Mundësitë reale të shëndetësisë shqiptare për t'u rimëkëmbur

Mundësitë reale të shëndetësisë shqiptare për t'u rimëkëmbur

09:01, 15/07/2024
A+ Aa A-

Shumë miq dhe kolegë bluzëbardhë më kanë pyetur rreth mundësive reale që ka shëndetësia shqiptare për t'u rimëkëmbur. Në vijim po shtjelloj disa mendime më të zgjeruara dhe më të detajuara.

1.
E para, ndëshkimi i hajdutëve.

Në 11 vjet qeverisje të rilindjes, shëndetësisë ju vu kazma si kurrë më parë. Janë të paktën katër fenomene që duhet të hetohen dhe përgjegjësit të marrin ndëshkimin sipas ligjit.
》koncesionet, ku të sëmurëve u janë grabitur 500 milionë euro për t'u krijuar kushte abuzimi dhe hajdutërie një grushti oligarkësh.
》lejimi i medikamenteve me origjinë të dyshimtë, me qëllim prishjen e tregut farmaceutik dhe krijimin e lehtësive për aktorë abuzivë.
》tenderat e medikamenteve dhe materialeve të konsumit të fituara me pothuajse 100% të fondit limit.
》abuzimet e përbindshme gjatë pandemisë, që kulmin e arritën në organizimin e tenderave me objekt të fshehtë.
Këto janë krime lehtësisht të hetueshme dhe që lejojnë të provohet fajësia e hallkave të ndryshme të zinxhirit komandues, pasi secili prej fajtorëve ka lënë gjurmë herë duke miratuar procedurat e prokurimit, herë duke nënshkruar kontratat, autorizuar lëvrimin e fondeve, etj.
Ndëshkimi i hajdutëve ka rëndësi jo vetëm për vendosjen në vend të drejtësisë, por edhe për të dërguar një mesazh të qartë tek drejtuesit e rinj të sistemit shëndetësor.
Së fundi, aty ku hetimet do të zbulojnë praktika korruptive, duhen marrë masa për të çuar para drejtësisë edhe oligarkët që molën shëndetësinë këto 11 vjet. Vetëkuptohet se aty ku ka shkelje dhe korrupsion, kontratat e koncesioneve, ofrimit të mallrave dhe shërbimeve, etj., duhen ndërprerë automatikisht.

2.
Pas vendosjes së drejtësisë, lëvizja e radhës duhet të jetë përcaktimi i linjave strategjike ku do të zhvillohet sistemi shëndetësor.

Në shumë analiza të hollësishme të bëra në vite kam sqaruar se sistemin shëndetësor shqiptar është miksi më i shëmtuar ku gërshetohen tipare të modelit gjerman dhe atij anglez, por ende ka ndikime të forta të modelit të centralizuar sovjetik dhe përfundimisht funksionon si sistem afrikan, i ç'organizuar, kaotik dhe që bazohet në pjesën dërrmuese tek pagesat nga xhepi të pacientëve.
Për të kapërcyer këtë problem, duhet marrë vendimi që sistemi shëndetësor shqiptar të organizohet sipas modelit gjerman, të bazuar mbi sigurimet shëndetësore. Modeli gjerman ka këto përfitime:
》është model i drejtë sepse kushdo paguan një përqindje të pagës (parapaguan) dhe merr shërbimin kur i nevojitet.
》është model transparent sepse lejon të ndiqet rrjedha e fondeve nga burimi deri në origjinë.
》është model që krijon kushte të barabarta konkurrence midis sektorit publik dhe privat.
》është model i provuar sepse aplikohet prej dekadash (në Gjermani prej më shumë se 140 vjetësh) dhe ka arritur sukses në pjesën dërrmuese të vendeve.
Deri në vitin 2013, sistemin shëndetësor shqiptar ishte zhvilluar sipas modelit gjerman. Pas 11 viteve ç'orientim, duhet rikuperuar urgjentisht koha e humbur duke marrë ato masa që nuk u morrën gjatë gjithë kësaj periudhe.
Duke konsoliduar sistemin e mbledhjes së kontributeve dhe duke vendosur mekanizmat e pagesës, nga njëra anë do të rriten fondet në dispozicion të shëndetësisë dhe nga ana tjetër do të menaxhohen ato në mënyrë kosto-efektive.

3.
Burimet njerëzore.

Jo vetëm nga aspekti i financimit, por edhe nga pikëpamja e burimeve njerëzore, sistemi shëndetësor shqiptar ka arritur në nivele afrikane. Me pak më shumë se një mjek për një mijë banorë (raporti është rritur fiktivisht pasi Urdhëri i Mjekut llogarit akoma mjekët e larguar nga vendi dhe pensionistët), Shqipëria është në vendin e fundit në Europë.
Për shkak të politikave dritëshkutëra të rilindjes dhe të mjedisit toksik të krijuar në institucionet shëndetësore, këto 11 vjet përjetuan eksodin më masiv të mjekëve dhe infermierëve.
Rimëkëmbja e burimeve njerëzore kërkon strategji afatgjatë dhe shumëplanëshe:
》rritja e numrit të studentëve, jo vetëm në QSUT, ku është arritur tashmë pika e ngopjes, por duke hapur edhe dy ose tre universitete të rinj mjeksorë.
》rikonceptimi rrënjësor i modelit të specializimeve mjeksore, përfshirë edhe decentralizimin tyre duke përfshirë në process spitalet rajonalë.
》dekomercializimi i edukimit të vazhdueshëm mjeksor.
》mbi të gjitha krijimi i mundësive për thithjen e kontributit të mijëra mjekëve shqiptarë në diasporë.

4.
Digjitalizimi dhe inovacioni.

Ndërsa sistemet shëndetësore në gjithë Europë janë duke përjetuar transformimin e gjithanshëm digjital, në spitalet shqiptare ende përdoret ekskluzivisht kartela e shkruar me dorë. Nga kjo pikëpamje sistemin shëndetësor shqiptar e kam quajtur "sistem të papirusit", më të ngjashëm me mjeksinë e Egjiptit të Lashtë sesa me sistemet shëndetësore bashkëkohore.

Digjitalizimi në sistemin shëndetësor shqiptar duhet të ketë si synim krijimin e një platforme të integruar mbarëkombëtare, ku të gjithë institucionet shëndetësore publike dhe private të jenë pjesë e një rrjeti të përbashkët duke dërguar dhe marrë të dhëna sipas nevojës së praktikës klinike apo kërkimit mjeksor.

Kjo është një rrugë e gjatë dhe që do të kalojë në shumë hapa të ndërmjetëm, por fatmirësisht modelet zhvillimore nuk mungojnë.

Nëpërmjet digjitalizimit do të arrihen shumë synime, ndër të cilët mund të përmend:
》gërshetimi i mjeksisë së bazuar mbi evidenca me mjeksinë e bazuar në të dhëna, çka mundëson një përmirësim eksponencial të cilësisë së kujdesit shëndetësor.
》rritja e transparencës dhe llogaridhënies në planin klinik, financiar dhe menaxherial.
》krijimi i bazave për kërkim shkencor dhe inovacion, duke lehtësuar futjen në përdorim të telemjeksisë, aplikacioneve të inteligjencës artificiale, kirurgjisë robotike, etj.

Digjitalizimi lidhet pazgjidhmërisht dhe është parakusht për aplikimin e DRG-ve, metoda dominuese e pagesës në sistemet e bazuara mbi modelin e sigurimeve shëndetësore.

Digjitalizimin është parakusht edhe për zbatimin e pagesave të diferencuara të personelit mjekësor të bazuara mbi volumin e punës dhe jo mbi paga fikse.

Së fundi, vende që sot kanë sisteme shëndetësorë me një shkallë të lartë digjitalizimi, janë duke eksperimentuar edhe sisteme pagese bazuar jo thjesht mbi performancën, por edhe mbi rezultatet e trajtimeve, madje edhe mbi impaktin që trajtimet kanë në shëndetin e qytetarëve.

***
Këto janë disa mendime, analiza dhe rekomandime paraprake lidhur me parimet sipas të cilave mund të realizohet reformimi i sistemit shëndetësor shqiptar. Javës tjetër do të ndalem në masat specifike duke ilustruar edhe me shembuj konkretë për sektorë të veçantë të sistemit shëndetësor.
 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco