Shehu - Felajt: Na jepni kohë të diskutojmë për drejtësinë, gangrenë që po mban të burgosur edhe kreun e opozitës

Shehu - Felajt: Na jepni kohë të diskutojmë për drejtësinë, gangrenë që po mban të burgosur edhe kreun e opozitës

11:37, 15/07/2024
A+ Aa A-

Deputeti i PD, Tritan Shehu, i ka bërë thirrje sot nënkryetares së Kuvendit, Ermonela Felajt, të ndërpresë menjëherë seancën parlamentare ku po raportojnë pesë institucionet e pavarura të drejtësisë me qëllim që çështjeve të drejtësisë t’u jepet koha e nevojshme për t’u diskutuar nga deputetët.

Shehu tha se ”po diskutojmë për një çështje shumë të rëndësishme për Shqipërinë, për demokracinë, për të ardhmen, një çështje që është bërë gangrenë – gangrenë -  e proceseve tona demokratike, një çështje që mban të burgosur dhe të izoluar edhe kryetarin e opozitës në mënyrë politike.”

“Procedura e sotme, - tha Shehu, -  është një procedurë e turpshme dhe zhvleftësuese dhe për temën që diskutojmë, edhe për institucionet e pavarura në këtë sallë, procedurë e ngjashme me procedurat e regjimeve që kërkojnë triumfalizëm, të krijojnë fasadë dhe në të vërtetë të bllokojnë diskutimin real të një ngjarjeje kaq të rëndësishme siç është sistemi i drejtësisë shqiptare, sistem që po shkon nga keq në mos më keq, një sistem i cili është kthyer në një armë të mazhorancës për të goditur opozitën , për të goditur liritë e njeriut, për të goditur atë që është themeli i demokracisë dhe për të interferuar pastaj në procesin zgjedhor dhe të diskutosh në këtë mënyrë duke pasur të gjitha institucionet e pavarura, që presin radhën të diskutojnë njeri pas tjetrit dhe pastaj ne flasim, padyshim është e paimagjinueshme, është denigruese për parlamentin, edhe për institucionet e ashtuquajtura të pavarura.

Kushdo që ka vendosur, Konferenca e Kryetarëve, ka vendosur kokëposhtë këtë gjë, e ka vendosur pa dinjitet, pa vizion, pa mbrojtur vlerat e parlamentit dhe të drejtësisë. Unë mendoj ta ndalojmë me kaq dhe propozoj që ju të krijoni menjëherë, të bëni një mbledhje të konferencës së kryetarëve, të raportojë çdo institucion, të diskutojmë për çdo institucion të veçantë, të pyesim çdo institucion të veçantë edhe nëse kjo do disa ditë të diskutohet, sepse po diskutojmë për një çështje shumë të rëndësishme për Shqipërinë, për demokracinë, për të ardhmen, një çështje që është bërë gangrenë – gangrenë -  e proceseve tona demokratike, një çështje që mban të burgosur dhe të izoluar edhe kryetarin e opozitës në mënyrë politike.”

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco