Zgjedhje të lira/ Berisha: Ftoj të gjitha forcat politike opozitare nesër në shesh! Të bashkohemi në diversitet

20:50, 10/07/2024
A+ Aa A-

Lideri i opozitës, Sali Berisha ka ftuar në protestën e nesërme para Kryeministrisë të gjitha forcat politike opozitare.

‘Ftoj të gjitha forcat politike opozitare nesër në shesh, në qoftë se jeni për zgjedhje të lira! Të bashkohemi në diversitet’, theksoi Berisha gjatë protestës maratonë te ‘Rruga e Shpresës’.

Berisha: Thirrja ime shkon për çdo intelektual dhe intelektuale, ngrihuni në lartësinë e misionit tuaj.

Dhe një gjë kurrë mos harroni, se konformizmi është sëmundja më poshtëruese, më denigruese, më depersonalizuese e një intelektuali.

Inteligjenca shqiptare e provoi 46 vite me radhë në diktaturën komuniste.

Ajo më shumë se kushdo tjetër, duhet të thotë kurrë më, o sot o kurrë.

Ndaj dhe nesër, të gjithë në shesh.

Thirrja ime është për të gjithë profesionistët e lirë, nesër në shesh.

Ju e patë se si armiku juaj desh t’u përzinte ju nga Shqipëria.

T’u falimentonte duke shkelmuar mbi kontributet, mbi shërbimet, mbi mundin, djersën tuaj.

Dilni nesër në shesh t’i dëshmojmë botës se ne jemi shumica e Shqipërisë.

Se ne do ecim të sigurt drejt fitores.

Por nesër nuk është një betejë për Sali Berishën.

Nuk është një betejë për PD-në.

Nesër është betejë dhe betim për Shqipërinë, të cilës i kanë rrëmbyer zemrën e lirisë, votën e lirë.

Ndaj demokrate dhe demokratë, opozitare dhe opozitarë, shqiptare dhe shqiptarë, të gjithë në shesh nesër për të firmosur betimin se votën e lirë kurrë nuk do e falim më.

Për të firmosur betimin se me armikun e votës së lirë, Edi Ramën, nuk ka dhe nuk mund të ketë zgjedhje të lira.

Për të firmosur betimin se jemi të gatshëm për çdo sakrificë, për t’u rikthyer shqiptarëve votën e lirë.

Ndaj dhe me këtë rast, unë ftoj të gjitha forcat politike opozitare, forcat politike tradicionale, forcat e reja politike, nesër në shesh, në qoftë se jeni për zgjedhje të lira.

Në qoftë se nuk besoni në mashtrimet e Edi Ramës për zgjedhjet.

Të bashkohemi në diversitet, e doni apo nuk e doni Sali Berishën, pak rëndësi ka, rëndësi ka të doni votën e lirë, lirinë e shqiptarëve.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco