SYRI TV/ GJL 35 detyra Apelit për Festim Bixhdilin, mbrojtja: Nuk mund të ketë dënim pa trup

15:19, 27/07/2024
A+ Aa A-

Gjykata e Lartë i caktoi Apelit të Posaçëm 35 detyra lidhur  me rikthimin e çështjes për rigjykim ndaj kopshtarit Festim Bixhdili, i dënuar përjetë për rrëmbimin dhe vrasjen e Jan Prengës.

Togat e zeza pranuan kërkesën e mbrojtjes, që e konsideruan të pabazuar në prova vendimin e Apelit për ta dënuar përjetë kopshtarin e kompleksit “Golden” në Shijak, duke rikthyer çështjen edhe njëherë për rigjykim. Mbrojtja pretendon se pa trup nuk mund të ketë dënim.

Festim Bixhdili, kopshtari i kompleksit Golden në Shijak, u dënua përjetë, në dy shkallët e gjyqësorit, lidhur me rrëmbimin dhe vrasjen e Jan Prengës. Por Gjykata e Lartë e prishi vendimin e Apelit, duke caktuar ndaj kësaj të fundit të paktën 35 detyra.

Vendimi i plotë ende nuk është zbardhur, por nisur nga qëndrimet që ka mbajtur mbrojtja, bazuar sipas saj edhe në vedime të mëparshme të kësaj gjykate, nuk mund të ketë akuzë për vrasje kur nuk ka viktimë. Sipas mbrojtjes, që më tej pritet ti japë përgjigje Apeli i Posaçëm dhe SPAK gjatë rigjykimit të Festim Bixhdilit e Olsi Turjas, dënimi i tyre është dhënë mbi deduksion, disa pamje filmike e njolla gjaku, por jo mbi fakte që të lidhin klientët e tyre me ngjarjen.

“Të gjendet trupi, pastaj të jepet dënimi, mund të jetë edhe plagosje e rëndë, mund të mos jetë edhe plagosje”, ka insistuar mbrojtja vazhdimisht gjatë kundërshtimeve të saj deri në Gjykatën e Lartë. Më tej ajo vazhdon se Bixhdili ishte një punonjës i thjeshtë i kompleksit dhe organi i Procedurës sipas saj, nuk e ka provuar formën e bashkëpunimit me personat që u interesuan për rrëmbimin e Jan Prengës, apo që ekzekutuan porosinë.

“Nuk ka akte ekspertimi kompjuterik, përgjim apo transkript bisedash mes këtyre personave”, thuhet në argumentat e mbrojtjes, të cilat bindën gjyqtarët e lartë, për të prishur vendimin. Çështja në Apelin e Posaçëm do të rigjykohet për dyshen në fjalë por me një trupë tjetër gjyqësore.

Festim Bexhdili u me burgim të përjetshëm ndërsa Olsi Turja me 3 vite për veprën “Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës” kryer në bashkëpunim. Jan Prenga u rrëmbye në Kamëz, dyshohet pas një konflikti që vëllai i tij kishte me trafikantët shqiptarë të kokainës, pasi u akuzua se kishte përvetësuar një ngarkesë prej 283 kilogram kokainë në Britaninë e Madhe.

Në formë hakmarrje ndaj këtij veprimi gjykata thotë se me urdhër të Dritan Rexhepit , është marrë peng edhe 52-vjeçari i cili më pas ka ndërruar jetë si pasojë e rrahjes dhe keqtrajtimeve ndërsa trupi i tij ende nuk është gjetur.

 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco