Berisha: Të enjten të gjithë tek bashkia! T’i themi Veliajt, vishu me antiplumb..., prej zverku do dalësh

22:45, 23/07/2024
A+ Aa A-

Kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha akuzoi kryebashkiakun e Tiranës, Erjon Veliaj se kishte përgatitur një skenar përgjakjeje në mbledhjen e Këshillit Bashkiak, ku u dhunuan anëtarët e opozitës në këtë këshill. Gjatë fjalës së tij në tubimin qytetar, Berisha, tha se Veliaj qëndronte në karrigen e turpit i veshur me antiplumb. Aktin e Veliajt përballë këshilltarëve opozitarë, Berisha paralajmëroi se do t’i shtohet serialit të krimeve të tij të shëmtuara.

Lideri historik, Sali Berisha, në fjalën e mbajtur, u shpreh se Edi Rama dhe Erjon Veliaj me firmën e Dumanit, mercenarit të tyre, vodhën 130 milionë euro dhe fajësuan si grup kriminal Mërtirin dhe Zoton. Ai u shpreh se krerët e vërtetë të organizatës kriminale të djegësve që janë Edi Rama, Erion Veliaj, Engjëll Agaçi dhe enturazhi i tyre

Sali Berisha i ka bërë thirrje qytetarëve që ditën e enjte në orën 11:00 të dalin masivisht në protestë përpara bashkisë së Tiranës. ‘Ditën e enjte në ora 11:00, të gjithë tek bashkia! T’i themi Erion Veliajt, vishu me antiplumb dhe pancir, prej zverku do dalësh nga ajo zyrë’, u shpreh Berisha në tubimin qytetar që zhvillohet te ‘Rruga e Shpresës’.

Kryedemokrati Sali Berisha, gjatë fjalës në tubimin qytetar, u ndal dhe tek skandali i incerneratorit, ku ndër të tjera u shpreh se krerët e grupit janë Rama, Veliaj dhe Agaçi. “Miqtë e mi, Edi Rama dhe Erion Veliaj besojnë se do mund të shesin Zoton dhe Mërtirin si krerë, në një kohë kur ata ishin dy kallp-biznesmenë, të cilët gjetën një grup kriminal të strukturuar në qeverinë shqiptare dhe u futën edhe ata të marrin reston e tyre në vjedhjen e shekullit.

FJALA E PLOTE

Mirëmbrëma dhe përshëndetjet më të përzemërta.

Mirënjohjen më të pakufishme dhe nderimin më të madh për ju guximtare dhe guximtarë, misionare e misionarë të pamposhtur të kauzës së drejtë të shqiptarëve.

Të dashur miq!

Meritoni një përshëndetje të jashtëzakonshme sepse siç e patë, me protestën tuaj tek bashkia, e ndrytë në antiplumb dhe qeramikë Erion Hajdutin, Erion Veliajn.

Ai dje qëndronte në karrigen e turpit, i veshur me antiplumb dhe kishte përgatitur një skenar pse jo përgjakje të parlamentit të Tiranës.

Unë e garantoj Erion Veliajn se akti i tij i djeshëm do t’i shtohet serialit të krimeve të tij të shëmtuara dhe do marrë përgjigjen më të rëndë ligjore.

Por para saj do të marrë përgjigjen më të rëndë tuajën, përgjigjen më të rëndë popullore.

Të dashur miq!

Vjedhja e shekullit, flakët e korrupsionit të djegësit të Tiranës, do përvëlojnë, do shkrumbojnë të gjithë ata që mbushën thasët me 130 milionë euro për djegësin e Tiranës që nuk ekziston.

Edi Rama dhe Erion Veliaj janë dy hajdutët më kryesorë të kësaj vjedhje të pashembullt.

Një javë më parë, ata të dy besuan se lanë duart, duke shpallur krerët e grupit të organizuar kriminal të djegësit të Tiranës Mërtirin dhe Zoton.

Ata menduan se me firmën e Dumanit, mercenarit të tyre, vodhën 130 milionë euro dhe fajësuan si grup kriminal Mërtirin dhe Zoton.

Të dashur miq, nuk ka dyshim se Zoto dhe Mërtiri janë pa asnjë diskutim dy anëtarë të rëndësishëm të organizatës kriminale djegësi i Tiranës dhe djegësat në Shqipëri.

Për këtë nuk ka asnjë dyshim.

Por, duke cilësuar grup kriminal dhe kryesues të grupit kriminal Zoton dhe Mërtirin, mercenari i Edi Ramës dhe organizata kriminale e Skrapit të partisë, besojnë se përjashtuan nga përgjegjësia krerët e vërtetë të organizatës kriminale të djegësve që janë Edi Rama, Erion Veliaj, Engjëll Agaçi dhe enturazhi i tyre.

Miqtë e mi!

Edi Rama dhe Erion Veliaj besojnë se do mund të shesin Zoton dhe Mërtirin si krerë, në një kohë kur ata ishin dy kallp-biznesmenë, të cilët gjetën një grup kriminal të strukturuar në qeverinë shqiptare dhe u futën edhe ata të marrin reston e tyre në vjedhjen e shekullit.

Por Zoto e Mërtiri nuk ishin as kryeministri i vendit, as kryetari i bashkisë.

Nuk ishin ata, të cilët mund të ndryshonin strategjinë e trajtimit të plehrave në Shqipëri, të hartuar nga BE me financimet e tij me landfille, seleksionim dhe ndarje, zëvendësimin e saj me djegësa, të cilat sot, njëri kryesori nuk ekziston as në themel, kurse dy të tjerët janë jashtë përdorimi.

Ndryshimi i strategjisë u bë nga Edi Rama, u bë nga Erion Veliaj, u bë me qëllimin e vetëm se donin të krijonin fabrikat e floririt për ta.

Të dashur miq!

Në këtë proces duhet t’u rikujtoj se është Edi Rama dhe askush tjetër, njeriu që brenda 24 orësh firmosi 17 dokumente në dikasteret e tij.

Është Edi Rama dhe askush tjetër, që në kundërshtim flagrant me shkresën zyrtare të agjencisë së prokurimeve, në të cilën thuhej se janë të ndaluara prokurimet me negociata të mbyllura, Rama dhe Agaçi autorizuan prokurimet për kompanitë e tyre me negociata të mbyllura.

Nuk janë kurrë Mërtiri dhe Zoto ata që mund të jepnin 9 pikë bonus për kompaninë e paregjistruar kund në Shqipëri. T’ia jepnin 8 muaj para se ajo të regjistrohej.

Këtë e bën vetëm Edi Rama, Engjëll Agaçi dhe Erion Veliaj.

Të pretendosh se Mërtiri dhe Zoto janë krerët e grupit kriminal është tallje cinike. Nuk e beson njeri, as demokrat, as socialist dhe as i paparti në Shqipëri.

Sepse as njëri dhe as tjetri nuk kishin dorë, nuk kishin firmë dhe ligji nuk i lejonte të jepnin jo 8 pikë, por as gjysmë pike një kompanie që paraqitej në tender.

Këtë e bënë për kompaninë e tyre Erion Veliaj dhe Edi Rama.

Është tallje e tmerrshme me shqiparët, është cinizëm ekstrem të pretendosh Mërtirin dhe Zoton si krerët e grupit të strukturuar kriminal, në një kohë kur është Erion Veliaj që do i niste Arben Ahmetaj 5 shkresa njëra pas tjetrës për të miratuar kompaninë fantazmë, të cilën e kishte denoncuar një ministër. Për të cilën një ministër kishte deklaruar se nuk ekziston në territorin e Shqipërisë. Për t’i dhënë kësaj kompanie 8 pikë.

Për të dhënë miratimin është Erion Veliaj dhe jo Zoto e Mërtiri, personi i cili me shkresë, firmë dhe vulë gënjen kur thotë se Këshilli Bashkiak zotohet për të paguar 92 milionë euro.

Të gjitha këto, ai mashtron. Këshilli nuk ishte mbledhur asnjëherë. Dhe në Këshill ai nuk mund ta çonte se aty kishte edhe këshilltarë të opozitës dhe ata do e demaskonin siç e meritonte.

Miqtë e mi!

Zinxhiri i vjedhjeve, mashtrimeve të tyre nuk ka fund.

Amnistimi, mbrojtja e tyre nga organizata kriminale e Skrapit të partisë është bërë tashmë e njohur për çdo qytetar.

Në këto rrethana, ju jeni shpresa e vetme e këtij vendi.

Në këto rrethana, zemërimi qytetar është arma e vetme e shpëtimit.

Revolta qytetare është rruga e vetme e fitores.

Ndaj dhe ditën e enjte në ora 11:00, të gjithë tek bashkia dhe le t’i themi Erion Veliajt, vishu me antiplumb dhe pancir, prej zverku do dalësh nga ajo zyrë hajdut i shpërfytyruar.

Dhe nuk ka njeri që të mbron.

Mos tento të krijosh sherre në zyrë se nuk del dot prej saj.

Ndaj dhe miqtë e mi, të vazhdojmë këtë betejë.

Këtë betejë për të shpëtuar qytetarët shqiptarë të rraskapitur nga varfëria, të trembur nga dhuna dhe terrori i qeverisë dhe narkoshtetit.

Të pashpresë nga zbrazja masive e Shqipërisë dhe shqiptarëve.

Ju jeni shpresa e fundit e këtij vendi.

Ndaj dhe të gjithë së bashku në betejë për qeveri teknike.

Të gjithë së bashku në betejë për zgjedhje të lira.

Fitoren e opozitës, shpëtimin e Shqipërisë.

Rrofshi ju, rroftë Shqipëria.

Fitore, fitore, fitore!

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco