SYRI TV/ Vendimi nga Drejtoria Burgjeve, Fredi Beleri do të betohet si eurodeputet

18:39, 14/07/2024
A+ Aa A-

Drejtoria e Burgjeve ka vendosur që të lejojë Fredi Belerin për t’u betuar si deputet i Parlamentit Europian. Vendimi është marrë këtë të diel nga komisioni i ngritur në drejtorinë e burgjeve. Beleri ka marrë 5 ditë leje dhe nuk do të shoqërohet nga policia burgjeve. Në leje është parashikuar që nëse do t’i duhet më shumë ditë për shkak të ndonjë zhvillimi ai duhet të lajmërojë autoritetet.

SYRI TV

Fredi Beleri do të udhëtojë të hënën drejt Strasburgut për t’u betuar si deputet i Parlamentit Europian. Drejtoria e Burgjeve ka dhënë dritën jeshile për Belerin pas kërkesës së tij, që të betohej si deputet në Parlamentin Europian. Fredi Beleri ka marrë leje për 5 ditë dhe duhet të kthehet në Shqipëri në 20 korrik. Ai do të udhëtojë i pa shoqëruar nga efektivët e burgjeve për t’u kthyer më pas në Shqipëri. 

Në vendimin për miratimin e lejes është parashikuar dhe nëse Beleri duhet të qëndrojë më shumë për shkak të ndonjë zhvillimi. Në një rast të tillë ai duhet të njoftojë institucionet shqiptare por dhe autoritetet në Strasburg.

Fredi Beleri është dënuar nga Gjykata e Posaçme me dy vite burg për blerje votash. Beleri kandidoi nën siglën e koalicionit ‘Bashkë Fitojmë’ por i zgjedhur nga Partia Bashkimi për të Drejtat e Njeriut. Ai u arrestua dy ditë para zgjedhjeve ndërkohë që opozita arrestimin e tij e cilësoi politik. Por nga burgu Fredi Beleri arriti që të shpallet fitues në Himarë. Megjithë kërkesat e Belerit drejtuar drejtorisë së burgjeve për t’u betuar, leja nuk ju aprovua kurrë.

Por tashmë si i zgjedhur në Parlamentin Europian, ai ka arritur ta marrë lejen për t’u betuar. Fredi Beleri u zgjodh si eurodeputet nga listat e Partisë Demokracia e Re, ndërkohë që Himara do të shkojë në zgjedhje të reja në 4 gusht. 

 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco