Asnjë ditë në punë, por anijet TEC në Triport do sigurohen për 1.8 mln euro

Asnjë ditë në punë, por anijet TEC në Triport do sigurohen për 1.8 mln euro

09:35, 01/08/2024
A+ Aa A-

Dy anijet termocentral të kontraktuara nga qeveria shqiptare gjatë krizës së energjisë në vitin 2022 dhe të pa vëna në punë asnjë ditë, me përjashtim të testimeve, do të sigurohen për një vlerë 1.77 milionë euro.

Korporata Elektroenergjetike Shqiptare (KESH) njoftoi për një procedurë prokurimi që ka në thelb këtë objekt kontrate me një vlerë fondi limit prej 177 milionë lekë.

Në dokumentet që shoqërojnë procedurën nënvizohet dy asetet për të cilat bëhet fjalë janë aktualisht të vendosura në Triport në Vlorë.

“Dy anijet termocentral, Tiger I dhe Tiger III, janë ankoruar ne cepin verilindor te basenit të brendshëm te Triportit. Vendndodhja e ankorimit ishte e mbrojtur nga dallgët dhe rrymat. Si e tillë, forca më e rëndësishme mjedisore që vepron në anijen termocentral do të jetë era. Lëvizjet e shkaktuar nga ndërveprimi i dallgëve ose anije-anije nuk pritet të jenë të rëndësishme në vendin e ankorimit. Sistemi i ankorimit është ndërtuar për të siguruar që anija termocentral do të qëndrojë në vend gjatë ngjarjes së erës gjatë vitit”, thuhet në dokument.

I njëjti sqaron se cila është infrastruktura fikse.

Infrastruktura fikse do të përbëhet nga: Sistemi i ankorimit për varkat termocentral duke përfshirë një mur kalatë; Një sistem uji ftohës duke përfshirë pompën dhe instalimet përkatëse të tensionit të ulët; Ndërlidhja elektrike e tensionit të lartë 132 kV me nënstacionin ekzistues të Termocentralit të Vlorës (“TEC”); Modifikimi (duke përfshirë furnizimin e nj auto- transformatori me fuqi 132 kV deri në 220 kV) në nënstacionin ekzistues të TEC-it të Vlorës për të akomoduar ndërlidhjen; Sistemi i marrjes dhe dërgimit të karburantit dhe vajit lubrifikues (në anijen termocentral) duke përfshirë stacionin e pompimit të karburantit; Sistemi i fikjes së zjarrit.

Gjeneruesit termikë

Kriza e energjisë që nisi nga fundi i verës 2021 arriti kulmin në vitin 2022 duke ekspozuar Shqipërinë ndaj çmimeve të çmendura në importe.

KESH vendosi që të merrte me qira gjenerues termikë energjie dhe në finale pas zhvillimit të procedurave konkurruese u siguruan dy gjenerues termikë lundrues. Anijet janë të vendosura në Triport të Vlorës. Këto të fundit do të prodhonin energji përmes naftës sipas nevojës. Kapaciteti i dy njësive është 110 MW.

Në një skenar për situatën energjetike gjatë 2023 të dhënat zyrtare tregonin se prodhimi i energjisë nga këto njësi do të kushtonte 165 milionë euro. Gjeneruesit parashikohej të prodhonin 884 GWh me një kosto prodhimi prej 185 euro/MWh diçka që nuk u materializua asnjëherë.

Vlera e gjeneruesve termikë vlerësohet 15 milionë euro teksa qiraja për një periudhë 2 vjeçare llogaritej në 46 milionë dollarë./Monitor/

 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco