhe gënjen hapur: S’kam marrë asnjë metër tokë në Vuno

Rama fut tapinë në xhep dhe gënjen hapur: S’kam marrë asnjë metër tokë në Vuno

22:30, 01/08/2024
A+ Aa A-

Nga Armand Maho 

Unë e njoh mirë këtë zonë, e njoh, e kam në gjak, ia di të tëra historitë. Mund të flisni çfarë të doni me ndonjë që vjen nga Durrësit dhe nuk di se çfarë bëhet. I di dhe konfliktet brenda për brenda familjeve. Unë vetë dhe e ndjera ime më, nuk kemi kërkuar kurrë asgjë. Ju e dini mirë se ku e kemi rrënjën këtu, por nuk kemi kërkuar asgjë. Asnjë metër katror!”

 

Kjo është një deklaratë e bërë nga Edi Rama në 24 maj të këtij viti në Himarë, teksa si të ishte beu i jugut, ndante certifikata pronësie mes banorëve atje.

E vërteta e atyre fjalë është vetëm ajo që, nga nëna i ka rrënjët nga Vunoi. Është e vërtetë, Aneta Rama (Koleka) është bija e Petro Kolekës dhe mbesë e Spiro Kolekës, ish anëtar i KQ PPSH dhe kryetarit të Komisionit të Internim Dëbimeve përgjatë diktaturës, që në epokën Rama ka dalë i persekutuar nga regjimi.  Por ama vetëm kaq, sepse pjesa tjetër e asaj që deklaroi është një gënjeshtër e madhe dhe ja pse.

Më shtatë gusht të 2021, Lame dhe ish kryetari i arrestuar i Bashkisë Himarë Jorgo Goro, do zbrisnin në Vuno për të lajmëruar përfundimin e regjistrimit të pronave. Madje në mënyrë simbolike, do i dorëzonte dhe çertifikatën e pronësisë Odise Anagnostit, djalit të Pano Anagnostit banor i fshatit Vuno, i cili përfitonte bashkë më trashëgimtarë të tjerë shtëpinë  dhe truallin përreth. Por në listën e përfituesve ishte dhe fisi Koleka, dhe mes tyre Aneta Rama Koleka të cilët përfituan tokën në bazë të ligjeve dhe VKM-ve që kishte miratuar pinjolli i tyre kryeministër. Pra, Rama duke shpërndarë tapitë e shtëpive që i takojnë himariotëve në bazë të ligjit dhe të Zotit, gënjeu ditën për diell se s’ka marrë asnjë metër tokë. Fisi i tij ka marrë jo pak por 22.4 hektarë ose më saktë 224 mijë m2, ku atij bashkë me Olsin i takon një pjesë jo e vogël. Kjo pasuri ashtu siç është, pra e painvestuar me një llogari të thjesht të çmimit atje, e ka vlerën 30 milionë euro, ndërsa e investuar shkon mbi 150  milionë euro e kacafiu.

Lista e pronarëve, mes tyre Kolekët dhe Nushët (Shkarko dokumentin)

E pra duket se janë një mori vendimesh qeverie, ligjesh e të tjera që ndoshta ne nuk kemi arritur t’i identifikojmë dot, por që të lenë të dyshosh për një zhvatje të madhe të tokave në jugt të vendit. Dhe këtu nuk po flasim për toka të regjistruar në emër të të tjerëve me të cilat merret Olsi tërë ditën në bregun e jugut.  Jo këtu po flasim për 22.4 hektarë tokë, me origjinë të dyshimtë pronësie, të cilat nuk do ishin marrë në rast se nuk do ishte për morinë e ligjeve dhe VKM-ve që dukshëm kanë favorizuar Ramën. Ky favorizim bëhet në një moment kur në jug po bëhet një propagandë e madhe për ndarjen e çertifikateve të pronësisë. Në fakt atyre nuk po u jepet prona. Siç shihet në listën e atyre që janë shpronësuar padrejtësisht është dhe Drini Nushi, djali i Gogo Nushit ish anëtar i Byrosë politike, dhe bashkëshorti i njërës prej sipërmarrëses më të përfolura në vend për tenderat dhe PPP, që fiton si pasojë e lidhjeve të ngushta me kryeministrin. Ne s’kemi arritur të faktojmë se çfarë ka përfituar Nushi, por përderisa Rama me fakte ka marrë gjysmën e Vunoit, na lind e drejta të mos çuditemi  që gjysmën tjetër ta ketë marrë fisi Nushi.

VKM 708 Bllokon tokat e jugut, por jo të Ramës

Nga ana tjetër, vetë Rama me anë të një vendimi qeverie ka bllokuar shpërndarjen e jo pak, por 16 milionë metra katrorë tokë, por duke përjashtuar veten. Në vendimin 708 të nëntorit 2018, ku me një të rënë të lapsit, kaloi 41 parcela nga Vlora në Ksamil në pronësi të ministrisë së Turizmit të të gjitha pronave shtetërore ose në proces të njohjes së kthimit, medemek për të siguruar një zhvillim të qëndrueshëm të turizmit. Por menjëherë pas marrjes së vendimit të gjykatës, përjashton nga ky vendim zonat “në të cilat nuk ka përfunduar rregjistrimi fillestar”. Në bazë të atij vendimi bëhej i pamundur dhe marrja e tokës nga vetë Rama, pasi figuronte tokë shtet, ndërsa deri në atë kohë statusi i saj ishte i papërcaktuar. Ky ndryshim vendimi bëhët në katër mars të viti 2019, vetëm dy javë pasi Gjykata e Apelit kishte marrë vendim në favor të Kolekëve. Në pikën 1 të vendimit thuhej “Regjistrimin dhe kalimin në përgjegjësi administrimi të ministrisë përgjegjëse për turizmin të pronave të paluajtshme shtetërore, në zonat kadastrale që i përkasin vijës bregdetare Vlorë–Sarandë, sipas shtojcës që i bashkëlidhet këtij vendimi dhe është pjesë përbërëse e tij, me qëllim përdorimin e tyre për zhvillimin e qëndrueshëm në turizëm”. Ndërsa ndryshimi është pika 1.1 e këtij vendimi ku sipas të cilit, “Pronat e paluajtshme sipas pikës 1, që ndodhen në zonat në të cilat nuk ka përfunduar regjistrimi fillestar, do të regjistrohen në përgjegjësi administrimi të ministrisë përgjegjëse për turizmin, pasi të ketë përfunduar procesi i regjistrimit fillestar të pronave private në zonat kadastrale të përfshira në këtë vendim”

Image

Përfundimi

Fshatrat e bregut të jugut, si Vunoi, Qeparoi, apo dhe Lukova, nuk kanë pasur pronarë të mëdhenj toke, sidomos me këtë sipërfaqe që pretendojnë Kolekët. Funksiononin kryesisht në bazë të Kanunit të Labërisë dhe aktivitetet që ata merreshin kryesisht ishin peshkim, blegtori dhe më pak me agrumet ose prodhimin e vajit, të cilin e prodhonin sa për vete. Si prona atyre u njihen kryesisht shtëpitë, oborret dhe tokat përreth saj, ku zhvillonin ndonjë ekonomi të vogël. Pjesa tjetër ajo e kullotave ose dhe ato pak ullinj apo agrume, ishte e përbashkët dhe ndahej fshatçe. Aktivitet kryesor kishin blegtorinë, peshkimin më pak dhe në masë të madhe kanë emigruar. Petro dhe Spiro Koleka, që të paktën prej vitit 1925 nuk kanë jetuar në Vuno. Ja se çfarë shkruan vajza e Spiro Kolekës në një status në Facebook, “Babai ka bërë shkollën fillore në shkollën e fshatit, që e drejtonte mësuesi i popullit dhe kushëriri i tij (nga e ëma) Naqe Konomi. Ky mësues i shkëlqyer vuri re menjëherë cilësitë e jashtëzakonshme të përvetësimit të dijeve dhe krijimtarinë tek im atë, në të dy krahët, gjuhësore, letrare, historike e shkencore, kështu që e shtyu, me mbarimin e fillores, të ndërmerrte një përgatitje më të kompletuar në latinisht e greqishten e vjetër, për të hyrë në liceun klasik italo-arbëresh të Shën Mitër Koronës në Kalabri të Italisë. Im atë e dëgjoi mësuesin e tij të dashur dhe u largua nga Vunoi e shkoi për disa vjet të banonte në Vlorë tek i vëllai, Petro Koleka (gjyshi i Ramës), ku dhe u përgatit për studimet e mesme në Itali”.

Që nga ajo kohë asnjë prej vëllëzërve Koleka nuk u kthye më në fshat, ndërsa nuk disponojnë as tapitë turke, as vendimet e konfiskimeve dhe as verifikimet që u bënë në atë kohë nga ato që quheshin Komiteti i Fshatarëve të Varfër, apo Këshillat Nacional Çlirimatare ku vetë  “pronari” ministër i Punëve Botore vuloste e firmoste . Kaq keq të jetë sjellë regjimi vallë me pronat e Spiro Kolekës sa i ka zhdukur pa lënë gjurmë...

 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco