VOA/ Mandati i Xhaçkës, Kushtetuesja: Parlamenti i detyruar ta sjellë te ne

VOA/ Mandati i Xhaçkës, Kushtetuesja: Parlamenti i detyruar ta sjellë te ne

18:55, 10/07/2024
A+ Aa A-

Në Shqipëri, Gjykata Kushtetuese, shfuqizoi sot vendimin e parlamentit i cili refuzonte dërgimin në këtë gjykatë të mocionit të opozitës për papajtueshmërinë e mandatit të deputetes Olta Xhaçka. Në muajin prill, socialistët e interpretuan votën e tyre me faktin se pavarësisht se vendimet e Gjykatës Kushtetuese janë të detyrueshme për zbatim, deputetët, sipas kushtetutës janë të lirë në vendimmarjen e tyre.

Pikërisht për këtë çështje, parlamenti kërkoi pak ditë më parë, nga Gjykata Kushtetuese, që t’i drejtohej Komisionit të Venecias për të sqaruar ndër të tjera se “bazuar në parimet e demokracisë parlamentare përfaqësuese, a mund të detyrohen deputetët që të votojnë në një mënyrë të caktuar? Nëse ka përjashtime të tilla, cilat janë ato dhe a kanë lidhje me rastin e mocioneve për pajtueshmërinë e mandatit të një deputetit?”. Por kërkesa për të përfshirë komisionin e Venecias u rrëzua nga Gjykata.

Siç shpjegoi sot kryetarja Holta Zaçaj, Gjykata Kushtetuese ka vlerësuar se “deputetët duhet të votojnë në përputhje me urdhërimin e Gjykatës, pasi ky votim nuk është një procedurë e zakonshme parlamentare dhe si e tillë nuk ka të bëjë me parimin e mandatit jodetyrues të deputetit, por është në kuadër të ekzekutimit të vendimit të Gjykatës”. Mbetet për të parë, se si Gjykata do ta argumentojë këtë moment, në vendimin e arsyetuar të saj.

Po ashtu është e paqartë se çfarë do të ndodhë, nëse parlamenti, në këtë rast shumica, i qëndron interpretimit të saj. Kryetarja e Gjykatës përsëriti nga ana e saj, se “vendimi është shumë i qartë. Askush nuk mund të vendosë të mos ekzekutojë vendimin e Gjykatës Kushtetuese. Fuqia e vendimeve të saj është e barabartë me fuqinë e ligjit. Të mos zbatosh vendimin e Gjykatës Kushtetuese, do të thotë të mos zbatosh kushtetutën dhe ligjin”.

Çështja e mandatit të zonjës Xhaçka vijon prej gati dy vitesh të endet mes parlamentit dhe Gjykatës Kushtetuese. Pikëpyetjet mbi rastin e zonjës Xhaçka, lindën pasi kompania e bashkëshortit të saj, Artan Gaçi, mori statusin e investitorit strategjik për një hotel turistik, gjë e cila sipas opozitës përbën konflikt interesi. Çështja mori sërish vëmendje pasi pak muaj më parë Gjykata e Posaçme vuri nën sekuestro mbi 10 mijë metra katrorë sipërfaqe mbi të cilën parashikohet të ngrihet hoteli. Trualli i blerë nga zoti Gaçi, prej personave privatë, rezulton të jetë përfituar prej këtyre të fundit, përmes falsifikimit të dokumentave dhe se sipërfaqja ka qenë në pronësi të shtetit. Më herët, pikërisht për dyshimet mbi pronësinë e kësaj sipërfaqejeishte arrestuar dhe ish kryebashkiaku i Himarës Jorgo Goro./ VOA/ 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco