Berisha: Rama-Zoto vodhën milionat për landfillin e Vlorës! Të vazhdojmë betejën për t’i dhënë opozitës fitoren

21:26, 26/07/2024
A+ Aa A-

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha gjatë fjalës në tubimin qytetar, ka akuzuar kryeministrin Edi Rama, se krimi mjedisor që po ndodh në Vlorë me djegien e plehrave është vepër tërësore e korrupsionit të tij.

‘Ky krim makabër mjedisor që kërcënon shëndetin e të gjithë banorëve dhe pushuesve e turistëve në zonë, është vepër tërësore e korrupsionit të Edi Ramës. Do të doja të akuzoja me këtë rast bashkinë e Vlorës, por mund të them se ajo ndoshta ka kryer krimin e shëmtuar dhe i ka vënë flakë mbi gjysmë milion tonelata plehra të grumbulluara’, u shpreh Berisha.

Lideri historik i opozitës, Sali Berisha ka vijuar më tej me akuzat në drejtim të kryeministrit Edi Rama në lidhje me masakrën mjedisore në Vlorë. ‘Rama vodhi me Klodian Zoton e tij milionat e parashikuara për landfillin e plehrave’, theksoi Berisha.

Kryetari i partisë Demokratike, Sali Berisha është ndalur edhe te korrupsioni me tunelin e Llogarasë, duke denoncuar qeverinë se me 180 milionë euro do kishte zgjidhur shumë probleme që shqetësojnë qytetarët nga Vlora në Sarandë.

‘Me 180 mln eurot e tunelit të Llogarasë ishte zgjidhur problemi i ujit të pijshëm, i ujërave të zeza dhe mbetjeve nga Vlora në Sarandë’, nënvizoi Berisha gjatë fjalës së tij.

Kryedemokrati Sali Berisha ka denoncuar dështimin e turizmit shqiptarë gjatë këtij sezoni. Sipas Berishës, ‘çadrat dhe shezllonet janë bosh, por Rama shpenzon 130 milionë euro për një aeroport që do marrë paratë e shqiptarëve’.

Sali Berisha i ka bërë ftesë të gjithë qytetarëve që të vazhdojnë betejën dhe aksionin opozitar për t’i dhënë Shqipërisë demokracinë. ‘U ftoj të vazhdojmë betejën për t’i dhënë Shqipërisë demokracinë, shqiptarëve votën e lirë, opozitës fitoren’, u shpreh Berisha në fund të fjalës së tij gjatë protestës maratonë te ‘Rruga e Shpresës’.

FJALA E PLOTE:

Mirëmbrëma dhe përshëndetjet më të përzemërta, mirënjohjen më të pakufishme ndaj jush qëndrestareve dhe qëndrestarëve të pamposhtur, misionarëve të kauzës së drejtë të ëdo shqiptari.

Ju falënderoj nga zemra ju, oratorët e kësaj platforme që përcjellin të vërtetat me fjalën e tyre në të katër anët e vendit.

Miqtë e mi, në qoftë se sot keni ndjekur televizionet, keni parë Vlorën të shndërruar prej dy ditësh në një qytet të botës së katërt.

Vlora në kulmin e sezonit turistik ka dy ditë e mbuluar nga bloza, helmet, tymi i djegies në natyrë të qindra mijëra ton plehrash.

Djegie që shpërndan helm, toksina nga më të rrezikshmet për shëndetin e njerëzve në të gjithë zonën turistike të Vlorës, nga Zvërneci në Orikum.

Ky krim makabër mjedisor që kërcënon shëndetin e të gjithë banorëve dhe pushuesve e turistëve në zonë, është vepër tërësore e korrupsionit të Edi Ramës.

Do të doja të akuzoja me këtë rast bashkinë e Vlorës, por mund të them se ajo ndoshta ka kryer krimin e shëmtuar dhe i ka vënë flakë mbi gjysmë milion tonelata plehra të grumbulluara.

Por, Vlora përjeton këtë dramë mjedisore sepse landfilli i ri i Vlorës, i financuar prej 20 milionë eurosh njëlloj si djegësi i Tiranës nuk ekziston.

Njëlloj si djegësi i Tiranës është sipërmarrje e Edi Ramës, me emër të Klodian Zotos.

Edi Rama, pasi firmosi për të tre inceneratorët, njëri prej të cilëve nuk ka as themele, dy të tjerë nuk punojnë, vendosi të shtrijë kthetrat e tij të zeza edhe në landfillin e ri të Vlorës dhe ia vari strajcën në qafë Klodian Zotos.

Sepse me Klodianin ai vodhi me Erion Veliajn 136 milionë euro të djegësit të Tiranës.

Vodhi 40 milionë euro të djegësit të Fierit që nuk funksionon.

Vodhi 28 milionë euro të llamarinës së Elbasanit që nuk funksionon.

Po nuk kishte për Edi Ramën emër më të dashur, më të besuar për të vjedhur se sa Klodian Zoton dhe i dha atij landfillin e Vlorës me 20 milionë euro.

Miqtë e mi, së bashku kemi denoncuar me dhjetëra e qindra herë shndërrimin e pasurive publike, shndërrimin e pasurive natyrore në mallkim për qytetarët shqiptarë.

Të ndërtosh tunelin e Llogarasë 180 milionë euro për një zonë e cila në 9 muaj të vitit nuk ka as 3 mijë banorë nga Palasa në Himarë dhe në kulmin e sezonit turistik, sipas shtretërve, arrin maksimumin në 12 deri në 15 mijë banorë për një periudhë dymujore, do të thotë të investosh për një banor 60 mijë banorë.

Do të thotë të investosh për një shtrat turistik 45 mijë euro.

Do të thotë të investosh për banorë e turistë të marrë bashkë në dy muaj 15 mijë euro.

Miqtë e mi, kjo është një vepër ndër më kriminalet, të cilën nuk do ta ndërmerrte kush.

Një njeri që i thotë ekonomisë, ekonomi. Një njeri që e di se nuk investohen kurrë në infrastrukturë 60 mijë euro për banor se nuk mund të investohen kurrë për turizëm 45 mijë euro për shtrat turistik.

Po e gjitha kjo bëhet vetëm e vetëm për të vjedhur, për të vjedhur dhe për të vjedhur.

Dokumentet tregojnë se në tenderime u vodhën së paku 40 milionë euro.

Po Vlora nuk ka landfillin e plehrave. Por Vlora, Durrësi dhe i gjithë bregu në Shqipëri, ujërat e zeza i derdhin në det sepse nuk paguajnë energjinë për impiantet e përpunimit të tyre.

Ndaj dhe turizmi i Shqipërisë është turizmi i një vendi me 400 kilometra breg dhe asnjë flamur blu nga Buna te Kepi i Stillës.

Sepse nuk lejon vjedhja, nuk lejon korrupsioni.

Miqtë e mi, me 180 milionë eurot e tunelit të Llogarasë furnizohej Vlora me 24 orë ujë, Himara, Saranda, Ksamili, Delvina, të gjitha me 24 orë ujë.

Trajtoheshin të gjitha ujërat e zeza të tyre, mbetjet e tyre.

Por investimi për Edi Ramën ndjek aty ku ai vjedh më shumë.

Ndaj dhe ka ndërtuar tunelin unik në botë që nuk ka zyrtar në planet që mund të bëjë një shpërdorim të tillë.

Të dashur miq, jemi prapë te turizmi, si një pasuri përrallore mallkim për qytetarët.

Po miqtë e mi, sepse qytetari shqiptar ka përfituar nga taksa e fjetjes gjithsej 4 dollarë për frymë.

Por ka shpenzuar për turizmin në infrastrukturën e bajlozëve të zi strategjikë të Edi Ramës 430 milionë euro në vit.

Ka shpenzuar 215 dollarë për frymë nga vetëm 4 që ka përfituar.

Ndaj çdo ditë dhe më shumë zhyten në varfëri shqiptarët.

Le t’i kthehemi pak aeroportit më të madh të Ballkanit të Belindës dhe Edi Ramës, aeroportit të Vlorës.

Krimi më i shëmtuar.

Miqtë e mi, shkoni bregut dhe shihni çadrat bosh, shezllonget bosh nga 15 qershori gjer sot.

Çdo shqiptar duhet ta dijë se kontrata e Edi Ramës detyron shtetin t’i paguajë koncesionarit çdo biletë që është nën 600 mijë pasagjerë në vit.

A e kuptoni ju apo jo, në kulmin e sezonit, shtretërit janë bosh, shezlonget janë bosh dhe Edi Rama firmos kontrata të tilla për të gjobitur në mënyrë të tmerrshme shqiptarët.

Nuk ka njeri në botë që krijon një gjobë të tillë për qytetarët e tij.

Miq, këta injorantë të paskrupullt që i ka verbuar dhe i ka çmendur vjedhja, i bien gjoksit se aeroporti i Vlorës do jetë më i madhi në Ballkan.

Ku i ke Belinda turistët ti? Ku janë, hajdute e pacipë me Edi Ramën?

Paratë e kujt janë këto? Paratë tuaja o hajdutë që veproni në këtë mënyrë me shqiptarët.

Po çdo njeri, në çdo vend të botës do ndërtonte një aeroport në zonë turistike, fillimisht do ndërtonte një të tretën e kapacitetit të tij dhe kur të plotësohej me pasagjerë ajo e tretë, do të shtonte edhe një të tretë. Dhe kur të plotësohej ajo një e tretë, do shtonte një të tretë tjetër.

Po jo të investojë 130 milionë euro me pretendimin se vitin e parë do marrë 600 mijë turistë në një kohë kur Vlora nuk merr në tre vite 600 mijë turistë.

Ndaj u ftoj miqtë e mi të vazhdojmë këtë betejë për t’ia kthyer shqiptarëve në mirësi dhe pasuri potencialin e jashtëzakonshëm të turizmit shqiptar.

Pasuritë përrallore të këtij vendi.

Për të begatuar, prosperuar shqiptarët.

Për të rritur rrogat e tyre, për të dyfishuar rrogat, për të dyfishuar pensionet.

Për të organizuar shërbimin shëndetësor ndaj tyre që të mjekohen me ilaçe të vërteta dhe jo me kallp ilaçe që mblidhen nëpër depot e botës.

Për t’i dhënë Shqipërisë demokracinë, shqiptarëve votën e lirë, opozitës fitoren, fitoren e merituar.

Rrofshi ju, rroftë Shqipëria.

Fitore, fitore, fitore!

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco