Reforma zgjedhore, negociatat PS-PD vijojnë ende

Reforma zgjedhore, negociatat PS-PD vijojnë ende

11:09, 22/07/2024
A+ Aa A-

Negociatat mes maxhorancës dhe opozitës për reformën zgjedhore vijojnë ende. Burime për A2 CNN thonë se kreu i grupit socialist, Bledi Çuçi, ka njoftuar deputetët për këtë. Deri tani, sipas burimeve, brenda maxhorancës po diskutohet për formulën mikse, por ende nuk është caktuar se sa për qind e hapur do të jetë lista. 

Çuçi informoi deputetët për çështjet dhe projektligjet që do të diskutohen në seancën parlamentare, e cila do të shtrihet në dy ditë, të enjten e të premten për shkak të numrit të lartë të akteve.

Në rendin e ditës janë parashikuar gjithashtu dy interpelanca me ministrat Gonxhaj e Mete, raportet vjetore të disa institucioneve të pavarura, projektligjet "Për Policinë e Shtetit"; “Për rregullimin e prodhimit, tregtimit, kërkimit dhe zhvillimit të armëve, municioneve, pajisjeve dhe teknologjive ushtarake”, si dhe disa akte të tjera.

Në vijim të mbledhjes Çuçi iu tha deputetëve se propozimet e Grupit të Dialogut për Reformën Zgjedhore janë ende në fazë diskutimi në nivel politik dhe nëse do të ketë dakordësi atëhere këto propozime do t'i paraqiten seancës ditën e premte.

Javën e kaluar palët në grupin e dialogut ranë parimisht dakord për votën e diasporës. Por përfaqësuesi i opozitës, Oerd Bylykbashi tha se reforma është bllokuar nga PS, sa i përket rekomandimeve të OSBE-ODIHR.

“Detyrimi është për të arritur në rezultat. Keq ardhje që PS bllokoi sërish reformën zgjedhore sa i përket rekomandimeve të OSBE-ODIHR. Këtu nuk trajtohen as marrëveshja e majit 2020. Kjo çështje mbetet dhe do të vazhdojë të jetë në agjendën tonë të mëtejshme”, tha Bylykbashi.

Ndërsa përfaqësuesi socialist në grupin e dialogut, Damian Gjiknuri, tha se socialistët do të konsultojnë me ekspertët formulën e herësit, por ata janë dakord për një kompromis që i afrohet formulës kushtetuese.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco