Berisha: Thirrja ime për çdo demokrat, te bashkohemi per dyfishimin e rrogave dhe pensioneve, per fitoren e opozitës

21:13, 20/07/2024
A+ Aa A-

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha gjatë fjalës së tij në tubimin qytetar u shpreh se ka vetëm një rrugë për krijimin e qeverisë teknike, rikthimin e zgjedhjeve të lira, fitoren e opozitës dhe kjo rrugë është beteja jonë pa kthim gjer në fitore. Berisha theksoi se regjimi në të cilin Edi Rama ka përqendruar në duart e veta të gjitha pushtetet, në të cilin Edi Rama kontrollon çdo qelizë të narkoshtetit, është forma më e shëmtuar e diktaturës.

Kryedemokrati, Sali Berisha ka bërë thirrje për bashkim dhe ka ftuar çdo demokrate e demokrat të bashkohet në diversitet sepse ato mendime, ato opinione, ato probleme që dhe mund të na ndajnë nga njëri-tjetri janë mikroskopike krahasuar me çështjet e mëdha që na bashkojnë.

Lideri i opozitës, theksoi se demokratët duhet të bashkohen në emër të fëmijëve, të rejave dhe të rinjve shqiptarë, që si qytetarë të këtij vendi kanë të drejtën e Zotit, kanë detyrimin të ëndërrojnë dhe të ndërtojnë ëndrrën e tyre më të bukur në Shqipëri.

FJALA  E PLOTE:

Mirëmbrëma dhe përshëndetjet më të përzemërta ju qëndrestareve dhe qëndrestarëve, misionareve dhe misionarëve të kauzës së drejtë të çdo shqiptari.

Të interesit kombëtar të çdo shqiptari.

Të shpresës dhe të ardhmes të Shqipërisë.

Një përshëndetje të përzemërt oratorëve të kësaj tribune lirie, të cilët nga të katër anët e vendit dhe kudo që janë shqiptarët shprehin këtu mendimet e urta, të vërtetat e mëdha dhe ndriçojnë me to mendjen dhe zemrat e shqiptarëve.

Të dashur miq!

Regjimi në të cilin Edi Rama ka përqendruar në duart e veta të gjitha pushtetet, në të cilin Edi Rama kontrollon çdo qelizë të narkoshtetit, është forma më e shëmtuar e diktaturës.

Është diktatura e bandave, që nuk njeh asnjë ligj, asnjë rregull.

Në këtë kuadër, ka vetëm një rrugë për përmbysjen e tij.

Ka vetëm një rrugë për krijimin e qeverisë teknike, rikthimin e zgjedhjeve të lira, fitoren e opozitës dhe kjo rrugë është beteja jonë pa kthim gjer në fitore.

Kjo rrugë kërkon nga ne të bashkohemi më shumë se kurrë.

Kjo rrugë kërkon nga çdo demokrate e demokrat të ngrihet mbi çdo ndjenjë personale, mbi çdo hatërmbetje, mbi çdo padrejtësi që i është bërë atij që ai mendon dhe të bashkohemi në kontributin tonë të përbashkët.

Në betejën tonë të përbashkët.

Të bashkohemi për dashurinë që ne kemi për këtë vend.

Të bashkohemi për nderimin dhe respektin që kemi për lirinë dhe dinjitetin e njëri-tjetrit.

Të bashkohemi për interesin kombëtar, për shpëtimin e Shqipërisë.

Në këtë kuadër, thirrja ime e zemrës është për të gjithë demokratët, të bëjnë çdo përpjekje për rikthimin në shtëpinë tonë të përbashkët të secilit demokrate e demokrat që për një arsye apo një tjetër, për një opinion apo për një tjetër, nuk u bashkua me ne gjer sot.

Demokrate e demokratë, duhet t’u rikujtoj se motoja jonë e bashkimit në diversitet është motoja më e fuqishme e modernizimit të PD-së.

Është motoja e shndërrimit të kësaj partie në një parti të vërtetë të vlerave më të çmuara të lirisë.

Miqtë e mi!

Ju rikujtoj ju dhe çdo shqiptari se midis të tjerash, njëri nga përkufizimet më të drejta të lirisë është se liria ime përfundon aty ky fillon liria e tjetrit.

Në këtë kontekst, ftoj çdo demokrate e demokrat të bashkohet me ne në diversitet sepse ato mendime, ato opinione, ato probleme që dhe mund të na ndajnë nga njëri-tjetri janë mikroskopike krahasuar me çështjet e mëdha që na bashkojnë.

Krahasuar me dashurinë për Shqipërinë që na bashkon.

Krahasuar me mbrojtjen e interesit kombëtar që na bashkon.

Krahasuar me misionin tonë historik të përmbysjes së diktaturës së shëmtuar të bazuar në krimin, drogën dhe vjedhjen e shqiptarëve.

Krahasuar me misionin tonë historik për rikthimin e votës së lirë të shqiptarëve.

Për rikthimin e rotacionit politik.

Për ndryshimin e Shqipërisë dhe shqiptarëve.

Për fitoren e PD-së.

Pra, është në detyrën tuaj demokrate e demokratë të shtrini dorën, të trokisni te çdo demokrate e demokrat pavarësisht se sa pak janë ata që ende hezitojnë të bashkohen me ne.

Të vijnë midis nesh si të barabartë mes të barabartëve, si bashkëluftëtarë në një betejë epike, në një betejë që kërkon guximin tonë.

Në një betejë që është beteja e jetës sonë.

Beteja e misionit tonë.

Beteja e shpëtimit të Shqipërisë.

E rikthimit të demokracisë në Shqipëri.

Të dashur miq!

Ky bashkim jo vetëm me demokratet dhe demokratët, por me socialistët e zhgënjyer, me qytetarët pa parti dhe me të gjithë shqiptarët që janë të lënduar gjer në shpirt për zbrazjen makabre të këtij vendi, që janë të zymtë, të trishtuar për drejtimin që ka Shqipëria e udhëhequr nga Edi Rama.

Që janë të keqardhur dhe përjetojnë me dhembshuri sundimin e egër të mafies mbi shqiptarët.

Të bashkohemi se të bashkuar fuqisë sonë asgjë në botë nuk i reziston.

Të bashkohemi në emër të fëmijëve, të rejave dhe të rinjve shqiptarë, që si qytetarë të këtij vendi kanë të drejtën e Zotit, kanë detyrimin të ëndërrojnë dhe të ndërtojnë ëndrrën e tyre më të bukur në Shqipëri.

Dhe jo të largohen dhe të marrin rrugët e dheut.

Të bashkohemi për detyrimin që kemi ndaj çdo shqiptari që është i trembur, i trysnuar, i frikësuar për ta çliruar atë nga frika me guximin tonë.

Për të shkelmuar frikën dhe terrorin e këtij regjimi.

Për të çliruar Shqipërinë prej tij.

Të bashkohemi në emër të familjes shqiptare, e cila është vlera themelore e përjetshme e këtij kombi.

Familje që sot përjeton një agresion ideologjik, politik të paparë në histori në asnjë pushtim.

Në qoftë se ne nuk luftojmë për familjen shqiptare, në qoftë se ne nuk luftojmë për vlerat e saj, ne nuk meritojmë të quhemi më shqiptarë.

Sepse është ajo që ka sjellë në shekuj e mijëvjeçarë identitetin kombëtar të shqiptarëve në këto troje.

Sepse ata që me projekte makabre parashikonin zhdukjen tonë, kishin përcaktuar si objektiv kryesor shkatërrimin e nënës shqiptare, shkatërrimin e familjes shqiptare.

Ja pse ne duhet të bashkohemi me çdo shqiptar, që i thotë prindit prind, nënës nënë, babait baba, kundër këtij agresioni primitiv që kërkon t’i numeratojë ata sikur të mos ishin qenie njerëzore.

Që kërkon nënë fisnike shqiptare ta shndërrojë në një fermë tregu të mafies më të rrezikshme të Shqipërisë.

Ne ftojmë çdo shqiptare e shqiptar, çdo pensioniste e pensioniste, të bashkohet me ne.

Pensioni i tyre është poshtërim për ta.

Pensioni i tyre është nënçmim për ta.

Të bashkohen me ne, që ne mund të shlyejmë detyrimet e mëdha që shqiptarët kanë ndaj asaj gjenerate që u shkri dhe sot numëron qindarkat për kafshatën e gojës.

Numëron qindarkat për ilaçet për shëndetin e tij.

Sot qan me lot të ftohta mjerimi sepse qeveritarët vjedhin në një vit 120 përqind shumën totale të pensioneve të tyre.

Të bashkohemi për dyfishimin e rrogave dhe pensioneve në Shqipëri.

Shqipëria me të mirat e saj duhet të gëzojë çdo shqiptar.

Të mirat e Shqipërisë duhet të shndërrohen në të mira për çdo qytetar të këtij vendi dhe jo në parajsë për klanet kriminale të Edi Ramës, trafikantët dhe bandat e drogës, ministrat dhe familjarët e tij të pangopur.

Ndaj dhe le të jetë pra miq motoja e bashkimit tonë, për kauzën tonë të drejtë, motoja e ndryshimit, e qeverisë teknike, e zgjedhjeve të lira.

E fitores tonë!

Fitore, fitore, fitore!

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco