'Shuplaka' e DASH: 'Investimet strategjike' i morën njerëzit e Ramës

'Shuplaka' e DASH: 'Investimet strategjike' i morën njerëzit e Ramës

09:45, 19/07/2024
A+ Aa A-

Miq apo të njohur të kryeministrit Edi Rama që merren me biznes kanë një emër të dytë: investitorë strategjikë. Kush i ka kushtuar pak vëmëndje emrave që kanë përfituar nga ky ligj e kupton se njohjet personale janë çelësi i suksesit për të përfituar lehtësira të konsiderueshme në biznes, për investime që shkojnë disa miliona euro.

Efektet e para të ligjit për investimet strategjike erdhën në formë anekdotash kur një aktor i Portokallisë takoi kryeministrin Rama dhe u zgjua një mëngjes si pjesë e një biznesi, të cilit qeveria i dha statusin e investitorit strategjik, shoqëruar me përfitime të shumta, si falje taksash, ndërtim të rrugëve, të rrjetit elektrik, të kanalizimeve etj.

Ligji u përmend gjerësisht në media për skandalin e dy miqve të kryeministrit Rama, çiftit Artan Gaçi dhe Olta Xhaçka që e morën statusin e investitorëve strategjikë edhe pse Xhaçka ishte ministre e jashtme kur qeveria mori vendim.

Situata degradoi vitet e fundit, kur u mësua se statusin e investitorit strategjik, Rama ia kishte dhënë edhe një biznesmeni të njohur të Velipojës, Pëllumb Gjokës që hesapet i zgjidhte me porositë e vrasjeve me pagesë nëpërmjet bandave më të rrezikshme të Shkodrës dhe të Tiranës.

Por së fundmi, ligji është sulmuar fort edhe nga Departamenti Amerikan i Shtetit në një raport për Klimën e Investimeve në vendin tonë. Raporti bën një skanim të zhvillimit ekonomik dhe pohon se problem mbetet korrupsioni, konkurenca e pandershme që pengohet nga PPP, por edhe mungesa e vazhdueshme e fuqisë punëtore.

Por aty disa herë bie në sy përmendja e ligjit për Investimet Strategjike, që u hartua nga Partia Socialiste në vitin 2015 për të thithur investitorët e huaj dhe që në realitet, po përdoret për t’i mbajtur larg ata.

“Shumë pak investitorë të huaj kanë përfituar nga statusi “Investitor Strategjik” dhe pothuajse të gjitha projektet u janë dhënë kompanive vendase që operojnë në sektorin e turizmit. Investitorët e huaj që aplikojnë për statusin e investitorit strategjik citojnë se përgjigjet nga AIDA janë të ngadalta,” thuhet në raport.

Në fakt, kjo që shkruhet në raportin e DASH është artikuluar disa herë nga opozita, që e kundërshtoi zgjatjen e afateve të ligjit dy herë në parlament. Sipas opozitës, ligji për investimet strategjike është një mënyrë e ligjshme për t’u bërë dhurata oligarkëve dhe jo për të afruar investitorët e huaj. Përfitimet e kompanive me lidhje të forta me qeverinë konfirmohen edhe në raportin e DASH.

“Pjesa e parëndësishme e investitorëve të huaj që kanë përfituar nga statusi i investitorëve strategjikë ka nxitur perceptimin tek investitorët e huaj se nga ligji kanë përfituar kryesisht kompanitë vendase me lidhje të forta me mazhorancën qeverisëse,” thuhet në raport.

Hetimi i “investitorëve strategjikë” me një komision parlamentar ka qenë një kërkesë e hershme e opozitës, por socialistët e kanë penguar hetimin parlamentar. Në fillim të këtij viti afatet e ligjit u zgjatën mes debatesh të forta për të dytën herë.

Sipas raportit, korrupsioni mbetet një ndër problemet kryesore që ka larguar investimet e huaja. “Korrupsioni vazhdon të minojë shtetin e së drejtës, të rrezikojë zhvillimin ekonomik” thuhet në dokument, sipas të cilit investitorët e huaj përmendin korrupsionin në gjyqësor, qeveri dhe media si disa nga problemet më të mëdha që pengojnë mjedisin e biznesit në vendin tonë./Lapsi.al

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco