Gazetarja demaskon korrupsionin e deputetes, kjo e fundit e padit dhe i publikon të dhënat personale

Gazetarja demaskon korrupsionin e deputetes, kjo e fundit e padit dhe i publikon të dhënat personale

22:17, 31/07/2024
A+ Aa A-

Në një demokraci të shëndetshme, gazetaria luan një nga rolet më të rëndësishëm në ruajtjen e transparencës dhe llogaridhënies në qeverisje, dhe në një qeveri si kjo e jona që mesa duket nuk e njeh termin “llogaridhënie”, gazetaria luan një rol akoma edhe më thelbësor.

Fatkeqësisht, deputetja Pranvera Resulaj duket se nuk e kupton këtë parim, duke bërë një kallëzim penal kundër gazetares Afrovita Hysaj për punën e saj investiguese në faqen "Disidentët". Ky veprim është një përpjekje e qartë për të frenuar lirinë e shprehjes dhe për të intimiduar gazetarët që  në një vend kaq kompleks si ky i joni, bëjnë punën e tyre.Afrovita Hysaj dhe ekipi i saj në "Disidentët" kanë denoncuar abuzimet dhe korrupsionin, duke përfshirë edhe rastin e deputetes Resulaj. Në investigim ata kanë theksuar se deputetja ka pasur një histori të dyshimtë, përfshirë shkarkimin nga pozicioni në Tatime, dhe posedimin e disa apartamenteve. Këto absolutisht janë informacione të verifikueshme publikisht dhe nuk përbëjnë shpifje, pasi në asnjë ligj në botë CITIMI i informacioneve publike NUK përbën shpifje.

Në reagimin e saj, deputetja Resulaj pretendon se akuzat janë shpifje dhe gjuhë raciste. Megjithatë, këto akuza janë të pabazuara dhe bazuar në ligj asnjë gjykatë nuk mund ti japë të drejtë. Në fakt, informacioni i paraqitur nga gazetarja është  lehtësisht i  verifikueshëm dhe nuk përmban gjuhë raciste. Të jesh nga Librazhdi (sic pretendon deputetja që është thirrje rracistë) nuk është një karakteristikë racore dhe ta përmendësh këtë fakt nuk mund të interpretohet si gjuhë urrejtjeje.

Një tjetër pikë e rëndësishme është publikimi i të dhënave personale të gazetares nga ana e deputetes. Kjo përbën një shkelje të drejtpërdrejtë të ligjit për ruajtjen e të dhënave personale dhe të drejtave të njeriut, pra shkeljen që kjo deputete pretendon se gazetarja ka bërë, e ka kryer vetë në postimin e saj në Facebook, duke mos dënjuar as të mbuloje të dhënat personale të gazetares të cilën po padit.

Të publikuarit e adresës së shtëpisë së gazetares dhe të dhëna të tjera personale e vendosin atë dhe familjen e saj në rrezik të drejtpërdrejtë. A do të mbajë kjo deputete përgjegjësi për këtë veprim?

Gazetarët kanë një detyrë të rëndësishme për të raportuar për abuzimet e pushtetit dhe për të mbajtur përgjegjës ata që janë në pushtet,. Nëse një zyrtar publik ndihet i kërcënuar nga raportimet e medias, rruga e duhur për ta trajtuar këtë është transparenca dhe llogaridhënia, jo intimidimi dhe paditë penal, rrugë e cila deputetes Resulaj i duket më e thjeshtë. Deputetja Resulaj, në vend që të përgjigjet ndaj akuzave me fakte dhe të kërkojë transparencë, ka zgjedhur rrugën e frikësimit, që është një kërcënim për lirinë e shtypit dhe demokracinë, mirëpo ajo që duket se është frikësuar në këtë rast është pikërisht ajo. / E.S

 

 

 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco