Berisha: Ditën e enjte të gjithë te bashkia Tiranë! S’do paguani ju vjedhjet e Ramës, Ballukut dhe Veliajt

21:18, 31/07/2024
A+ Aa A-

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha gjatë fjalës në tubimin qytetar, deklario se Venezuela duhet të jetë një mësim i madh për çdo shqiptar se me Edi Ramën nuk ka zgjedhje. ‘Ky mësim i Venezuelës duhet të jetë një mësim i madh për çdo shqiptar, me Edi Ramën nuk ka zgjedhje ndaj dhe të gjithë në këmbë në betejën vendimtare për qeveri teknike, zgjedhje të lira dhe fitoren e opozitës’, u shpreh Berisha.

Lideri demokrat Sali Berisha akuzoi drejtuesit lokalë dhe ata qëndror të mazhorancës socialiste se me zjarret që po djegin kodrat, pyjet, zonat e mbrojtura, kanë për qëllim ndërtimet e mafias dhe plantacionet e drogës. ‘Njëlloj siç shpërthyen në vitin 2015, në vitin 2020, në çdo viti paraelektoral Edi Rama përgatit tokën e djegur që i përshtatet shumë bimës së kanabisit për plantacionet e drogës, për të shndërruar drogën në votë dhe votën në krim’, theksoi kreu i PD.

Më tej kryedemokrati Sali Berisha i ka bërë gjithashtu thirrje banorëve të Himarës që të votojnë kandidatin e opozitës në zgjedhjet e së dielës, 4 gusht, pasi vota për opozitën do të thotë asnjë qindarkë për tunelin korruptiv. ‘Nuk do paguani ju vjedhjet e Ramës dhe Ballukut’, deklaroi lideri i demokratëve.

Gjithashtu Kryetari i PD-së u bëri thirrje himariotëve që të mos e çojnë votën e tyre dëm, duke ja dhënë kandidatit të Edi Ramës, Vangjel Tavo.

Në përfundim të fjalës së mbajtur në tubimin maratonë tashmë, kryetari i Partisë Demokratike, u ka bërë thirrje qytetarëve që nesër të dalin në protestë tek bashkia e Tiranës në orën 11:00. “Të gjithë te bashkia për të nxjerrë nga zverku dhe varur në shtyllën e turpit Erion Veliajn’, theksoi kryedemokrati, Sali Berisha.

FJALA E PLOTE:

Mirëmbrëma dhe përshëndetjet më të përzemërta ju qëndrestareve dhe qëndrestarëve, misionareve dhe misionarëve të kauzës së drejtë të shqiptarëve.

Kauzës së lirisë dhe dinjitetit, votës së lirë, interesit kombëtar.

Të dashur miq, ne vijmë në prag të betejës së madhe, në prag të betejës vendimtare, të betejës shpëtimtare për Shqipërinë, për qytetarin, për kombin në tërësi.

Këto ditë, të gjithë kemi ndjekur betejën e demokratëve të Venezuelës, që mbushën me guxim dhe heroizëm rrugët e Karakasit dhe qyteteve të tjera sepse fituan zgjedhjet, por Edi Rama i Venezuelës ua rrëmbeu ato, ua vodhi ato.

Duke shprehur mbështetjen e plotë dhe solidaritetin e madh të PD për presidentin e vërtetë të Venezuelës, Eduardo Gonzales që u zgjodh me votën e qytetarëve.

Duke dënuar me forcën më të madhe diktatorin Maduro, këtë pasardhës të Hugo Çavez, ftoj çdo shqiptar të nxjerrë mësime nga fati i demokratëve të Venezuelës.

Me dhjetëra dhe qindra herë kam deklaruar këtu para jush dhe shqiptarëve, me Edi Ramën zgjedhje të lira nuk ka.

Me Edi Ramën ka vjedhje të votës, vjedhje të votës, rrëmbim të mandateve dhe fitores.

Të shkosh me Edi Ramën në zgjedhje, do të thotë të përsërisësh gabimin e rëndë të opozitës së Venezuelës, e cila për të satën herë fiton zgjedhjet, por më parë diktatori Çavez dhe tani diktatori Maduro iu grabisin fitoren, iu grabisin zgjedhjet.

Ky mësim i Venezuelës duhet të jetë një mësim i madh për çdo shqiptar, me Edi Ramën nuk ka zgjedhje ndaj dhe të gjithë në këmbë në betejën vendimtare për qeveri teknike, zgjedhje të lira dhe fitoren e opozitës.

Miqtë e mi, këto dy javë, nga thellësitë e maleve, nga jugu në veri, në bregdet dhe kudo kanë shpërthyer qindra vatra zjarri.

Njëlloj siç shpërthyen në vitin 2015, në vitin 2020, në çdo viti paraelektoral Edi Rama përgatit tokën e djegur që i përshtatet shumë bimës së kanabisit për plantacionet e drogës, për të shndërruar drogën në votë dhe votën në krim.

Zjarret që po djegin kodrat, pyjet, zonat e mbrojtura, kanë dy qëllime: ndërtimet e mafies, plantacionet e drogës.

Miqtë e mi, o sot o kurrë, duhet të ngrihemi për qeveri teknike.

Edi Rama ka bërë gjithçka që të përdorë qindra e qindra milionë para të taksapaguesve vitin e ardhshëm për të rrëmbyer mandatin e katërt, mandatin e krimit.

Të dashur miq, gjithçka varet dhe përcaktohet nga vullneti ynë, nga guximi ynë, nga vendosmëria jonë.

Është në duart tona, në trimërinë dhe guximin tonë që të përmbysim qeverinë e Edi Ramës dhe Belinda Ballukut për të çelur rrugën e zgjedhjeve të reja.

Të dashur miq, në emër tuaj u bëj thirrje zgjedhësve të Himarës të votojnë kandidatin e opozitës.

U garantoj, garantoj çdo banor të Bregut se prapa Vangjel Tavos fshihen interesat personale, pasurore në Gjipe dhe në zona të tjera të klanit më të rrezikshëm mafioz të Europës, klanit Rama.

Edi dhe Olsi Rama.

Banorëve të Himarës, i ftoj në mençurinë e tyre të mos ia dorëzojnë Himarën kryemafiozit të Shqipërisë dhe Europës, Edi Ramës.

I sqaroj se është e vërtetë që unë, Sali Berisha, nuk do ndërtoja kurrë tunelin e Llogarasë sepse nuk ka zyrtar në botë që mund t’i lejojë vetes të investojë 45 mijë euro për një shtrat turistik.

Por nga ana tjetër, u them banorëve të Himarës se për çdo udhëtar, se për çdo turist, Himarën asgjë në mënyrë më madhështore nuk e paraqet se Qafa e Llogarasë që ky ia lidhi sytë me tunelin e Llogarasë.

Himariote e himariotë, pas tunelit të Llogarasë fshihen interesa mafioze, me të cilat u vodhën 50 milionë euro nga mafia shtetërore shqiptare e Edi Ramës dhe ndërkombëtare.

Fshihen ata të cilët me baule i çuan Edi Ramës eurot për një tunel që unë e kisha refuzuar dhe do e refuzoja.

Por një gjë ta keni të qartë, vota për opozitën është votë për asnjë qindarkë për tunelin.

Nuk do paguani ju vjedhjet e Edi Ramës dhe Belinda Ballukut.

Nuk do paguani ju vjedhjen e tmerrshme ndërkombëtare në tunelin e Llogarasë.

Do e paguajë Edi Rama, Belinda Balluku, mafia ndërkombëtare!

Thirrja ime për banorët e Himarës, himariotët kudo që janë, të mbrojnë Himarën me votën e tyre ditën e diel.

Se Vangjeli nuk është gjë tjetër veçse kukulla e Edi Ramës.

Se Vangjeli nuk është gjë tjetër veçse shpifa e Gole Tavos, bixhozxhiut famoz. Himara në bixhoz është ajo që u premton Vangjel Tavo me Golen.

Mos e lejoni të votojë Golen dhe asnjë qytetar tjetër që nuk është me origjinë nga Bregu dhe që nuk është bregas.

I përzini nga Himara, kanë ardhur si pushtues, të shkojnë në punë tyre këta mafiozë.

Ndaj Gole, mos u paraqit kund në Himarë. Nuk ka pse paguajnë himariotët borxhet e bixhozeve tua.

Rri atje në Lëkurës ku je.

Miqtë e mi, Edi Rama është i tronditur gjer në palcë.

Rilindja është një stan banditësh, kaçakësh, kriminelësh, hajdutësh që me sulmin tonë të parë do t’ia mbathin.

Ndaj dhe qytetarë dhe qytetare, Venezuela është shembulli që na fton.

Nuk shkohet në zgjedhje me diktatorin.

Përmbyset diktatori dhe shkohet në zgjedhje.

Rrofshi ju!

Ditën e enjten të gjithë te bashkia për të nxjerrë nga zverku dhe varur në shtyllën e turpit Erion Veliajn.

Fitore, fitore, fitore.

Rroftë Shqipëria!

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco