Berisha: Rama-Veliaj çdo vit vjedhin 24 mln euro, por ky nuk është korrupsion për Dumanin! Ne s’do e lejojmë

22:00, 01/08/2024
A+ Aa A-

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha në fjalën e tij në tubimin qytetar është shprehur se sot qytetarët protestuan para bashkisë kundër një bande kriminale që ka vjedhur me modelin 100 përqind taksat. Berisha ka theksuar se Rama është armiku më i egër i kombit, i moralit, i qytetarit, i vendit, i flamurit, i Shqipërisë.

Kryedemokrati Berisha në fjalën e tij përpara protestuesve është shprehur se Edi Rama, sapo u bë kryeministër, u akuzua nga OSBE në raportin konfidencial se ka depozituar në kontot offshore 200 milionë euro. Berisha ka theksuar se kreu i SPAK Dumani, i cili sipas tij është kriminel më i lig se Nuredini, e ka shpallur krim intelektual vjedhjen e shekullit.

Gjithashtu, lideri i opozitës, Sali Berisha në fjalën e tij përpara protestuesve është shprehur se, strumbullari i dramës që po luhet mbi shqiptarët është Edi Rama, i cili ndërton rrugë me 30 milionë euro kilometri, me 20 milionë euro kilometri, me 25 milionë euro kilometri.

Berisha më tej është shprehur në tubimin qytetar që të mos lëmë fatin tonë në duart e një plaçkitësi, në duart e një antishqiptari, në duart e një njeriu që nuk ka komb, nuk ka atdhe, nuk ka nder, nuk ka dinjitet, nuk ka moral, por të marrim fatin në duart tona.

FJALA E PLOTE:

Mirëmbrëma dhe përshëndetjet më të përzemërta ju qëndrestareve dhe qëndrestarëve të pamposhtur të kauzës së drejtë të çdo shqiptari, të kombit shqiptar dhe Shqipërisë.

Një mirënjohje të pakufishme ndaj jush për qëndresën e jashtëzakonshme.

Një përshëndetje për të gjithë qytetarët që sfiduan edhe sot vapën dhe çdo gjë dhe protestuan për nderin dhe dinjitetin e qytetarëve të Tiranës.

Protestuan para bashkisë kundër një bande kriminale që ka vjedhur me modelin 100 përqind taksat e qytetarëve të Tiranës për veten dhe familjet e tyre.

Të dashur miq, në çdo variant, në çdo aspekt, në çdo drejtim që të analizosh, këto zhvillime dramatike, në çdo formë që ta analizosh zbrazjen e tmerrshme të Shqipërisë nga shqiptarët, largimin e tyre masiv për shkak të kushteve të kalkuluara nga vendi dhe dheu i tyre, në rreth 40 përqind nga viti 2014 gjer sot, në çdo rrafsh që të shqyrtosh rënien dramatike të turizmit në këtë vend dhe shndërrimin e kësaj pasurie përrallore në një mallkim të vërtetë për qytetarët shqiptarë, në kuptimin që ata fitojnë në vit 3 gjer në 4 euro dhe paguajnë nga taksat e tyre në vit për turizmin 215-220 euro.

Paguajnë në vit në total 430 milionë euro për infrastrukturën e resorteve të miqve të Edi Ramës dhe pronave të tij dhe marrin gjithsej si shoqëri 8 milionë euro, një shumë qesharakë, e paimagjinueshme.

Në të gjitha këto të del një emër si strumbullar dhe ky emër është Edi Rama.

Ky njeri, për pushtetin dhe pasurimin e tij, nuk njeh komb, nuk njeh moral, nuk njeh atdhe, nuk njeh ligj, nuk njeh Kushtetutë.

Ky është armiku më i egër i kombit, i moralit, i qytetarit, i vendit, i flamurit, i Shqipërisë.

Ky është hajduti më i papërmbajtur, i cili e vodhi këtë vend si asnjë sundimtar tjetër në histori.

Edhe njëherë iu rikujtoj shqiptarëve se vërtet Enver Hoxha ndërtoi një vilë në mes të Bllokut 3-4 katëshe, por ky Hitler i pasluftës së dytë botërore, nuk e regjistroi ndonjëherë atë në emër të familjes së tij.

Kurse Edi Rama, pa u bërë kryeministër, në shkelje flagrante të ligjeve, ndërtoi sarajet 720 metra të gjata, me oborrin park 5 mijë metra katrorë.

Ullinj qindravjeçarë që kushtojnë qindra mijëra euro.

Edi Rama, sapo u bë kryeministër, u akuzua jo nga Sali Berisha, por u akuzua nga OSBE në raportin konfidencial se ka depozituar në kontot offshore 200 milionë euro.

Edi Rama është mitra që pjell çdo minutë, çdo orë, çdo ditë korrupsion, vjedhje, vjedhje, korrupsion.

Është ai me Erion Veliajn pronari i vjedhjes së shekullit.

Është ai që firmosi dhe i dha 8 pikë kompanisë që nuk ekzistonte, sepse ishte kompania Rama-Veliaj.

Është ai miqtë e mi që nuk lejon konfiskimin e saj, por edhe pse pas shtatë vitesh nuk ekziston nam as nishan i këtij djegësi, dhe janë shpenzuar gjer sot 130 milionë euro, përsëri çdo vit kalojnë nga paratë e taksapaguesve në ndërmarrjen Rama-Veliaj 24 milionë euro.

Sepse Dumani, ky bastard kriminel më i lig se Nuredini, e ka shpallur krim intelektual vjedhjen e shekullit.

Paçka se aty o kriminel 10 herë më i poshtër se Nuredini, që nuk sheh firmat e Edi Ramës, firmat e Erion Veliajt, 8 përqindëshin e kompanisë dhe që lejon të paguhet çdo vit e të mos hidhet një tullë.

Miqtë e mi, është Edi Rama gjeneratori, është mitra që mbjell çdo minutë, çdo ditë vjedhje, vjedhje dhe vetëm vjedhje.

Është Edi Rama ai që i dërgoi me Duçkën e tij 225 mijë euro McGonigalit, por kjo nuk është korrupsion, as krim për Dumanin e tij, një lake i marrë peng për krimet e veta.

Që vetëm në vitin 2016 kishte deklaruar tre apartamente me rrogë shteti, të cilat jo tre, po as dy nuk ka shqiptar që mund t’i sigurojë.

Burimi, strumbullari i dramës që po luhet mbi shqiptarët është Edi Rama, i cili ndërton rrugë me 30 milionë euro kilometri, me 20 milionë euro kilometri, me 25 milionë euro kilometri.

Ndërton rrugë duke vjedhur pra 80-90 përqind të parave që nevojiten për ndërtimin e tyre.

Është Edi Rama, ai që vodhi me një dorë me lubinë e tij Ballukun 50 milionë euro në tunelin e Llogarasë.

Pasi bënë tenderin dhe njëra kompani paraqiti ofertën me 140 milionë, kompania tjetër me 190 milionë euro, tenderi iu dha kësaj të dytës.

Dhe e dyta, në kundërshtim me ligjet e këtij vendi, por në përputhje me xhepin dhe kontot e Edi Ramës, shpalli kompaninë e dytë nënkontraktor.

Të gjitha këto veprime u firmosën në Ankara për shkak se kompania turke ishte shumë e afërt me presidentin e Turisë, Rexhep Taip Erdogan.

Miqtë e mi, është bërë e zakonshme. Edi Rama të blejë influenca, të blejë fjalime, të blejë vizita, të blejë zyrtarë për t’i vërsulur kundër demokracisë shqiptare.

Nuk ka në histori një armik më të egër për demokracinë dhe lirinë e shqiptarëve se Edi Rama.

Gjithçka si në një film shndërrohet, të gjitha këto vjedhje shndërrohen në parajsë për Edi Ramën dhe ministrat e tij.

Shndërrohen në varfëri, mjerim, krim dhe votë.

Varfërim dhe mjerim për shqiptarët, krim dhe votë për Edi Ramën.

Ndaj dhe unë përsëris thirrjen time për çdo qytetar shqiptar, të mos lëmë fatin tonë në duart e një plaçkitësi, në duart e një antishqiptari, në duart e një njeriu që nuk ka komb, nuk ka atdhe, nuk ka nder, nuk ka dinjitet, nuk ka moral, por të marrim fatin në duart tona.

Maduro i Tiranës po pret të përsërisë skenarin e Maduros së Venezuelës.

Por guximi, nderi dhe dinjiteti ynë na fton të gjithëve në betejë për sakrifica.

Për krijimin e qeverisë teknike.

Për zgjedhje të lira.

Për ndryshimin e pushtetit.

Fitoren e opozitës.

Ndaj dhe ju ftoj të mobilizojmë çdo forcë, të bisedojmë me çdo qytetar, të bëjmë gjithçka për të pushtuar mendjen dhe zemrat e qytetarëve shqiptarë.

Për të dalë në një betejë pa kthim dhe pa ndalim.

Betejë pa ndalim gjer në fitoren përfundimtare të PD-së, opozitës dhe të qytetarëve shqiptarë.

Betejë e kombit shqiptar.

Fitoren e tij, fitoren e Shqipërisë.

Rrofshi ju, rroftë Shqipëria.

Fitore, fitore, fitore!

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco