SYRI TV/ U hetua për disa tendera abuzivë, SPAK merr të pandehur deputetin e PS, Plarent Ndreca

16:59, 21/07/2024
A+ Aa A-

Prokuroria e Posaçme ka marrë të pandehur deputetin socialist Plarent Ndrecën. Ky i fundit u hetua për tendera abuziv lidhur me rikonstrukskionin e 4 komisariateve, kur ishte Sekretar i Përgjithshëm i Ministrisë së Brendshëm. Së fundmi është marrë në pyetje edhe ish-ministri Sandër Lleshaj, si person në dijeni, por ende nuk dihet për cilën çështje konkretish, pasi ndaj dy zyrtarëve ka pasur kallëzim edhe për uniformat e policisë.

SYRI TV

Deputeti i Partisë Socialiste Plarent Ndreca është marrë i pandehur nga Prokuroria e Posaçme, lidhur me procedurat për rikonstruksionin e 4 komisariateve në vend, në kohën kur ishte Sekretar i Përgjithshëm i Ministrisë së Brendshme. Burime jo zyrtare bënë të ditur se akuza u është komunikuar edhe disa zyrtarëve të tjerë si dhe anëtar të komisionit të vlerësimit të ofertave. Kërkesës zyrtare për informacion dërguar SPAK, nuk i është dhënë ende përgjigje nga kjo strukturë, mbi pozitën ligjore të ligjvënësit socialist.

Kallëzimi në SPAK u bë nga Kontrolli i Lartë i Shtetit, i cili dyshon se zyrtarët kanë lejuar mospërputhje dhe devijime ligjore në garën për ndërhyrje në Komisariatet e Vlorës, Mirditës, Pogradecit dhe atij nr. 4 në Tiranë, të cilat kanë cënuar barazinë e pjesëmarrësve në tendera. Po ashtu, ka pasur edhe rritje të paargumentuar të vlerës së kostove të ndërtimit dhe kostove të projektimit në procedurën e prokurimit. Procedurat janë kryer kur kjo ministri drejtohej nga Sandër Lleshaj, teksa është duke u hetuar edhe një tjetër tender i kësaj periudhe që ka të bëjë me uniformat e Policisë së Shtetit. Disa ditë më parë, edhe Lleshaj është pyetur për rreth dy orë në SPAK, në cilësinë e personit që ka dijeni për një çështje nën hetim.

Por burimet tregohen të rezervuara nëse bëhet fjalë për tenderat e komisariateve apo ato të uniformave të Policisë së Shtetit. Lidhur me këtë të dytën opozita denoncoi, madje bëri edhe kallëzim penal, në lidhje me tenderin abuziv  me vlerë 28 milionë euro.

Në atë kohë SPAK mori të pandehur vetëm 10 zyrtarë të thjeshtë të Ministrisë së Brendshme dhe hetimet nuk u shtrinë as në kupolën e Ministrisë së Brendshme apo të asaj të Policisë së Shtetit që në atë kohë drejtohej nga Ardi Veliu.

Ndreca mori mandatin e deputetit në janar të këtij viti, pas vakancës që u krijua me heqjen e mandatit të Arben Ahmetaj.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco