Kushte çnjerëzore pune në industrinë e turizmit, Berisha - thirrje Avokatit të Popullit të nisë urgjent hetimin

Kushte çnjerëzore pune në industrinë e turizmit, Berisha - thirrje Avokatit të Popullit të nisë urgjent hetimin

11:17, 18/07/2024
A+ Aa A-

Kryetari i opozitës, Sali Berisha i ka bërë thirrje sot Avokatit të Popullit të ndërmarrë me urgjencë një hetim për kushtet çnjerëzore të punës së punonjësve të turizmit në Shqipëri, sidomos të atyre në jug të vendit.

“Kushte çnjerëzore për punonjësit në industrinë e turizmit, - shkroi Berisha në Fb. - Qeveria, pazare dhe rrshfete me shëndetin dhe jetën e tyre. Duke dënuar me ashpërsinë më të madhe situatën kriminale të kushteve të punës të punonjësve në industrinë turistike, i bëj thirrje Avokatit të Popullit të ndërmarrë me urgjencë një hetim për këtë situatë. Ju ftoj të lexoni për këtë abuzim të rëndë me të drejtat e këtyre punonjësve artikullin e gazetarit të njohur Klodian Tomorri”, ftoi në vazhdim kreu i opozitës.

“Për faqezinjtë në Jug dhe qeverinë, që faqen e ka bërë shollë me kohë” - Nga Klodian Tomorri

Në fillim të këtij viti, autoritetet gjyqësore në Bangladesh dënuan me 6 muaj burg nobelistin Muhammad Yunus. I pagëzuar si bankieri i të varfërve, Yunus është ndoshta një nga personalitetet me kontributin më të madh në botë për uljen e varfërisë. Kompanitë e tij të mikrokreditit social kanë nxjerrë me miliona njerëz nga varfëria në planet. E megjithatë arsyeja zyrtare që e çoi në burg ishin kushtet e vështira të punonjësve në kompanitë e drejtuara prej tij.

Pak ditë më parë, një gjykatë në Milano vendosi kompaninë e famshme të modës Christian Dior nën vëzhgim gjyqësor. Arsyeja e vendimit ishin sërish kushtet e punonjësve nga vendet e treta, të cilët flinin në fabrika dhe punonin me tre turne.

Shpërblimet e punonjësve, përfitimet dhe kushtet e punës caktohen në marrëdhënie kontraktuale dypalëshe mes tyre dhe punëdhënësve. Por kur fuqia negociuese është e zhvendosur më shumë në njërin nga krahët, atëherë pala tjetër e pëson. Ky është rasti kur nevojitet veprimi qeveritar.

Në Shqipëri, aktualisht një nga frontet më të mëdha të punësimit është industria e turizmit. Për shkak se kjo industri është punë intensive, në pamundësi për ta plotësuar kërkesën me banorët lokalë, shpesh bizneset marrin punonjës nga zona të tjera.

Në jug të Shqipërisë sot pjesa më e madhe e kamarierëve, banakierëve, apo punonjësve të tjerë të shërbimeve turistike vijnë nga zona të tjera të vendit. Kjo ka krijuar një problem të mprehtë. Kushtet çnjerëzore të punës.

Një pjesë e madhe e punëtorëve migratorë flenë në trailera, barraka dhe kontenierë, të cilët nuk kanë as kushtet më minimale higjenike. Fenomeni është masiv dhe mund të dëshmohet lehtësisht nga kushdo përveçse qeverisë.

Ministrja e Turizmit, e cila është bërë si baresha që numëron çdo ditë delet kur hyjnë në vathë -  kjo numëron numrin e turistëve, paradite, pasdite dhe në mbremje -  nuk ka sy të shohë fenomenin e turpshëm.

Gjobaxhinjtë e Inspektoriatit të Punës, po ashtu me sa duket nuk i shohin barakat dhe kontenierët e mbushur me njerëz, që detyrohen të shkojnë aty nga pamundësia e tyre ekonomike dhe babëzia e pronarëve të tyre. Këta të fundit i kanë paratë, sepse po fitojnë tani më shumë se kurrë, por nuk duan të ndajnë hisen me të tjerë. Pastaj ankohen se nuk gjejnë dot punonjës.

Ky është një turp që duhet të marrë fund. Shqiptarët nuk mund të jetojnë në vendin e tyre pa dinjitet dhe në kushte që janë të tmerrshme edhe për vendet e botës së tretë. E kanë bërë dikur, kur detyroheshin të merrnin rrugët e kurbetit dhe të flinin në kanikët e Greqisë. Por jo në vendin e tyre.

Dhe ky duhet të jetë shqetësimi kryesor i bareshës që hedh valle poshtë e përpjetë nëpër Shqipëri dhe shefit të saj që numëron çdo orë makinat në tunelin e Llogarasë dhe pasagjerët në Aeroportin e Rinasit.

 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco