'Tirana e betonit, e fundit në Europë për cilësinë e jetës! Më e ndotura dhe më e shtrenjta për m² të pallateve'

15:08, 29/07/2024
A+ Aa A-

Drejtuesi i Departamentit të Mjedisit në PD, Prof. Dr. Jamarbër Malltezi bëri të ditur sot për mediat se "Tirana renditet e fundit në Europë në Indeksin e Cilësisë së Jetës të hartuar nga Numbeo dhe, - theksoi ai, - Tirana e Erion Propagandës lë pas vetëm një kryeqytet provincial rus të quajtur Novosibirsk", duke akuzuar për situatën, në veçanti, kryebashkiakun e Tiranës, Erion Veliajn.

"Kryeqyteti penalizohet sidomos nga ndotja, e cila konsiderohet si shumë e lartë, - vërejti politikani dhe eksperti i mjedisit. -  Edi Rama vjedh qindra milionë euro për plehrat por pastaj i fut zjarrin; nuk ka asnjë incinerator dhe shërbyesit e qeverisë mahniten me vjedhjen intelektuale!

Nëse cilësia e jetës është e ulët, të larta janë çmimet e pronave. Tirana vlerësohet si e 13-a më e shtrenjta në raportin çmim/të ardhura. Sipas fuqisë blerëse, një apartament në Tiranë kushton më shumë se në Munih, Romë, Athinë, Londër, Vjenë dhe Berlin.

Kujdesi shëndetësor është një tjetër faktor negativ dhe Tirana është gjithashtu e fundit në Europë.

Në Tiranë shpenzohet më shumë kohë në trafik. Ajo që e hedh tuç propagandën e Veliajt dhe Ramës për turizmin, pyjet orbitale, rilindjen urbane e përralla të tjera, është se Tirana renditet shumë më poshtë kryeqyteteve të rajonit për cilësinë e jetës.

A vlen parulla ‘o sa mirë me qenë shqiptar?’

Në 33 vite Edi Rama ka qenë 25 vjet në pushtet si ministër, kryetar bashkie dhe kryeministër. Erion Veliaj ka 11 vjet në pushtet si ministër dhe kryetar bashkie.

Çfarë kanë bërë? Metronë? Tramvajin? Sistemimin e ujërave të zeza dhe të bardha? Pastrimin e ajrit dhe të mjedisit? Asnjë prej këtyre! Kanë bërë dy çezma me paratë e Kuvajtit, të cilat tashmë janë prishur. As një banjo publike nuk ka në qytet!

Mbi 100 milion dollarë ishte ndihma japoneze për impiantin e trajtimit të ujërave të zeza të Tiranës. Impianti po ndryshket, por nuk ka filluar punë se nuk kishin çfarë vidhnin, ndaj ujërat e zeza përfundojnë në det. Kanë kafshuar çdo lulishte dhe kanë ngritur qiellgërvishtës për interesat e tyre korruptive.

Këto janë faktet, jo atë që thonë ERTV-të dhe LAL-TV-të nga mëngjesi në darkë. Tirana është e fundit, sepse qytetarët shihen si të dorës së fundit nga dyshja Rama-Veliaj.

Cilësinë e jetës në renditjet ndërkombëtare nuk e cakton opozita dhe, çuditërisht nuk e ngre as sheshi-tepsi betoni ku piqet veza në diell, ku dimrit skuqin qofte patronazhistët e partisë që vjedhin zgjedhjet, dhe këndojnë velinat e Rilindjes.

Thënë me fjalët e Ramës: Kjo është Tirana jonë, Tiranë e kontradiktës/ E ndotjes, trafikut, kullave dhe frikës," përfundoi Malltezi. duke u kthyer te vargjet e këngës së fushatës së parë elektorale të Edi Ramës.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco