SYRI TV/ UNESCO kundër qeverisë për Butrintin: Duam sqarime urgjente, të rishikojë menaxhimin

16:56, 21/07/2024
A+ Aa A-

UNESCO i kërkon qeverisë shqiptare të shmang me çdo kusht menaxhimin e fragmentuar të Parkut Arkeologjik të Butrintit dhe të sqarojë me urgjencë kufijët e pronës. Këtë lajm e ka bërë të ditur Zëri i Amerikës, ku sipas të cilës, gjatë asamblesë së UNESCOS që do të mbahet në Indi, do t`i kërkohet autoriteteve shqiptare të dorëzojnë një hartë të kufijve të pronës së Butrintit, të cilët janë ndryshuar dy vjet më parë nga qeveria shqiptare pa miratimin e kësaj organizate. 

UNESCO thotë në analizën e zhvillimeve të fundit lidhur me Butrintin se Plani i Menaxhimit përfshin themelimin e Fondacionit për menaxhimin e ardhshëm të zonës A3, që njihet si qyteti antik për një periudhë kalimtare.

“Është për të ardhur keq thuhet në analizën e UNESCOS , që ky proces mund të rezultojë në një mjedis menaxhimi të fragmentuar, pasi seksionet A3 nuk mbulojnë të gjithë pronën. Kjo duhet të shmanget me çdo kusht”, vlerëson UNESCO.

UNESCO thotë se duke marrë parasysh që Plani i Menaxhimit të Butrintit është miratuar nga qeveria shqiptare në vitin 2020 dhe se periudha e tranzicionit ka përfunduar, Komiteti mund të ftojë Shqipërinë të ndërmarrë një rishikim afatmesëm të zbatimit të tij bazuar në kuadrin monitorues”.

Një tjetër qëndrim në analizën e fundit të UNESCO-s shprehet ndaj kufijve të Butrintit ku kërkohen sqarime urgjente. “Kërkohen sqarime urgjente sesi do të menaxhohen seksionet e pronës që nuk mbulohen nga përcaktimi A3 dhe administrohen nga Fondacioni Menaxhimit të Butrintit dhe se si do të sigurohet ruajta në këto zona”, thuhet në analizën e UNESCO-s. “Kjo është veçanërisht urgjente në kontekstin aktual, duke qenë se misioni UNESCO-s konfirmoi se në janar 2022, rreth 600 ha u tërhoqën nga Parku Kombëtar pranë Ksamilit, ku në atë kohë ishte në ndërtim e sipër një kompleks rezidencial turistik.Kjo sipërfaqe shtrihet brenda zonës tampon të pronës siç është miratuar në 2007 nga UNESCO dhe një pjesë e vogël e pronës gjithashtu mund të jetë shkelur nga ndryshimi kufijve , thotë UNESCO.

Lidhur me dokumentet e UNESCO-s, Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit tha përmes një deklarate se e gjen projekt-vendimin dhe raportin analitik si shumë objektiv dhe tërësisht korrekt. Por MEK nuk dha sqarime përse autoritete shqiptare nuk po e dorëzojnë hartën e kufijve të rinj të Butrintit në UNESCO dhe si do të arrihet ligjërisht autoriteti i kësaj Ministrie në gjithë Parkun Kombëtar të Butritnit, kur një pjesë e tij që njihet si qyteti antik do të jetë nën administrim të një organizate joftimprurëse për dhjetë vite.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco