'Pse denoncove akulloret kancerogjene?' Socialistët sulmojn kreun e KLSH-së

'Pse denoncove akulloret kancerogjene?' Socialistët sulmojn kreun e KLSH-së

10:13, 18/07/2024
A+ Aa A-

Raportimi i Kontrollit të Lartë të Shtetit, ndryshe nga raportimet rutinë të institucioneve të tjera, u kthye në një seancë “marrjeje në pyetje”, pasi Shehut iu adresuan 60 pyetje me shkrim për aspekte të punës së institucionit dhe dhjetëra pyetje të tjera gjatë seancës maratonë, e cila do të vijojë me seanca të tjera.

Mbledhja e së mërkurës nisi me një përplasje mes kreut të komisionit, Eduard Shalsi dhe kreut të KLSH-së, Arben Shehu në lidhje me një deklaratën e këtij të fundit gjatë seancës dëgjimore të martën, në lidhje me mosveprimin e Agjencisë Kombëtare të Ushqimit për tërheqjen nga tregu të akulloreve me përbërës të rrezikshëm pas gjetjeve të audutimit të vitit 2021.

Shalsi aludoi se Shehu kishte gënjyer për “mosveprimin e AKU-së” dhe se me deklaratën e tij kishte krijuar panik të panevojshëm në publik.

“Pas deklaratës tuaj kemi marrë shumë mesazhe shqetësuese nga qytetarët për akulloret e kontaminuara, për të cilat AKU kreu veprimet e duhura menjëherë dhe i largoi nga tregu pas sinjalizimit. Po ju pyes direkt, çfarë ju shtyu në vitin 2024 të sillni çështjen e vitit 2021, që nuk e keni ngritur në raportet e viteve të mëparshme?” iu drejtua ai Shehut.

Shalsi nisi të lexoi mesazhe që pretendoi se ia kishin nisur qytetarët të alarmuar nga deklarata e kreut të KLSH-së, të cilën e quajti një “shashkë”.

Ai po ashtu e pyeti disa herë Shehun nëse kishte bërë kallëzim penal për situatën tek spitali Onkologjik, i audituar një vit më parë nga KLSH, ku vetëm disa javë më parë Prokuroria e Posaçme zbuloi një skemë abuzive me pacientët.

Qëndrimi dhe toni i zërit i përdorur nga Shalsi u cilësua si presion politik nga deputetë të opozitës, ndërsa vetë Shehu tha se nuk ndihej mirë dhe i dukej si “vendosje pas muri” dhe si tentativë për dekurajim të punës së institucionit.

“Do të kërkoja të vlerësonit rëndësinë, jo vetëm të paraqitjes tonë këtu, por të punës së institucionit,” iu drejtua ai Shalsit duke shtuar se “nuk do të doja të ndodhesha në situata të tilla për të mos përjetuar këtë ndjesi, e cila do të bënte këdo të ndihej i demoralizuar….”

Më tej Shehu u kujtoi deputetëve se ishte përgjegjësi e tyre stabiliteti i institucioneve.

Lidhur me sjelljen në vëmendje të situatës së ‘akulloreve të kontaminuara”, Shehu sqaroi se e kishte lidhur këtë situatë të shkuar me logjikën e një ndërveprimi institucional për përmirësimin e zbatimit të rekomandimeve të KLSH-së në të ardhmen.

Në lidhje me skandalin tek Onkologjiku, Shehu tha se KLSH kishte bërë kallëzim, i cili nuk ishte bërë publik, por nuk arriti t’i jepte një datë për depozitimin e kallëzimit dhe pse Shalsi ia kërkoi me këmbëngulje.

Deputetët e opozitës akuzuan Shalsin se po sulmonte politikisht një institucion të pavarur, për shkak të punës së tij në auditimin e menaxhimit të fondeve publike.

Në të njëjtën frymë po trajtohet dhe nisma për ngritjen e një nënkomisioni të posaçëm për “llogaridhënien e KLSH-së”, projektvendimi për ngritjen e të cilit është ndryshuar në faqen e Kuvendit.

Të mërkurën socialistët u tërhoqën nga tentativa për një drejtim bipartizan të këtij nënkomisioni duke ia lënë drejtimin e tij opozitës, sipas një dokumenti të ri të hedhur në faqen e Kuvendit për ngritjen e tij./BIRN

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco