Prapaskenat e Kongresit/ Ylli i Belës në ngjitje, kandili i Veliajt po fiket

Prapaskenat e Kongresit/ Ylli i Belës në ngjitje, kandili i Veliajt po fiket

10:40, 29/07/2024
A+ Aa A-

Belinda Balluku qëndroi në hije gjatë orëve të axhendës zyrtare të Kongresit. As e mori fjalën, as ia përmendi njeri emrin në recitimet e gjata patetike. U duk sikur dalja në një video promovuese do të ishte i vetmi vend që i kishin rezervuar në kongres. Por kur Rama zbuloi emrat e ministrave të rinj, emri i “Belës” nisi të lakohej gjithnjë e më i zëshëm në gumëzhimën e delgatëve në hollin e pallatit të Kongreseve.

Sapo e panë, kolegët e rrethuan Belën me romuze dhe të qeshura. Ata ishin të parët që e kishin nuhatur atë që kishte ndodhur. Zv.kryeministrja kishte qenë protagoniste e dorës së parë në kongres.

Pirro Vengu dhe Petrit Malaj, dy vartës të Belinda Ballukut në ministri, njëri si drejtor i Portit të Durrësit dhe tjetri në Agjencinë Kombëtare të Burimeve Natyrore sapo ishin katapultuar ministra, respektivisht tek Mbrojtja dhe tek Financat.

I treti, Ervin Hoxha edhe ky me lidhje të tërthorta me Ballukun, sapo kishte marrë postin e Taulant Ballës.

Kuptohet se para Kongresit, Rama ia kishte vënë veshin sugjerimeve të Belinda Ballukut për emërimet në qeveri.

Pozicioni i privilegjuar si gruaja që i pëshpërit në vesh Edi Ramës e bën Ballukun de facto numrin dy të mazhorancës qeverisëse. Asnjë krahasim me ministra apo deputetë të tjerë që presin në ankth çfarë do të ndodhë në kongres, pa e ditur nëse fjalimi i kryetarit do t’i rrokullisë në të tatëpjetë, apo do të shtangen nga ndonjë emërim surprizë në qeveri.

Dikur në onturazhin e Edi Ramës, pozicioni i kanakarit ishte një ekskluzivitet i Erjon Veliajt.

Disa nga njohjet e tij të hershme janë ende në qeveri, apo në role drejtuese të Partisë Socialiste. Të tjerë e kanë të freskët në memorie karrierën e ndërprerë për shkak të armiqësisë që kanë pasur me të.

Vetëm se tani, për ish-delfinin e preferuar të Ramës fryn një erë tjetër.

“Lali Eri” është në qendër të një fortune me drejtësinë që lidhet me aferën e kompanisë “5D” të drejtorëve të tij. I vënë nën hetim pasuror nga SPAK, me miqtë më të mirë që dergjen në qeli për vjedhje ulëritëse dhe me një mandat të fundit në bashki që sa vjen e shkurtohet, batutat e Ramës tingëllojnë dyfish therëse.

Kësaj radhe në Kongres, ia përmendi emrin Veliajt si asociim me varrmihësit e Sharrës dhe të Tufinës, kur ironizoi Pandeli Majkon se se “është mik me Lali Erin dhe i gjen varret aty ku do”. Është e disata herë, që Rama nuk nxjerr nga goja ndonjë fjalë të mirë për kandilin tashmë në fikje të Erion Veliajt./Lapsi.al

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco