Djegia e mbetjeve në Vlorë, pa dallim nga Lëndët Helmuese Luftarake: 'Krim kundër njerëzimit'

Djegia e mbetjeve në Vlorë, pa dallim nga Lëndët Helmuese Luftarake: 'Krim kundër njerëzimit'

08:35, 30/07/2024
A+ Aa A-

Nga Abdulla Diku, Doktor i Shkencave, ekspert  i pyjeve dhe mjedisit.

Mbetjet në Vlorë po digjen sërish sivjet, në pikun e sezonit turistik. Kjo është dyfish një e keqe e madhe;

- Së pari - për shëndetin e banorëve dhe vizitorëve. Djegia e plastikës e cila përbën mbetjet aty, çliron gaze toksikë si: dioksinat, furanet, merkuri dhe bifenilet e poliklorinuara në atmosferë. Të gjitha këto substanca janë shumë toksike dhe shkaktojnë kancer, probleme riprodhuese dhe zhvillimore, dëmtim të sistemit imunitar, probleme me zemrën, rrugët e frymëmarrje dhe madje mund të ndërhyjnë deri tek hormonet e njeriut. Këto substanca janë ndotës organikë të qëndrueshëm (POPs) dhe janë vdekjeprurëse për njeriun.

Në një situatë si ajo e Vlorës aktualisht, substancat kancerogjene merren direkt përmes frymëmarrjes ose gradualisht me ushqimet (perimet, frutat, drithrat etj) dhe produktet shtazore (qumështi dhe mishi). Si në rastin e kafshëve ashtu dhe në rastin tonë këto substanca depozitohen në indet dhjamore fillimisht dhe pastaj lëvizin drejt organeve jetësore të njeriut. Ato nuk shpërbëhen dhe nuk hyjnë në reaksion me ndonjë gjë tjetër.

Retë e tymit lëvizin mbi qytetin e Vlorës duke ndotur direkt gjithëçka aty. Nëse do kishim një situatë të ngjashme në ndonjë qytet evropian, personat përgjegjë do akuzoheshin për “Krim kundër njerëzimit”, pasi në fakt ashtu është. Nuk ka ndonjë dallim të madh mes Lëndëve Helmuese Luftarake (LHL) dhe reve të tymit toksik që çlirohet nga djegia e mbetjeve në Vlorë. Ndërsa LHL vrasin menjëherë, gazet toksike të mbetjeve vrasin gradualisht dhe me më shumë kosto.

Pozicioni i fushës së vend-grumbullimit të plehrave është më i keqi i mundshëm pasi era çon drejt qytetit jo vetëm tymin aktualisht por edhe erën e rëndë përditë. E njëjta situatë do jete edhe me TEC-et nëse do vihen në punë. Era do i dërgojë mbi qytet retë e tymit të naftës së rëndë që do digjet. Si për fushën e mbetjeve ashtu dhe për TEC-et duhej bërë më parë studimi i drejtimit të erërave (trëndafili i erës) dhe pastaj të zgjidhej vendi për to.

- Së dyti - djegia e mbeturinave në pikun e sezonit turistik është anti-reklama më e madhe që mund ti bëhet Vlorës dhe gjithë Shqipërisë. Një antireklamë e cila do të dojë shumë punë dhe kohë të zhbëhet. Edhe kjo pasojë duhet të konsiderohet si “Tradhëti kombëtare” pasi saboton financiarisht të paktën qindra e mjëra operatorëve turistikë si dhe krejt zinxhirin e aktiviteteve ekonomike që lidhen me turizmin (bujqësia, blegtoria, transporti etj etj).

Dhe kur kjo gjë përsëritet “copy-paste” për të katërtin vit radhazi, s’ka të bëjë më me ‘aksidentale’, ‘mungesa’ apo ‘kapacitete’.
Është thjeshtë e qëllimshme dhe e planifikuar me kujdes që të ndodhë pikërisht kështu siç po ndodh sot!
 

Image

Image

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco