Bozdo: 180 mln euro të hedhura për tunelin e Llogarasë janë një investim pa logjikë ekonomike

Bozdo: 180 mln euro të hedhura për tunelin e Llogarasë janë një investim pa logjikë ekonomike

13:50, 08/07/2024
A+ Aa A-

Anëtari i kryesisë së PD, Eno Bozdo ka ragura gjatë ditës së sotme për skandalin e radhës të qeverisë Rama me investimin në Tunelin e Llogarasë.

“180 mln euro të hedhura për tunelin e Llogarasë janë një investim pa logjikë ekonomike”, tha Bozdo në një deklaratë për median.

Deklarata e anëtarit të kryesisë së PD, Eno Bozdo:

Sa herë që merret vendim për të bërë apo jo një investim publik, kriteri thelbësor që qeveria duhet të marrë në konsideratë është: sa është numri i shqiptarëve që përfitojnë nga ky investim? Cilat rajone të Shqipërisë përfitojnë ekonomikisht? Cilat tregje lidhen më mirë dhe shërbime ofrohen më lirë?

Këto ishin pyetjet kur qeveria e Partisë Demokratike vendosi të ndërtonte Rrugën e Kombit dhe Tunelin e Kalimashit. Lidhja e tregjeve të Shqipërisë me Kosovën ishte dhe është objektivi më i rëndësishëm ekonomik, politik dhe gjeostrategjik për çështjen tonë kombëtare.

Kjo ishte gjithashtu përgjigja kur qeveria e Partisë Demokratike vendosi të ndërtonte Tunelin e Qafë Krrabës apo Tunelin Kardhiq-Delvinë. Këto tunele lidhin popullata të mëdha, ndihmojnë ekonominë dhe turizmin, shkurtojnë ndjeshëm rrugët dhe e bëjnë Shqipërinë të kapshme dhe të mundshme për të gjithë.

Në këtë kontekst, 180 milionë euro të hedhura për tunelin e LLogarasë janë një investim pa asnjë logjikë ekonomike. Shkurton kohë në mënyrë të papërfillshme-vetëm 20 minuta-, i shërben shumë pak individëve, praktikisht ‘pakicës së pakicës’.

Partia Demokratike në qeverisjen e saj i ka kushtuar rëndësi primare infrastrukturës rrugore. Për këtë arsye ne nuk jemi dhe nuk mund të jemi kurrë kundër investimeve të tilla, përsa kohë ato kanë bazë ekonomike dhe i shërbejnë shumicës së popullatës, pra jo tekave të pakicës.

• Me 180 milionë euro të shpenzuara mund të bëhej disa herë rruga e re Berat-Skrapar-Përmet -Ura e Kardhiqit, për të ndihmuar realisht ekonominë, turizmin dhe jetën e banorëve të 3 qyteteve me tradita qytetare dhe historike të Shqipërisë. Rruga e sotme është e pakalueshme dhe kjo maxhorancë, edhe pse e ka premtuar disa herë këtë investim, nuk ka bërë asgjë;

· Me 180 milionë euro mund të ribëhej disa herë rruga Berat-Këlcyrë-Përmet, e ndërtuar në kohën e pushtimit italian, por sot e shkatërruar totalisht gjë ka sjellë edhe braktisjen masive të zonave rurale;

• Me 180 milionë euro mund të mbarohej, më në fund, Rruga e Arbërit, e cila mund të konsiderohet Rruga e Kombit nr. 2, dhe që ka 12 vite që zvarritet.

• Me 180 milionë euro mund të përfundonte edhe Rruga Qukës-Qafë Pllocë, pjesë e rëndësishme e Korridorit nr 8, e cila ka gjithashtu 10 vjet që zvarritet.

Këto para duhet të shkonin minimalisht në këto prioritete, përpara se të investoheshin për t`i shërbyer ‘pakicës së pakicës’.

Dhe të mos harrojmë: nuk janë paratë e Edi Ramës, por paratë tona të cilat duhet të shkojnë aty ku ka më shumë nevojë dhe ku përfitueshmëria publike është më e madhe.

Këtë të vërtetë nuk e mbulon dot njeri, as edhe këngët që i thuren dhe këndohen ‘udhëheqësit global’. As lotët e krokodilit të superministres.

Kundër këtij abuzimi dhe shumë të tjerave si ky, më datë 11 qershor të bashkohemi në Tiranë, të protestojmë për padrejtësitë e panumërta, për vjedhjet e qeverisë që nuk ngopet kurrë, për krimin dhe paratë e pista që po shkatërrojnë arsimin, rendin, shëndetësinë, ekonominë.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco