Drejtorët e komanduar në arsimin para-universitar, përmes një konkursi në konflikt interesi Ministrja e Arsimit Ogerta Manastirliu në mes dhe djathtas, kreu i Grupit të PS, Blendi Çuçi

Drejtorët e komanduar në arsimin para-universitar, përmes një konkursi në konflikt interesi

12:25, 27/07/2024
A+ Aa A-

Thuajse të gjithë drejtorët e komanduar në 200 institucionet e arsimit para-universitar u shpallën fitues nëpërmjet një procedure në dukje fiktive dhe në kushtet e konfliktit të interesit. Komisioni, që i përzgjodhi, përbëhej nga bashkëpunëtorë apo vartës të tyre, shkruan INAMEDIA në investigimin më të fundit.

Më 13 dhjetor 2023, gjatë certifikimit nga Shkolla e Drejtorëve të 240 mësuesve, që kishin marrë pjesë në programin e trajnimit për drejtues të shkollave të arsimit para-universitar, ministrja e Arsimit dhe e Sporteve njoftoi hapjen e thirrjes për pozicione drejtuese në 200 shkolla të mesme dhe 9-vjeçare në të gjithë vendin – proces konkurrimi, që u zhvillua bazuar në një udhëzim, që vetë ministrja, Ogerta Manastirliu, e kishte nxjerrë në nëntor.

“Ftohen që të aplikojnë edhe drejtuesit e komanduar, aktualë, edhe ata aspirantë, për të patur më të mirët në krye të shkollave tona”, – deklaroi ministrja, sipas së cilës “ky program kualifikimi (Shkolla e Drejtorëve) i jepte fund praktikave abuzive, kur mësuesit dhe drejtorët e shkollave i zgjidhte partia dhe miku”.

Mirëpo të dhënat e siguruara nga INA Media nëpërmjet kërkesave për informim, nga vëzhgimi në terren, si dhe nga burime të hapura, sugjerojnë se procesi për përzgjedhjen dhe emërimin e drejtorëve në këto 200 shkolla ishte në dukje një farsë.

Qindra drejtorë të komanduar, të caktuar më parë nga Zyrat Arsimore, u emëruan përfundimisht në pozicionet që i gëzonin de facto, në konkurset e zhvilluara gjatë muajve janar dhe shkurt. Certifikimi i tyre u bë edhe nëpërmjet një komisioni vlerësimi, që përbëhej nga bashkëpunëtorët, kolegët apo vartësit e tyre.

Kryetari i Sindikatës së Pavarur të Arsimit Shqiptar (SPASH), Nevrus Kaptelli, shpreh keqardhje për mosrespektimin e rregullave të përcaktuara në udhëzimin përkatës, si dhe konstaton konfliktin e interesit mes drejtorëve të komanduar dhe disa prej anëtarëve të komisionit të vlerësimit.

Për Nora Malajn, e cila ka mbajtur postin e zëvendësministres së Arsimit për periudhën 2009-2016, i gjithë procesi fsheh pas motive politike.

“Nëse portali bën një lloj frenimi në seleksionimin e mësuesve, këtu shumica janë njerëz politikë. Iu japin këtë formë benefiti, që, kur të vijnë zgjedhjet, të jenë të kujdesshëm”, – tha Malaj për INA Median.

Shkolla e Drejtorëve është hapur me anë të një vendimi qeverie në vitin 2018 dhe përcakton se, ata që janë drejtorë shkolle apo aspirantë për një pozicion të tillë, duhet ta ndjekin për një periudhë 9-mujore këtë shkollë. Sipas ministres së Arsimit, Ogerta Manastirliu, deri më tani rreth 800 drejtues aspirantë janë certifikuar për drejtorë shkolle.

Ministria e Arsimit dhe e Sportit, si dhe dy nga katër Drejtoritë Rajonale të Arsimit Para-universitar në vend, ajo e Durrësit dhe ajo e Fierit, refuzuan për rreth dy muaj të jepnin informacion lidhur me drejtorët e komanduar, të cilët ishin përzgjedhur si fitues. MAS u përgjigj për të dhënat e kërkuara, vetëm pas urdhërimit të Komisionerit për të Drejtën e Informimit pas ankesës së INA Medias. Ministria dërgoi listën e drejtorëve të komanduar për DRAP, Durrës dhe Fier, të cilat nuk kthyen përgjigje. Në vijim, DRAP, Fier ktheu përgjigje, në të cilën konstatohen mospërputhje me të dhënat e dërguara nga Ministria e Arsimit dhe e Sportit.

Konflikti i interesit

Udhëzimi nr. 22, datë 13 nëntor 2023, i ministres Manastirliu përcakton se, komisioni i shqyrtimit dhe i vlerësimit të dokumentacionit të aplikimit të kandidatëve për drejtorë në institucionet e arsimit para-universitar përbëhet nga individë, që kanë pasur marrëdhënie pune të përhershme ose varësie me drejtorët e komanduar, të cilët u ftuan të ishin pjesë e konkursit. Komisioni përbëhet nga një përfaqësues i Njësisë Vendore; një përfaqësues i Zyrës Vendore, Arsimore; nga kryetari i Bordit të shkollës; kryetari i Këshillit të prindërve të shkollës; si dhe nga dy mësues të shkollës, të përzgjedhur nga Këshilli i mësuesve.

Ky komision kreu vlerësimin e kandidatëve në fazën e parë të konkursit, duke shqyrtuar dosjen e secilit prej tyre, si dhe duke i intervistuar. Në përfundim, komisionet njoftuan në ambientet e shkollave renditjen e kandidatëve, sipas vlerësimit që kishin kryer.

Në udhëzimin e ministres përcaktohet se anëtarët e komisionit nuk duhet të jenë në konflikt interesi me aplikantin. Çdo kandidat, përfshi edhe drejtorët e komanduar, që morën pjesë në këtë konkurs, nënshkruan mungesën e konfliktit të interesit. Deklaratën për mungesën e konfliktit të interesit e nënshkruan bazuar në përcaktimet e udhëzimit të ministres dhe të shtojcave bashkëngjitur edhe anëtarët e komisioneve.

Përcaktimet e urdhrit nr. 31, datë 28 janar 2020, të ministres së Arsimit, Sportit dhe Rinisë, Besa Shahini, “Për miratimin e rregullores për funksionimin e institucioneve arsimore, para-universitare në Republikën e Shqipërisë”, duket se evidentojnë qartë indiciet e konfliktit të interesit mes drejtorëve të komanduar me anëtarët e komisionit në këtë procedurë konkurrimi.

Në nenin 42 të kësaj rregulloreje përcaktohen detyrat e drejtorit, ku përfshihen marrëdhëniet e punës me zyrat arsimore dhe me institucionet publike ose private. Po ashtu, parashikohet që të bashkëpunojë më Këshillin e prindërve, ndërkohë që kryetari i këtij Këshilli ishte anëtar i komisionit.

Një tjetër detyrë, që rregullorja i ngarkon drejtorit të shkollës, është edhe bashkëpunimi me Këshillin e mësuesve, që, sipas udhëzimit të Manastirliut, përzgjedh dy mësues si anëtarë të komisionit, të cilët kanë vlerësuar dhe kanë intervistuar mes aspirantëve, edhe eprorët e tyre, drejtorët e komanduar. Këta të fundit thuajse në gjitha rastet u renditën të parët, me diferenca të dukshme nga konkurrentët e tjerë.

Kryetari i SPASH, Nevrus Kaptelli, shpjegon se sindikata ka struktura në çdo Zyrë Arsimore në vend dhe çdo kryetar i degëve në rrethe është ngarkuar për të marrë pjesë në komisionet e shqyrtimit dhe të vlerësimit të dokumentacionit të kandidatëve për pozicionin e drejtorit dhe nëndrejtorit me qëllim monitorimin e procesit, edhe pse janë pa të drejtë vote.

“Për të shmangur pjesëmarrjen e përfaqësueseve të sindikatës në monitorimin e procesit, brenda një dite, në të njëjtën orë, në ambiente të ndryshme organizohen disa konkurse njëkohësisht”, – evidenton Kaptelli pamundësinë që i është krijuar sindikatës për ta monitoruar procesin.

Kaptelli konstaton edhe konfliktin e interesit mes drejtorëve të komanduar dhe disa prej anëtarëve të komisionit të vlerësimit. Megjithatë, Ministria e Arsimit nuk e sheh ketë konflikt interesi brenda komisionit, që zgjodhi drejtorët e rinj të shkollave.

“Në procedurat e zhvilluara për zgjedhjen e drejtorit të institucioneve arsimore nuk është evidentuar asnjë kandidat (konkurrent), si pjesë e rrethit të personave të sipërpërmendur me një prej anëtarëve të komisionit”, – thotë Ministria e Arsimit, duke cituar ligjin e vitit 2005 për parandalimin e konfliktit të interesit.

Fitues, drejtorët e komanduar

Sipas udhëzimit të Manastirliut, kandidatët aspirantë për drejtorë duhet të zotërojë kategorinë “Mësues i Kualifikuar”, që është kategoria e mësuesit fillestar (nga tri kategori gjithsej) dhe korrespondon me 5 vite punë në sistemin arsimor.

Ekspertët e konsiderojnë krejt të pamjaftueshme një eksperiencë të tillë. Ata sugjerojnë se një drejtues shkolle duhet të zgjidhet në bazë të performancës dhe jo në bazë të një shkolle, duke iu referuar Shkollës së Drejtorëve.

“Drejtor shkolle nuk të bën shkolla, drejtues dhe menaxher të mirë të bëjnë disa aftësi të tjera, që ne s`i kemi fare”, – thotë Ndriçim Mehmeti, ekspert i arsimit.

“Nuk mund të bëhet drejtor dikush që sapo ka hyrë në sistem apo që ka 5 vite në arsim. Duhet të kesh së paku 15 vjet në arsim dhe ta njohësh arsimin, – argumenton Nora Malaj. – Duhen parë disa kritere, që lidhen me performancën. Këta i fusin nga Shkolla e Drejtorëve, paguajnë nga 1.5 milionë lekë (të vjetra) për kualifikimin dhe ua japin pastaj postin, sikur janë të detyruar”, – thotë më tej Malaj.

Konkurrimi për pozicionin e drejtorit në këto 200 shkolla u nda në dy faza. Në të parën vlerësimi dhe intervistat e kandidatëve u zhvilluan nga një komision, ku disa prej anëtarëve ishin në varësi, në marrëdhënie pune ose bashkëpunimi me drejtorët e komanduar.

Në fazën e dytë dy kandidatët e renditur të parët prej komisionit paraqiteshin pranë Drejtorive Rajonale të Arsimit Para-universitar për intervistë dhe ishte ky institucion që vuloste fituesin. Thuajse në të gjitha rastet DRAP-të kanë ligjëruar drejtorët e komanduar. Ndërkohë, në rastet kur DRSP-të kanë përmbysur rezultatin e komisionit, rezulton se drejtorët e komanduar kanë pasur më pak pikë se rivali, duke emëruar kështu atë kandidat, që kishte qenë më parë i caktuar prej Zyrave Arsimore.

Sipas të dhënave të vendosura në dispozicion nga Ministria e Arsimit dhe e Sportit, nga 73 shkolla në varësi të DRAP, Durrës, që iu nënshtruan konkursit, në 60 është përfunduar procesi. Në 53 prej këtyre shkollave janë rikonfirmuar si fitues drejtorët e komanduar ose 88% e tyre. Nga qindra aspirantët e tjerë, që konkurruan, kanë arritur që të fitojnë vetëm shtatë, që përbëjnë afro 12% të të përzgjedhurve në shkollat e DRAP, Durrës. Ndërkohë, në 13 shkollat, në të cilat nuk është përmbyllur procesi, vijojnë të jenë drejtorët e komanduar. Në varësi të DRAP, Durrës, janë Zyrat Vendore, Arsimore të Durrësit, të Kamzës, të Kavajës, të Matit, të Vorës, të Klosit, të Krujës, të Dibrës, të Bulqizës, të Shijakut dhe të Rrogozhinës.

Në juridiksionin e Zyrës Vendore, Arsimore, Tiranë, drejtorët e komanduar u klasifikuan fitues në 93% të rasteve. Në pesë shkollat e Kamzës; në gjashtë shkollat e Kavajës; në tri shkollat e Matit; në një shkollë të Vorës dhe në një shkollë të Klosit, në të gjitha rastet, pra 100%, janë zgjedhur fitues drejtorët e komanduar.

Në juridiksionin e DRAP, Fier iu nënshtruan procesit të konkurrimit 40 shkolla të ZVA-ve Fier, Lushnjë, Divjakë, Mallakastër, Patos, Vlorë-Himarë, Tepelenë-Memaliaj, Roskovec, Sarandë-Konispol-Delvinë, Gjirokastër-Libohovë, Përmet-Këlcyrë dhe Finiq-Dropull, nga të cilat ka përfunduar procesi në 18 prej tyre.

Sipas të dhënave të dërguara nga Ministria e Arsimit dhe e Sportit (MAS), në tetë prej këtyre shkollave janë shpallur fitues tetë drejtorë të komanduar ose 44.4%, ndërsa 10 pozicione janë fituar nga rivalët e tyre, që përbëjnë 55.6% të të gjitha vendeve të hapura për konkurs.

Por, referuar përgjigjes së DRAP, Fier, konstatohen të dhëna kontradiktore me ato të servirura prej MAS. Sipas një tabele, që kjo drejtori vendosi në dispozicion, rezulton se janë certifikuar 12 drejtorë të komanduar ose 66% të të përzgjedhurve, prej nga mbeten 6 drejtorë të rinj, duke përmbysur të dhënat e dërguara nga ministria.

Në një përgjigje për koment për INA Median, Ministria e Arsimit mohon të ketë mospërputhje të dhënash.

“Të dhënat e përcjella nga Ministria e Arsimit dhe e Sportit dhe nga Drejtoria Rajonale e Arsimit Para-universitar, Fier janë të njëjta”, – thotë MAS, pa tentuar që t`i verifikojë pasaktësitë.

DRAP, Korçë i vendosi në dispozicion të dhënat e kërkuara lidhur me drejtorët e komanduar, të shpallur fitues pas një ankese që INA Media i drejtoi Komisionerit për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale. Në varësinë e kësaj Drejtorie Rajonale është Zyra Vendore, Arsimore e Elbasanit, e Korçës, e Beratit, e Belshit, e Cërrikut, e Kuçovës, e Maliqit, e Dimalit, e Gramshit, e Pogradecit, e Devollit dhe e Skraparit.

Sipas të dhënave të vendosura në dispozicion, nga 55 shkolla, që kanë hapur konkurse për drejtorët e rinj, në 90% të rasteve janë përzgjedhur fitues drejtorët e komanduar.

Konkretisht, në dy shkollat e Belshit, në katër shkollat e Beratit, në tri shkollat në Cërrik, në pesë shkollat në Kuçovë, në katër shkollat e Maliqit dhe në një shkollë në Librazhd, janë shpallur fitues vetëm drejtorët e komanduar.

Në Dimal ka përfunduar procesi në tri prej katër shkollave dhe në të tria janë shpallur fitues tre të komanduarit; në 10 nga 12 shkollat e Elbasanit, që iu nënshtruan procesit, janë shpallur fitues drejtorët e komanduar; në Gramsh, nga tri shkolla është përfunduar procesi në dy dhe në një prej tyre është shpallur fitues i komanduari; në Korçë-Pustec është zhvilluar konkursi në gjashtë shkolla, ku në pesë prej tyre është shpallur fitues i komanduari; në Përrenjas është përfunduar procesi në dy prej tri shkollave, ku u zhvillua konkursi, ku në të dy rastet janë zgjedhur fitues të komanduarit; në Pogradec ka përfunduar procesi në katër prej pesë shkollave dhe janë përzgjedhur katër drejtorët e komanduar; në Devoll ka fituar një tjetër kandidat dhe jo i komanduari.

Në dy shkollat e Skraparit nuk është arritur të përfundohet procesi.

Përgjigje u dërgua edhe nga DRAP, Lezhë, ku u përfshinë në proces konkurrimi 32 shkolla dhe u përfundua ky proces vetëm në gjysmën e tyre. DRAP, Lezhë shprehet se në 16 shkolla dështoi të

kryhej procesi për mungesë të garës. Sipas të dhënave të dërguara nga ky institucion, në 10 shkollat, ku u përmbyll konkursi, u zgjodhën drejtorët e komanduar ose 62.5% e fituesve, ndërsa në gjashtë fituan pozicionin e drejtorit kandidatë të rinj, të cilët zënë 37.5%.

Ndërkohë, vijojnë konkurrimet për pozicionin e drejtorit në Institucionet e Arsimit Para-universitar, bazuar në udhëzimin e nëntorit të ministres Manastirliu. DRAP, Durrës, ka shpallur më 26 qershor procedurën e konkurrimit për dy shkolla të tjera në Tiranë, që nuk ishin pjesë e listës së thirrjes së parë. Sipas shpalljes, aplikantët për drejtor duhet që ta dorëzonin dokumentacionin e kërkuar brenda datës 5 korrik.

Proces fiktiv?

Numri i lartë i drejtorëve të komanduar, të përzgjedhur si fitues, tregon se konkurrimi thuajse në të gjitha rastet është në dukje fiktiv, duke ligjëruar emërimin përfundimtar të atyre që ishin të caktuar më parë prej Zyrave Arsimore.

Kryetari i Sindikatës së Pavarur të Arsimit Shqiptar (SPASH), Nevrus Kaptelli, ngre pikëpyetje mbi mënyrën e zhvillimit të këtij procesi konkurrimi.

“Edhe në rastet kur konkursin e ka fituar një mësues tjetër, nuk është zbatuar udhëzimi dhe nuk është vendosur në drejtimin e institucionit arsimor, publik mësuesi fitues: rast konkret, Naxhie Lleshi në Fier. Ka patur raste që mësuesve të interesuar për të konkurruar për drejtor shkolle “rastësisht” iu ka humbur dosja në ZVA dhe kanë humbur të drejtën e konkurrimit ose janë vendosur nëndrejtorë shkolle, edhe persona që nuk janë mësues, si në rastin e shkollës Ardian Klosi në Tiranë”, – tha Kaptelli për INA Median.

Mësuesja Naxhie Lleshi nuk iu përgjigj pyetjes për koment që INA Media i drejtoi lidhur me rrethanat e denoncuara nga Kaptelli.

Duke iu referuar këtij rasti, ministria e Arsimit dhe e Sportit thotë se procesi i zgjedhjes së drejtorit në këtë shkollë është anuluar, pasi është dorëhequr kandidati i dytë në garë.

“Në mungesë të kandidatit të dytë, DRAP, Fier, me shkresën me nr. 257/4 prot., datë 11.03.2024, ka anuluar procesin e zgjedhjes së drejtorit të shkollës 9-vjeçare Pinellopi Pirro”, – sqaron Ministria e Arsimit.

Sa i përket rastit të shkollës Ardian Klosi, Ministria e Arsimit thotë se drejtuesi i këtij institucioni “zotëron diplomë konform përcaktimeve ligjore, si dhe është certifikuar pas zhvillimit të trajnimit të detyrueshëm, përgatitor në Shkollën e Drejtorëve për drejtimin e institucionit arsimor”.

Të dhënat e vendosura në dispozicion nga vetë institucionet arsimore dëshmojnë se në disa shkolla një drejtor ka qëndruar i komanduar deri në 6-7 apo 8 vite.

“Komandimi bëhet për 6 muaj, jo për 100 vite”, – thotë Ndriçim Mehmeti.

Për Nora Malajn kjo, jo vetëm është në tejkalim të ligjit, por dëshmon se si mësuesit mbahen nën presion me emërimin përfundimtar.

Vetëm në qarkun e Fierit 14 drejtorë ishin të komanduar në këtë pozicion prej më shumë se 5 vitesh, ndërsa në një rast në Mallakastër një drejtor shkolle ishte i komanduar prej një dekade, që prej vitit 2014 dhe vetëm në vitin 2024 mori emërimin.

“Një drejtor i komanduar prej kaq kohësh është si puna e zemrës dhe duhet bërë bypass. Pra, ti e mban nën presionin e emërimit jo të përhershëm dhe mund ta përdorësh si të duash”, – thotë Malaj.

Sipas saj, “ligjërisht pozicioni drejtor i komanduar nuk lejohet dhe është mbi kompetencën e ligjit”, por ajo shpjegon se në raste specifike mund të aplikohet drejtori i komanduar me një udhëzim në fillim të vitit shkollor,

“Për shembull, në një shkollë të braktisur apo me klasa të bashkuara, kur nuk shkon njeri, ti komandon mësuesin më të vjetër”.

Ndërkohë, Mehmeti ngre pikëpyetje për cilësinë e kandidatëve, që kanë dalë nga Shkolla e Drejtorëve.

“Ata janë gjysma jashtë ligjit. Emërimi duhet bërë në bazë të performancës së shkollës ku kanë qenë, cila ka qenë ecuria e tyre, në të kundërt do të përballemi me raste të ngjashme si ai i Durrësit, ku drejtori na doli shpërndarës”, – thotë Mehmeti, duke sqaruar se rasti i Durrësit ndiqte Shkollën e Drejtorëve.

Duke iu referuar listës së kandidatëve për drejtorë, të vënë në dispozicion nga MAS, vihet re se në disa shkolla, madje edhe periferike, ka patur deri në 15 kandidatë për postin e drejtorit.

Për ekspertët ky është një tjetër tregues për konkurs fiktiv, por që e bën edhe qesharak procesin.

“Konkursi me 15 veta është absurd, jo çdokush mund të bëhet titullar. Së pari, ta bësh atë garë me 15 veta, do të thotë se nuk ke përcaktuar kriteret qartë dhe, së dyti, tregon se është një garë qesharake, prish gjithë procesin dhe nuk ka cilësi”, – thotë Malaj.

Për ekspertët shkollat kanë nevojë të menaxhohen mirë dhe të jenë në shërbim të komunitetit, ndaj roli i një drejtori shkolle duhet parë në shumë dimensione.

“Duhen parë rezultatet e tij/saj dhe këtu e kam fjalën, jo vetëm për olimpiadat, por edhe për nisma sociale, siç është shkolla qendër komunitare, për t`i kthyer fëmijët në qytetarë. Në të kundërt, këto janë, hajt t’i emërojmë, se kemi zgjedhjet përpara”, – përfundon Malaj.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco