SYRI TV/ Fredi Beleri në administrative kundër presidentit, kundërshton dekretin për zgjedhjet në Himarë

18:03, 26/07/2024
A+ Aa A-

Gjykata Administrative ka kaluar në shqyrtim gjyqësor kërkesën e Fredi Belerit kundër dekretit të presidentit të republikës për mbajtjen e zgjedhjeve në Himarë. Avokatja e Belerit tha se klienti i saj ka kohë deri më 5 gusht të bëjë ankim ndaj vendimit të KQZ-së për heqje të mandatit. Dekreti tha Klodiana Gjyzari, ka firmosur dekret të paligjshëm mbi shkresën e sekretarit të Këshillit të Ministrave dhe jo të Këshillit të Ministrave. Ndërsa përfaqësuesit e Presidencës, thanë se kërkesë padia ka të meta në përmbajtje dhe s’është kompetencë e administratives për të shqyrtuar një çështje të tillë.

SYRI TV

Është zhvilluar këtë të premte në Gjykatën Administrative seanca lidhur me kërkesën e Fredi Belerit për të rrëzuar dekretin e Presidentit Bajram Begaj që i hapi rrugë mbajtjes së zgjedhjeve për kryetar Bashkie të Himarës më datën 4 gusht. Avokatja Klodiana Gjyzari, tha se se dekreti u nënshkrua kur ende nuk ishte bërë i ekzekutueshëm përfundimi i mandatit të Fredi Belerit pasi nuk ka kaluar të gjitha hallkat gjyqësore.

“Fredi Beleri ka mandat të vlefshëm dhe ka të drejtën e ankimit brenda afatit 30 ditor në KAS. Beleri ka afat deri në 5 gusht për të bërë ankim, dhe brenda këtij afati mund të bëjë ankim në çdo moment. Të vendoset sigurimi i padisë pasi nuk janë ezauruar të gjitha hallkat, për çështjen e zgjedhjeve. Nuk është zbatuar neni 10 i Kodit Zgjedhor, nuk janë kushtet dhe kriteret ligjore që Presidenti të shpallë zgjedhjet. Presidenti nuk është vënë në lëvizje nga një shkresë e Këshillit të Ministrave, por nga Sekretari i Këshillit të Ministrave. Nuk është kompetencë e këtij të fundit për të komunikuar me Presidentin e Republikës, por e kryeministrit. Presidenti është pozicion neutral dhe duhet të jetë mbi palët, nuk duhet ta kishte pranuar shkresën pa firmën e Kryeministrit”.

Por nga ana tjetër, përfaqësuesit e presidencës në seancë thanë se kërkesë padia ka të meta në përmbajtje dhe moskompetencë e Gjykatës Administrative për të shqyrtuar kërkesa të tilla.

 “Nuk është kjo gjykatë kompetente. Ky Dekret nuk është akt administrativ, por administrativ kolektive, që ju drejtohet të gjitha partive dhe personave. Personi i tretë nuk mund të jetë KQZ por partitë politike, kandidatët, ose partitë që kanë përfaqësuesit e tyre të përhershëm në KQZ. Beleri nuk mund të jetë kandidat në këto zgjedhje për shkak të ligjit për dekriminalizimin, ka të drejtën për të shkuar në KAS. Paditësi legjitimohet pasi të ketë ezauruar të gjitha shkallët e tjera të ankimit. Mandati është i kryetarit të Bashkisë dhe jo i subjektit politik, pra partia PBDNj nuk ka interes të ligjshëm për mandatin e kryetarit të Bashkisë Himarë”.

Edhe Avokati i Shtetit ishte në një linjë me përfaqësuesit e presidencës duke kërkuar nga gjykata të mos pranojë padinë. Ndërsa togat e zeza vendosën kalimin e çështjes për shqyrtim në seancë gjyqësore më 30 korrik në orën 10:30, e deri atëherë, palët duhet të paraqesin provat shkresore dhe argumentet e tyre.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco