14 pika që dëshmojnë gënjeshtrat e shërbyeses së Taulant Ballës

14 pika që dëshmojnë gënjeshtrat e shërbyeses së Taulant Ballës

20:33, 10/07/2024
A+ Aa A-

Enkeleda Millonai, e njohur ndryshe si prokurorja e sponsorizuar nga Taulant Balla për t’u emëruar në SPAK dhe ish-hetuesi i Sigurimit të Shtetit, Arben Kraja vijojnë të gënjejnë në procesin e montuar politik kundër liderit të opozitës, Sali Berisha.

Në raportin e fundit të tyre, ku duhet të arsyetojnë se pse po mbajnë në arrest liderin e opozitës dhe Jamarbër Malltezin pa prova, prokurorët politikë shkruajnë se: “nga hetimet e kryera deri më tani nuk kanë rezultuar të dhëna të reja që të zbehin apo cënojnë dyshimin e arsyeshëm të bazuar në prova mbi konsumimin e veprave penale që i janë atribuar personave nën hetim”. 

Në fakt sot kanë dalë në pah të paktën 14 gënjeshtra që kishte në dosjen e SPAK kur vendosën masat e arrestit.

Ndryshe nga sa shkruan prokurorët, provat zyrtare që kanë dalë 10 muajt e fundit, kanë vërtetuar tashmë se:

1. Kallzimi i Taulant Ballës, ish-kryetar i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste dhe aktualisht Ministër i Brendshëm, se toka e familjeve pronare të terrenit të Klubit Partizani (KP) ishte shpronësuar nga Italia është mashtrim dhe duke qenë se është bërë në kuadër të këtij procedimi penal, përbën kallzim të rremë. 

Prokurorët politikë, Kraja dhe Millonai, kanë kërkuar dhe GJKKO ka vendosur masat e kufizimit të lirisë ndaj z.Berisha dhe z.Malltezi në 20.10.2023, ndër të tjera bazuar në pohimine shprehur në vendim se ka dyshime se toka ka qenë e shpronësuar. Fletoret zyrtare nr. 62 të datës 15 Maj 1942 (Dekret Mëkëmbësi nr. 90, datë 29.4.1942) dhe nr. 73 datë 30.06.1943 (Dekret Mëkëmbësi nr. 204 datë 4.06.1943), tregojnë se toka në fjalë ka qenë nënrekuizim, dhe si e tillë nuk mund të ishte shpronësuar, deri në kapitullimin e Italisë. Kjo flet për gadishmërinë e SPAK dhe të kësaj gjykate për të shkelur ligjin, si dhe falsitetin e pretendimeve të tyre, mbi të cilat është bazuar masa e kufizimit të lirisë.

2. Masat e kufizimi të lirisë u kërkuan nga prokurorët politikë, Kraja e Millonai, dhe u konfirmuan nga gjykatësja Irena Maneku-Gjoka-Shpata, në bazë të pretendimit se pronarët u interesuan për tokën dhe procesin e privatizimit pas ardhjes në pushtet të Partisë Demokratike në vitin 2005, ndërkohë që në dosjen e prokurorisë janë, që para marrjes së këtij vendimi, të gjithë dokumentat që tregojnë se kërkesat dhe vendimet e kthimit të pronave të familjeve pronare kanë filluar që prej vitit 1995.

I qëllimshëm është edhe anashkalimi i faktit se deri ne 2004, Ligji për Kthimin e Pronave ka pasur kufizim përkthimin fizik të tokës deri në 5000 m2 (e më pas deri në 10,000 m2) për familje. Ligji 9235 datë 29.7.2004 për Kthimin dhe Kompensimin e Pronave;

hoqi kufizimin në sipërfaqen e tokës që kthehej, 
lejoi kthimin e çdo tokë tek pronarët legjitimë pa pritur privatizimin e objekteve mbi toke siç ishte praktika deri në 2004. Natyrisht pas vitit 2004 familjet pronare kërkuan që prona e tyre që ishte e njohur dhe pjesërisht e kthyer qysh në 1995, 1996 dhe 1999, të kthehej plotësisht me hyrjen në fuqi të ligjit. 

Ndërkohë, dokumenta zyrtare tregojnë se procesi i privatizimit filloi nga ministra te qeverisë së Partisë Socialiste në 2005. 

SPAK ka fshehur shkresat që i janë vendosur në dispozicion:

shkresa nr. 4533/2 prot.datë 21.7.2005 nga Ministri i Ekonomisë Anastas Angjeli, lënda “Kërkohet prononcimi për fillimin e procedurave të privatizimit të pasurisë së paluajtshme dhe aseteve të Klubit të Futbollit Partizani” dhe
shkresa 2732/1 prot. datë 22.07.2005 nga Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sporteve Blendi Klosi që e gjen të bazuar këtë kërkesë për nisjen e privatizimit. Këto dokumente i janë dorëzuar zyrtarisht Prokurores së Taulant Ballës, por ajo, së bashku me Krajën vijojnë të përsërisin deklarata të rreme se asgjë nuk ka ndryshuar. E vetmja konstante në këto hetime është vendosmëria e prokurorëve për të fshehur të vërtetën.

3. Masat e kufizimi të lirisë u kërkuan nga prokurorët politikë, Kraja e Millonai, dhe u konfirmuan nga gjykatësja Irena Gjoka-Maneku-Shpata, duke deklaruar se destinacionin e tokës së familjes Begeja dhe familjeve të tjera pronare të KP e kishte ndryshuar Sali Berisha. Kjo deklaratë dhe ky vendim janë bërë në një kohë kur në dosjen e dorëzuar në 20.10.2023 ekzistonin dokumentat që tregonin fare qartë se destinacionin e kishte ndryshuar Edi Rama me 08.06.2006. Jo vetëm kaq, por në Volumin 15 përfshihet faqja e proces-verbalit të mbledhjes së Këshillit Teknik të KRRT të Bashkisë Tiranë i datës 12.05.2006, që jep miratimin për pikën “j”, ndryshimi i destinacionit nga zonë sportive në zonë banimi tek Rruga Frosina Plaku. Pra, ndryshimi i destinacionit nga sportive në zonë  banimi është kryer nga Këshilli Teknik i KRRT Bashkia Tiranë

1-pa kërkesë të palës pronare, 

2-përpara se pronarët të firmosnin kontratë zhvillimi të pronës së tyre me firmën ndërtuese

3-përpara se të privatizoheshin objektet e rrënuara dhe të uzurpuara. 

Këshilli Teknik i KRRT përbëhej vetëm nga 10 drejtorë të Bashkisë së Tiranës të drejtuar asokohe nga Edi Rama. Ky Këshill Teknik me njerëz të besuar të Edi Ramës, shërbente si pritë, për të mos lejuar asnjë ndryshim destinacioni apo leje të pakontrolluar nga Edi Rama. Këshilli Teknik vendoste për çdo çështje dhe jo vetëm kaq, por përcaktonte edhe rendin e ditës së mbledhjes së KRRT. Pra, nëse Edi Rama nuk donte të kalonte ndonjë ndryshim destinacioni apo leje ndërtimi, e kishte të thjeshtë të kontrollonte nëpërmjet Këshillit Teknik futjen ose jo të dosjes përkatëse në rend dite të mbledhjes së KRRT të BashkisëTiranë.

KRRT mund të votonte vetëm ato leje ndërtimi për të cilat ishte dakordësuar Edi Rama.

Një muaj pas miratimit nga Këshilli Teknik, KRRT Tiranë e kryesuar nga Edi Rama miraton ndryshimin e destinacionit më datë 08.06.2006.

Pas 6 muajsh, me 21.11.2006 mbledhja e KRRTRSH, e kryesuar nga, Sali Berisha kryeministër, miratoi disa ndryshime territoresh të miratuara nga KRRT Tiranë – kryesuar nga Edi Rama – përfshirë atë prej 0.7 hektarë në rrugën Frosina Plaku. Po kështu i pa vërtetë është fakti se ndryshimi i destinacionit për pjesën tjetër u realizua përmes Planit të Përgjithshëm Rregullues të Tiranës të miratuar me vendimin nr. 1 datë 15.02.2013 të Këshillit Kombëtar të Territorit të kryesuar nga Sali Berisha.

Jamarbër Malltezi u paraqiti prokurorëve prova të pakundërshtueshme që provojnë se destinacioni i të gjithë zonës,u ndryshua nga Edi Rama me vendim të KRRT 238 të datës 27.12.2008, i cili miratoi planin e hartuar nga subjekti Urbaplan.

SPAK fsheh vendimin nr.238 të KRRT si dhe hartat e Zonimit Funksional të Planit Rregullues të Tiranës, të firmosura nga Edi Rama dhe 10 drejtorë të Bashkisë që e kthyen tokën e të dy klubeve në “U12” që në legjendë përcaktohet si “U12 – Zhvillime të reja me parametra urbane të lartë”. 

Zonimi Funksional i kryer nga Edi Rama dhe drejtorët e tij dhe miratuar me vendimin e KRRT nr. 238 datë 27.12.2008 u integrua në Planin Rregullues të Tiranës që kreu me pas Lulzim Basha (është përfshirë në faqe 47 të raportit Politika e Zhvillimit të Territorit të Bashkisë Tiranë 2012, që është një prej instrumentave të Planit të Përgjithshëm Vendor) dhe që u miratua me vendimin e Këshillit Bashkiak të Tiranës me nr. 57 datë 24.12.2012. Në përputhje me vendimet e Gjykatës Kushtetuese V24/06 dhe V – 29/06, KRRTRRSH, me 15.02.2013, noterizoi vendimin e Keshillit Bashkiak (pushtetit real vendor) nr. 57, të datës 24.12.2012. 
Edhe Plani i Përgjithshëm Rregullues i vitit 2017 e ka lënë në fuqi vendimin e KRRT së Bashkisë Tiranë nr. 238 datë 27.12.2008, që e parashikon zonën e ish-KP si zonë urbane. 

Ndaj pohimi se kushtet mbi të cilat u vendos masa vijojnë të qëndrojnë është pra, edhe për këtë shkak,i pavërtetë.

4. Masat e kufizimit të lirisë kundër liderit të opozitës, Sali Berisha dhe Jamarbër Malltezit u vendosën me argumentin se kishte dyshime se KP ishte në planin e përhapjes së Forcave të Armatosura në kohën e privatizimit, ndërkohë që dokumenta të dosjes së SPAK, tregojnë se dokumentat zyrtarë – dekreti i Presidentit të Republikës, që ka forcën e ligjit – provonte të kundërtën, pra se KP nuk ishte në planin e përhapjes.

Në materialet e dosjes hetimore (Vol. 10, Fq. 500) Shkresë nr. 336/4 Prot, dt. 10.06.2004 “Plani i përhapjes së FA 2004-2010” firmosur nga Presidenti A. Moisiu ku shihet se nuk e ka Klubin Partizani, por ka vetem Orkestren Frymore. Gjithashtu në Volumin 16 me datë 12.10.2023 OPGJ Adelajda Metaj tregon se vetëm Orkestra Frymore (Por jo Klubi Partizani) është në Planin e Përhapjes 2004-2010 që P. Majko i çoi Presidentit A. Moisiu. Pra edhe kjo rrethanë, mbi të cilën u vendos masa e kufizimit të lirisë, ka rënë.

5. Masat e kufizimit të lirisë kundër z.Berisha dhe z.Malltezi u vendosën me argumentin se kishte dyshime se akte ligjore dhe nënligjore, konkretisht, ligji i pronave, ligji për sportet, VKM për letrat me vlere etj. ishin miratuar nga Berisha për t’i ardhur në ndihmë z.Malltezi në privatizimin e KP. 

Për çdo jurist është e qartë se miratimi i ligjeve sektoriale, në përputhje me programin qeverisës të një partie, nuk bëhet për t’i kthyer dhëndrit të kryeministrit 410m2 tokë nga trashëgimia e gjyshërve. Se mund t’ia jepte me PPP/konçesion apo 1 euro të gjithën siç i dhuroi Edi Rama 38,000 m2 kompanisë së vellait të vet! 

Ndryshimet ligjore të ligjit për pronat kanë pasur të bënin me zgjatjen e afateve, dhe janë përsëritur nga qeveritë socialiste dhe ato të PD disa herë. 

6. Masat e kufizimit të lirisë kundër z.Berisha dhe z.Malltezi u vendosën me argumentin se qeveria Berisha shtyu afatin e aplikimit të ligjit të pronave per të lehtësuar këto 5 familje pronare, ndër të cilët familjen Begeja. Së pari, zgjatja e afateve u referohej kërkesave të reja dhe jo dosjeve ekzistuese. Së dyti, familja Begeja e ka kërkuar rregullisht pronën qysh nga 1996, përfshirë edhe në Tetor-Dhjetor 2005 (pra brenda afateve) kur Komisioni i Kthimit të Pronave mori vendimin nr. 135 me datë 20.01.2006 që i ktheu 11,740 m2 nga prona e njohur prej 28,000m2 dhe që do duhej qysh atëherë të kishin kthyer pronën e plotë e jo të pjesshme. Së fundi, afatet e aplikimit janë shtyrë nga çdo qeveri në mënyrë të rregullt, edhe nga qeveria Berisha pas 2007 psh në 2008 edhe nga qeveria e Edi Ramës. 

Pra, SPAK ka gënjyer me rastin e vendosjes së masës së arrestit.

7. Masat e kufizimit të lirisë kundër z.Berisha dhe z.Malltezi u vendosën me argumentin se ndryshimet që i janë bërë Ligjit të Kthimit dhe Kompensimit të Pronave nr. 9235 datë 29.07.2004 me ligjin 9583 datë 17.07.2006, në lidhje me strukturën e institucionit janë bërë me qëllim për t’i ardhur në ndihmë familjes Begeja. Ndryshimet ligjore dhe programi qeverisës është argument vetëm për pretencë politike. Ndryshimet ligjore në fjalë janë në perputhje me;
1-Kushtetutën (kthim i sendit të vjedhur nga ish-shteti komunist), 
2-Politikën qeverisëse të Partisë Demokratike si forcë e djathtë politike është se i beson parimit që “prona të shkojë tek izoti”,
3-Janë edhe sot në fuqi. Asnjë ndryshim ligjor nuk është ankimuar në gjykatë nga asnjë palë. Si ligji i 2004 edhe ai i 2006 që i kthyen pronën pronarit të ligjshëm, të cilit i takon me Kushtetutë dhe me ligj.

Ligji i 2004 (neni 6) i kthente pronarëve legjitimë pronat pa kufizim përveç tokave bujqësore deri në 60 hektarë. Ndryshimi i 2006 (neni 6) në fakt vendosi kufizimin se kthehen pronat që janë “jashtë strukturës së Forcave të Armatosura i firmosur  nga Presidenti”. 

Asnjë ligj dhe asnjë VKM nuk është miratuar për emra të përveçem. 

Ligji i 2004 në Nenin 6 ju “kthen pronat pakufizim” ndërsa tek Neni 7 përcakton “pronat që nuk kthehen”.

Klubet sportive nuk janë përmendur fare në pikën 1 të Nenit 7 të ligjit të 2004 që rendit “pronat që nuk kthehen”, rrjedhimisht klubet sportive janë të kthyeshme sipas nenit 6. Por edhe nëse do ishim në rastin që nuk duhej të ktheheshin (gjë që nuk e ka pretenduar askush deri më sot), përsëri pika 2 e Nenit 7 sqaron se “në rast se pronat e paluajteshme, që përfshihen në pikën 1 të këtij neni, propozohet të tjetërsohen, ato i kalojnë subjekteve të shpronësuara”. Propozimin për tjetërsim e bëri ish-ministri i PS Anastas Angjeli me 21.07.2005 dhe një ditë më pas me 22.07.2005 dha pëlqimin edhe ish-ministri tjetër i PS, Blendi Klosi. 
SPAK rreket të thotë sikur ndryshimi nga Komision në Agjensi të Kthimit të Pronave është kryer për interes të familjes pronare të Malltezit. 

Në të vërtetë kjo reformë nuk pati asnjë ndikim tek prona e familjes Begeja. Kjo familje kishte 3 vendime njohje dhe kthime të pjesshme prone përfshirë nga Komisioni i Kthimit të Pronave të emëruar nga qeveria e PS.
Më parë vendimet e Komisionit të Kthimit të Pronave ishin të formës së prerë dhe thuajse gjyqësore. 

Ndryshimi nga Komision në Agjenci të Kthimit te Pronave shtoi dy hallka të reja kontrolli: Para se vendimi i Agjencisë Rajonale të merrte formë të prerë, dhe të depozitohej në ZRPP, ai detyrimisht dërgohej për rishikim/korrigjim tek: (1) Zyra qëndrore AKP dhe 
(2) Avokatura e shtetit. Vetëm pas rishikimit nga këto institucione vendimi merrte formë të prerë. Edhe në rastin konkret vendimet janë dërguar sipas ligjit për t’u verifikuar te dy institucionet para se të merrnin formë të prerë siç shihet nga materialet e dosjes hetimore të vetë SPAK.

Pra, reforma që kaloi nga Komision Kthimi Prone në Agjensi të Kthimit të Pronave nuk pati asnjë efekt për pronat e 5 familjeve Tiranase që e kishin katërcipërisht të vërtetuar pronën dhe familja Begeja kishte vendim plotësues për kthim edhe nga Komisioni i caktuar nga PS në janar 2006.

Nëse do ishte për interes personal, mjafton që qeveria të ndryshonte anëtarët e komisionit të pronave nga qeveria e re siç bëhen zakonisht. Por reforma shtoi dy hallka kontrolli (Zyrën Qëndrore dhe Avokaturën e Shtetit) për të shmangur abuzimet – dhe vetë në dosje SPAK e ka vërtetuar që këto vendime janë dërguar për shqyrtim te këto 2 institucione përpara se vendimi të merrte formë të prerë.

Edhe ky ligj ishte për gjithë shqiptarët dhe jo ligj individual. Për sa më lart, edhe ky pretendim, i përdorur si shkak për caktimin e masës së paraburgimit ka rënë.
 
8. Në vendimin e masës sipas kërkesës së SPAK shkruhej se “Në një periudhe të shkurtër, … Nëntor 2006 deri më 26. 03.2007, rezulton të jenë dhënë 4 vendime për kthim prone”… 

Ndonëse ngre tymnajë, SPAK nuk thotë në asnjë moment se cili akt ligjor apo nënligjor është shkelur. 

Dëshmitë në dosjen e SPAK provojnë se këto nuk ishin kërkesa të reja, por plotësime vendimesh të mëparshme, të konfirmuara sistematikisht dhe lehtësisht të verifikuara. Nuk është shpejtësi të marrësh katër muaj shqyrtim për prona të njohura me disa vendime, pra të konfimuara katërcipërisht nga disa komisione dhe dhjetëra anëtarë qysh nga 1995. 

(Shpejtësi është që të dhurojë Edi Rama Olsit 38,000m2 tokë dhe 5400 m2 zyra vetëm me 1 VKM për 1 euro!). 

SPAK rreket të tregojë nxitim, por vetë pranon se Agjencia për gati 6 muaj nuk kishte nxjerrë vendim, por ndërkohë kishin punuar dhe se në një periudhe prej 7 mujsh (Mars-Tetor 2007), 
Agjencia Rajonale në Tiranë nxorri 189 vendime.

Pretendimi i SPAK se përbëjnë procedurë të përshpejtuar katër vendimet e marra në një hark kohor katër mujor për 5 familjet pronare të KP, kthehet në nonsens, i përballur me faktin e hetuar nga vetë SPAK se i njëjti institucion ka nxjerrë 189 vendime për 7 muaj. 
Për sa më lart, edhe ky pretendim, i përdorur si shkak për caktimin e masës së paraburgimit bie.
 
9. Masa e arrestit ndaj Berishës dhe Malltezit u morën pasi SPAK pretendoi se ndryshimet ligjore në ligjin për Sportin ishin kryer për të ndihmuar Malltezin (që ju kthye me pak se 1% e tokës së klubit nga toka e gjysheëve të tij).

Ligji nr. 9376 datë 21.04.2005 në Nenin 31 shprehet se “Objektet sportive jepen me konçesion ose privatizohen, me kusht që të mos u ndryshojë destinacioni”.

Kjo dispozitë pësoi ndryshime me ligjin nr. 9816 datë 22.10.2007, në të cilën përcaktohej: “Objektet sportive jepen me konçesion, me kusht që të mos u ndryshojë destinacioni”.
Një vit më pas, Neni 31 pëson sërisht ndryshime me ligjin 9963, datë 21.07.2008 në “Objektet sportive privatizohen nga pronarët e truallit, kur ka të tille, në të kundërt jepen me konçesion, … me kusht që të mos u ndryshojë destinacioni”.

Pra Ligji i 2008 rikthehet tek varianti i 2005, i cili kishte linjësuar Ligjin për Sportet me Kushtetutën dhe Ligjin e Pronave, në funksion të një rregjimi të përgjithshëm për të gjithë ish-pronarët. 

Ndërsa, lidhur me kushtin për mos ndryshimin e destinacionit që shënon ligji, siç është sqaruar, ky ishte tagër ligjor i pushtetit vendor (siç u sanksionua me vendimin e GJK në 2006). Gjithësesi, Edi Rama (me 10 drejtorët e tij në këshillin Teknik të KRRT) e kishte ndryshuar destinacionin e tokës qoftë me 12.05.2006 (dhe qoftë me vendimin e KRRT nr. 238 datë 27.12.2008) pa kërkesë të pronarëve të tokës qysh përpara se t’i kthehej plotësisht toka pronarëve dhe përpara se të përfundonte privatizimi i objekteve të rrënuara dhe të uzurpuara. Pra edhe ky shkak, për të cilin u vendosën masat e kufizimit të lirisë, ka rënë.
 
10. Masat ndaj Berishës dhe Malltezit u morën bazuar në pretendimin e rremë se pronarët duhej të paguanin për sipërfaqen prej 4261 m2 që figuronte “shtet” në kohën e privatizimit. SPAK e ka në materialet e dosjes hetimore se me urdhrin nr. 10011 prot. datë 26.09.2008 drejtoria e shitjes ngriti komisionin për verifikimin e dosjeve të vlerësimit. 

Komisioni i vlerësimit gjeti se toka ishte e njohur familjes Llagami, dhe se pavarësisht se kjo familje e kishte kundërshtuar vendimin e kthimit të tokës dhe Agjencia Qëndrore ia kishte miratuar (për pasojë nuk e rregjistronte dot), kjo familje kishte në fuqi vendimin 668 të vitit 1996 të Komisionit të Kthimit të Pronave që i kishte njohur pronësinë dhe i kishte dhënë të drejtën e parablerjes në rast privatizimi. 

SPAK ka administruar në dosje (Vol.12/1 faqe 17-22 përsëritur në faqet 23-27) proces-verbalin e Drejtorisë së Administrimit dhe Shitjes (pjesë e Ministrisë së Financave), ku katër ekspertë të kësaj Drejtori e kanë listuar dhe verifikuar vendimet e njohjes dhe kthimit të pronave të 4 familjeve pronare. 

Për tre nga familjet kanë përfshirë vendimet e KTHIMIT të pronës të 2007, ndërsa për familjen Llagami paraqesin vendimin e NJOHJES së pronës nr.668 dt 16.08.1996 për 3910 m2. Në proces privatizimi nëse toka i është njohur pronarit të ligjshëm, atëherë ai nuk paguan për tokën, por duhet të paguajë vetëm për objektin e ndërtuar mbi tokën e pronarit privat. Ndaj dhe familja Llagami, të cilësi ishte njohur titulli i pronësisë mbi këtë sipërfaqe, së bashku me të drejtën e parablerjes në rast privatizimi, nuk kishte detyrim të paguante tokën, që ishte pronë e saj.
Për sa më lart, edhe ky pretendim, i përdorur si shkak për caktimin e masës së paraburgimit ka rënë.
 
11. Masat ndaj Berishës dhe Malltezit u vendosën edhe me aludimin e pabazuar të SPAK se Udhëzimi nr. 4 i nxjerrë me 21.11.2007 për “Procedurën e fshirjes së rregjistrimeve të kryera në kundërshtim me ligjin…” u miratua për t’u ardhur në ndihmë familjeve pronare të Klubit Partizani. 

Sipas dokumenteve zyrtare të administruara nga SPAK në Vol.16, rezulton qartë se procedura ka filluar bazuar në numrin e madh të falsifikimeve mbi të cilat ishin bërë rregjistrime në ZRPP. 

Në dosjen hetimore Vol.16 shohim se më datë 29.10.2007, përmës shkresës 3941/2 prot. ish drejtori i ZRPP, Arben Qirjako paraqet “Mendim për Projekt-Udhezimin…”. Dy javë më pas, me 15.11.2007, përmes shkresës nr. 7319 prot. ish ministri-Ilir Rusmali paraqet “Projekt-Udhëzim për fshirjen e rregjistrimeve të falsifikuara, dhe e shoqëron me një relacion prej 3 faqesh. Një javë më pas, më 21.11.2007 del Udhezimi nr. 4 i Këshillit të Ministrave sipas kërkesës dhe mendimit të ZRPP dhe Ministrit të Drejtësisë. Udhëzimi nr. 4 i datës 21.11.2007 rezulton të jetë miratuar pra, shumë muaj përpara se pronarët e ligjshëm të njoftoheshin se duhej të blinin edhe tokën tek ish-pishina. 
Klubi Shumësportësh Partizani kishte si pjesë të tij edhe një pishinë që ndodhej gati 2 km larg, pranë sheshit Shqiponja. 

Asnjë nga familjet pronare që kërkonin tokën e trashëguar prej 13 vitesh nuk donin tokë tjetër veç asaj që ishte e tyre e vërtetuar katërcipërisht. Asnjë nuk e dinte se Klubi Partizani paskësh pasur pishinë si pjesë të aseteve dhe që duhej privatizuar, se kjo pishinë ishte e uzurpuar dhe se uzurpimi qe bërë në bazë të falsifikimit të dokumentave. SPAK shkruan se 3 vite më vonë udhezimi ka rezultuar antikushtetues, POR “harron” të thotë që megjithë ushëzimin, pronarët e KP, të cilët kishin paguar për pishinën, vijuan 7 vite gjyqe me uzurpuesit e pronës (2010-2017), derisa gjykata vërtetoi, me vendim të formës së prerë, se zaptimi i pishinës ish bërë në bazë të falsifikimit të dokumentave. SPAK ka fshehur dhe nuk ka pranuar të administrojë vendimin e gjykatës së formës së prerë për atë falsifikim, mesa duket, në përpjekje për të mbajtur tymnajën mbi të cilën ka vendosur masat e kufizimittë lirisë.
Qartazi pra, edhe ky pretendim mbi të cilin allogjikshëm u vendos masa e arrestit, ka rënë. 
 
12. Masat ndaj Berishës dhe Malltezit u vendosën edhe  nga pretendimi i prokurorëve dhe symbyllja e gjykatës se VKM nr.1638, datë 17.12.2008, kinse u ndryshua për t’i ardhur në ndihmë 5 familjeve pronare të ish KP. 

Këtë pretendim e lidhin me atë se, për një nga dy klubet, me vlerë prej afro 100’000$, pagesa u bë 20% me para, e 80%, sipas skemës së miratuar nga kjo VKM.

POR, prokurorët anashkalojnë dy fakte që hedhin poshtë pretendimet e tyre. Së pari, letrat me vlerë kanë qenë mjet pagese në rast privatizimi për qindra mijëra shqiptarë, që prej miratimit të tyre në vitin1995. Afati i përdorimit të tyre është zgjatur shumë herë, përfshi së fundmi, këtë vit, edhe nga mazhoranca aktuale. Ndaj zgjatja e afatit, për një instrument ligjor të përdorur gjerësisht në ekonominë e vendit nga qindra mijëra qytetarë, nuk përbën provë për favorizim. 

Së dyti, vetëm pak javë para miratimit të këtij ndryshimi nga qeveria e drejtuar nga Berisha, familjet pronare kishin paguar 100% me para, gati 700’000 $ të çmimit të privatizimit, që i përkiste vlerës së objekteve të klubit shumësportesh. Nëse do të kishte ndikim të paligjshëm, a nuk do të mundej familja Begeja dhe pronarët e tjerë të prisnin edhe një muaj dhe të paguanin shumën prej 700 mijë dollarësh me bono privatizimi? Për më tepër që, familja Begeja kishte gati 35% të objekteve të klubit për tecilin u pagua 700’000 $, dhe vetëm 4% tek e vetmja ndërtesë e objektit të klubit të futbollit, për të cilin u pagua 100’000 $. Pra VKM është ndryshuar që Malltezi të përfitojë, përkatësisht sipas pjesës që i takon, afro 62 euro! 

Nga afro 800,000 $ që paguan për privatizimin e të dy klubeve, pronarët e tokës paguan 720’000 $ me para dhe 80’000 $ me bono privatizimi, pra 90% me para dhe 10% me bono, pikërisht sepse nuk kishin informacion lidhur me hyrjen në fuqi të përdorimit të letrave me vlerë. 
Ndaj ndryshe nga sa pretendon prokuroria, edhe ky pretendimi SPAK mbi të cilin u vendos masa e arrestit është i rreme dhe nuk qëndron.
 
13. Masat ndaj Berishës dhe Malltezit u vendosën edhe mbi pretendimin e SPAK se klubet përbërës të KP funksiononin rregullisht, kur në të vërtetë prona vidhej dhe keqpërdorej për qëllime korruptive nga ata që ndonëse paguheshin për ta ruajtur dhe administruar, në fakt lejonin shfrytëzimin e paligjshëm të KP. SPAK ka refuzuar të marrë siprova shkresat e ish-ministrit Ismail Lleshi lidhur me marrjen në ruajte dhe administrim të pronës dhe mos lejimin e tjetërsimit. Në materialet e dosjes hetimore SPAK ka (1) disa formulare të Bashkisë së Tiranës (firmosur nga Edi Rama) shënonin se thuajse të gjitha objektet ishin “zënë forcërisht”, (2) ish-drejtori Isa Tare në 2006 shkruante se situata është plot me uzurpues qoftë familjarë dhe qoftë biznes dhe se nuk i ishin përgjigjur as strukturat shtetërore dhe se paligjshmëria kryhej “ndoshta edhe me lejen dhe bekimin e atyre drejtuesve që kanë detyrë t’i japin fund kësaj situate” (dosja hetimoreVol.4, faqe 362-363), (3) shkresa e Zv. Ministrit të Sporteve Alibali në 2006 (e administruar në dosje) shkruan se klubin nuk e kishin marrë as në inventar pasi shumica e objekteve ishin zënë forcërisht nga familje informale. Pra, qysh nga viti 2000 shteti as nuk e administronte dhe as nuk e posedonte pronën ndonëse dhjetëra paga paguheshin për administratë shtetërore. [41 familje informale jetonin në kushte të mjerueshme në ndërtesat e amortizuara të ish-Klubit dhe pronarët i sistemuam të gjithë në banesa dinjitoze e nuk nxorrën askënd në rrugë.]

Pra ndryshe nga sa pretendon SPAK për vijimin e rrethanave, është e qartë se të gjitha pretendimet mbi rrethanat kanë rënë.

14. Masat ndaj Berishës dhe Malltezit u vendosën edhe duke përdorur pretendimet e një ushtaraku, z.Qirjazi, i cili në përbuzje të detyrës shtetërore lejonte uzurpimin e paligjshëm të klubit për arsye të dyshimta. Ndër justifikimet që paraqiten nga Z. Qiriazi janë mospërputhja e sipërfaqes mes asaj që ka qenë në VKM 515 datë 18.07.2003 dhe plan-vendosjes së hershme, që datonin dekada më parë. SPAK e ka të qartë se ish-ushtaraku në fjalë nuk kish asnjë tagër ligjor mbi privatizimin. Detyra e vetme e tij ishte që, pavarësisht procesit të privatizimit, të merrte pronën shtetërore nën administrim dhe pas kryerjes së privatizimit dhe pagesës së çmimit nga pronarët, të bënte dorëzimin e saj. Refuzimi i tij për të marrë pronën në administrim, pra për t’ia lënë atë në shfrytëzim uzurpuesve pa tagër ligjor, mjafton për të treguar se SPAK mbështet abuzimin me detyrën dhe pronat shtetërore, në kurriz të zbatimit të ligjit, për të mbajtur në arrest kreun e opozitës.

Përsa i përket pretendimit mbi sipërfaqet përkatëse të dyk lubeve, theksojmë se ato janë caktuar nga Bashkia Tiranë (GIS Kadastra) dhe janë firmosur nga Drejtoresha e autorizuar nga Edi Rama. Nëse GIS Kadastra ka hequr pjesë sipërfaqe nga ish-Klubi i Futbollit dhe ia ka kaluar ish-Klubit Shumësportësh, kjo është një çështje e Bashkisë dhe e institucioneve dhe nuk ka asnjë lidhje me pronarët e tokës, pasi kjo nuk sjell ndryshim në sipërfaqen totale të ish-klubit Partizani dhe pra, në vlerën totale të privatizimit. 

Gjithashtu kujtojmë se 5 familjet pronare kishin po në zonën e KP rreth 22,000 m2 tokë më shumë sesa sipërfaqet e të dy ish-klubeve të marra së bashku.
SPAK ka pretenduar se z. Qiriazi është shprehur se “Ministri I ka kërkuar Vladimirit të firmoste pasi kjo gjë i kërkohej edhe atij”, por fsheh dëshminë e ish-ministrit Oketa i cili kur u pyet lidhur me këtë pretendim u përgjigj se “është absolutisht e pavërtetë”. Jo vetëm kaq, por z. Qiriazi shkruan se “Grupi i punës nuk është lejuar të futet brenda kësaj pronë”. Por ndërkohë që institucionet zyrtare mbyllnin sytë para grabitjes së pronës, në materialet e dosjes (Vol. 10 faqe 320) shohim se DMIB shkruan se “detyra sipas ligjit nuk është zbatuar.” Nuk pranohen justifikimet e kota pasi për të ruajtur pronën shtetërore, zyrtaret kishin “policinë ushtarake për të vepruar”! 

E gjithë lufta e z.Qirjazi pra, nuk kishte të bënte me procesin e njohjes, kthimit, privatizimit të objekteve të rrënuara e të uzurpuara (pasi pronarët e tokës kishin paguar paratë prej shumë muajsh), por me zbatimin e ligjit nga z.Qirjazi dhe marrjen e pronës në administrim të shtetit, e më pas dorëzimin tek pronarët e ligjshëm. Mos dorëzimi e detyronte ligjërisht shtetin të paguante qira per çdo ditë vonese tek pronarët e tokës sipas Nenit 8 të Ligjit për Kthimin e Pronave.
Sado i turpshëm ky pretendim i SPAK në mbrojtje të shkelësve të ligjit, edhe ky pretendim mbi të cilin janë vendosur masat e arrestit, ka rënë.

E reja që nuk e ka shkruar prokurorja e sponsorizuar nga Taulant Balla para 10 muajsh është që i vetmi dëm financiar i shkaktuar është dëmi shkaktuar nga shpërdorimi i detyrës nga Edi Rama që solli dëm 320,000 euro në financat publike. SPAK e administroi para pak muajsh këtë vendim të formës së prerë të gjykatave, por nuk ka guxuar as të shprehet, e jo më të mbajë përgjegjës Ramën për demin.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco