Çupi: Në 11 vite të qeverisë Rama, ligjet me porosi, praktikë normale! SPAK duhet t'i kishte hetuar

Çupi: Në 11 vite të qeverisë Rama, ligjet me porosi, praktikë normale! SPAK duhet t'i kishte hetuar

20:17, 26/07/2024
A+ Aa A-

Deputetja e PD-së, Dhurata Çupi ka akuzuar qeverisjen 11 vjeçare të Edi Ramës, se ka prodhuar ligje me porosi, gjë e cila u shndërruan në një praktikë normale të punës së Parlamentit.

Sipas Çupit, përfituesit kryesorë të këtyre ligjeve janë oligarkët financues të Partisë Socialiste dhe funksionarëve të saj, njerëz të afërt me ministrat, deputetët a kryebashkiakët dhe në jo pak raste edhe kompanitë e vetë këtyre qeveritarëve, të fshehur nën emra të tjerë.

Deputetja demokrate theksoi se të gjitha këto raste janë në shkelje të Kushtetutës dhe ligjit, dhe duhet të ishin hetuar nga SPAK për korrupsion pasiv të funksionarëve të lartë shtetërore, shpërdorim detyre dhe konflikt interesi.

Postimi i plotë: 

Sot nê Parlament

Në 11 vite të qeverisjes së Edi Ramës, ligjet me porosi, shpeshherë edhe me emra nominalë, u shndërruan në një praktikë normale të punës së këtij Parlamenti. Pas këtyre ligjeve qëndronin gjithnjë oligarkë, financues të Partisë Socialiste dhe funksionarëve të saj, njerëz të afërt me ministrat, deputetët a kryebashkiakët dhe në jo pak raste edhe kompanitë e vetë këtyre qeveritarëve, të fshehur nën emra të tjerë. Pa përjashtim të gjitha këto raste janë në shkelje të Kushtetutës dhe ligjit, dhe duhet të ishin hetuar nga Struktura e Posacme Antikorrupsion për korrupsion pasiv të funksionarëve të lartë shtetërore, shpërdorim detyre dhe konflikt interesi.

Ne, si deputetë të opozitës, kemi bërë sa kemi mundur. I kemi denoncuar në komisionet parlamentare, kemi ngritur zërin në seancat plenare, kemi folur në studio televizive, kemi bërë deklarata publike nga selia e partisë, kemi protestuar në rrugë dhe kemi dorëzuar me qindra kallëzime në SPAK. Por, fatkeqësisht nuk kemi arritur t’i ndalim. Mazhoranca socialiste me forcën e kartonit dhe me pushtetin e madh të parasë ia ka dalë t’i cojë përpara këto ligje, dhe disa prej zyrtarëve më të lartë të kësaj qeverie, përfshirë ministra, deputetë, kryebashkiakë, sekretarë të përgjithshëm e drejtorë ndodhen sot në dyert e SPAK-ut për të dhënë llogari. Por, dëmi është bërë. Paratë e shqiptarëve janë grabitur dhe një Zot e di se ku kanë përfunduar, ndërkohë që ato janë përdorur masivisht për të blerë e manipuluar zgjedhjet që garantojnë pushtetin e Edi Ramës dhe Partisë Socialiste.

Megjithëse, sot që flasim katër ministra, njëri prej të cilëve zv.kryeministër, 5 deputetë dhe 14 kryetarë bashkish janë dënuar ose janë të pandehur për korrupsion të lartë, shpërdorim detyre, përfshirje në grupe të strukturuara kriminale, Edi Rama nuk ka hequr dorë nga praktika korruptive e ligjeve me porosi. Dy të tilla shqyrtohen pikërisht ditën e sotme dhe kanë të bëjnë me projektligjin për prodhimin, tregtimin, kërkim dhe zhvillimin e armëve dhe municioneve, si dhe krijimin e shoqërisë shtetërore “KAYO” sh.a., që do të merret pikërisht me prodhim dhe tregtim të armëve në bashkëpunim me subjekte private.

Abuzimi dhe korrupsioni duken që nga procedura që u ndoq për shqyrtimin dhe miratimin e këtyre projektligjeve. Megjithëse, sot Shqipëria nuk po kalon asnjë situatë emergjente apo të jashtëzakonshme që mund të impononte miratimin e ligjeve me procedurë të përshpejtuar, pa ndonjë arsye apo justifikim të qenësishëm mazhoranca socialiste vendosi që dy projektligjeve të sjella në Parlament në datën 10 korrik 2024, të kalonin për miratim në seancë plenare në datën 26 korrik 2024, ditën e sotme pra, me procedurë të përshpejtuar. Madje, përpara se të miratohej dhe hynte në fuqi kuadri ligjor bazë për prodhim dhe tregtim të armëve, do të miratohet krijimi i shoqërisë shtetërore që do të merret me këtë aktivitet.

Por, edhe sot që flasim është e paqartë arsyeja apo arsyet që kanë nxitur qeverinë shqiptare për miratimin e këtij kuadri ligjor. Në relacionin shoqërues përmenden furnizimi i Forcave tona të Armatosura dhe zhvillimi ekonomik i vendit. Por, nuk jepet asnjë e dhënë se sa janë nevojat reale që kanë Forcat tona të Armatosura për armatime, se po e marrim të mirëqenë që kanë, dhe pse këto nevoja nuk plotësohen dot me rezervat e municionit që Shqipëria ka trashëguar apo blerë vitet e fundit. Nuk thuhet në fakt në asnjë rresht nëse ka pasur shprehje interesi nga ndonjë subjekt privat apo se si do të ndikojë kjo veprimtari në zhvillimin e vendit. Asnjë fjalë nuk thuhet edhe se si këto subjekte tona private do të shesin në tregjet ndërkombëtare, kur dihet se të pretendosh që industria jonë ushtarake do të konkurrojë me vendet e BE-së, Turqisë, SHBA-ve sa i përket prodhimit dhe tregtimit të armëve, është shumë absurde dhe e pabesueshme për këdo me mendje racionale.

Projektligji ka parashikuar mundësinë që subjekte private të licencohen për të kryer veprimtari për prodhimin, tregtimin, kërkimin dhe zhvillimin e armëve dhe municioneve ushtarake, por cuditërisht nuk gjendet asnjë kriter, sepse ato i janë lënë qeverisë që t’i rregullojë me akte nënligjore. Kjo nuk është aspak e paqëllimshme, por me qëllim të qartë që kriteret të hartohen në një kohë të dytë “sur mesure” për ato subjekte që porositësit e miratimit të këtij ligji. Sepse qoftë nga mënyra e shqyrtimit dhe miratimit të këtij projektligji me shpejtësi, qoftë nga fakti se nuk duket që Shqipëria të ketë nevojë për një ligj të tillë, qoftë nga përfitimet që duan të garantojnë për subjektet private që përfshihen në këtë aktivitet, është e qartë se kemi të bëjmë me një ligj me porosi të oligarkëve të lidhur me pushtetin apo pushtetarët e fshehur nën maskën e biznesmenëve.
Porosia duket më qartë se kudo në projektligjin për krijimin e shoqërisë shtetërore që do të merret me prodhimin, tregtimin, kërkimin dhe zhvillimin e municioneve ushtarake.

Konkretisht:

1. Partneriteti publik privat: shoqëria shtetërore "KAYO" sh.a. ka të drejtë të hyjë në marrëveshje bashkëpunimi me subjekte privatë. Nga kjo marrëveshje subjekti privati do të përfitojë tatim fitim 5% për 5 vitet e para, TVSH 10%, përjashtim nga detyrimet doganore, procedura të përshpejtuara regjistrimi/licencimi, infrastrukturë mbështetëse (ujësjellës, rrugë, kanalizime, energji elektrike), fonde dhe grante mbështetëse. Në përzgjedhjen e këtij subjekti, shoqëria shtetërore ka liri të plotë dhe asnjë kriter ligjor të përcaktuar.

2. Transferimi i pasurisë shtetërore: projektligji parashikon që shoqërisë "KAYO" sh.a. do t'i transferohen pasuri shtetërore, të cilat mund të jepen me sipërmarrje, me qira, përdorim apo forma të tjera sipas Kodit Civil. Nisur nga problematika me përdorimin e pasurive shtetërore ushtarake (kujto rastet e ish-zonave ushtarake në bregdet), kjo dispozitë duket se i hap rrugë transferimit të pasurive ushtarake shtetërore private subjekteve private, por këtë herë jo nga ministria e Mbrojtjes drejtpërdrejtë, po duke përdorur këtë shoqëri.

3. Kostot: në relacionin shoqërues thuhet se kostot financiare në momentin e krijimit janë rreth 3 milionë euro. Asnjë e dhënë nuk jepet se ku konsistojnë këto kosto dhe ku qëndron leverdia ekonomike. Krahas kësaj shifre, jepet edhe një kosto prej 3.5 milionë euro për detyrimet e prapambetura të Uzinës së Lëndëve Plasëse, Uzina Mekanike Gramsh dhe Kombinatit Mekanik Poliçan. Edhe këto kosto mbeten të paqarta se ku konsistojnë, si do përdoren, cilat janë këto detyrime. Vetëm para pak kohësh Kuvendi miratoi një ligj për shlyerjen e pagave të prapambetura të Kombinatit të Poliçanit, ndërkohë që morëm vesh se Prokuroria e Beratit po hetonte drejtorin e këtij Kombinati për një sasi të madhe metali të vjedhur. A mund ta dimë se çfarë ka ndodhur me këto shoqëri? Pse janë lënë të degradojnë? Kujt po planifikoni t'ia jepni? Këto 3.5 milionë eurot detyrime të prapambetura çfarë janë paga, detyrime të tretëve? A do të përdoren për qëllime elektorale në 2025 se besoj unë ky është qëllimi kryesor?!

Mjafton kaq në fakt për të kuptuar se megjithëse nuk thuhet hapur, nën rreshta është e thënë qartë se subjektet private janë investuar pranë qeverisë për hartimin dhe miratimin e këtyre dy projektligjeve, me qëllim realizimin e fitimeve të mëdha ekonomike, ndërkohë që nuk duket të ketë asnjë lloj përfitimi as për Buxhetin e Shtetit, as për qytetarët dhe as për ekonominë e vendit. Ne sot, pavarësisht përkatësive tona politike, duhet ta ngrejmë fort zërin kundër këtyre dy projektligjeve. Ne nuk mund dhe nuk duhet të lejojmë që Kuvendi të përdoret si noter i ligjeve me porosi, kontratave korruptive, vjedhjes së parave të taksapaguesve shqiptarë, pasurimit të oligarkëve dhe qeveritarëve me ta.

Ne nuk mund të heshtim kur shohim se si qeveria dhe parlamenti vihen në dispozicion të interesave korruptive dhe mafioze që synojnë të mbushin xhepat duke vjedhur qytetarët shqiptarë, duke shkatërruar pasuritë publike të vendit tonë, duke vjedhur votat, besimin dhe të ardhmen e fëmijëve dhe të rinjve të Shqipërisë. Prandaj, sot është testi i të vërtetës dhe integritetit për këdo që ndodhet në këtë sallë. Sot ndahen ata që janë përfaqësues të krimit, korrupsionit dhe mafias, me ata që janë përfaqësues të qytetarëve të ndershëm të këtij vendi. Secili e ka vetë në dorë të bëjë zgjedhjen e tij. Për sa më takon, unë do të votoj kundër këtyre dy projektligjeve, ashtu si kolegët e mi, si mesazh i qartë që në këtë sallë jemi për t’i shërbyer dhe përfaqësuar qytetarët.
 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco