SYRI TV/ Shqipëria 'kampion bote' për banesa bosh, OECD dhe INSTAT: 32.9% e banesave, s`banohen

14:48, 29/06/2024
A+ Aa A-

Shpopullimi i vendit për shkak të emigrimit masiv, por edhe zgjerimi agresiv i ndërtimit e kanë ngjitur Shqipërinë në majën e botës për një tregues problematik. Atë të banesave bosh.

 

Kapitali ka kryqëzuar të dhënat e publikuara të dhënat e publikuara një muaj më parë nga OECD me ato të shpallura nga Censusi i popullsisë dhe banesave të INSTAT.

Sipas tyre rezulton se Shqipëria është sot vendi me përqindjen më të madhe të banesave bosh në glob. Por si arriti Shqipëria në këtë pikë? Të dhënat historike të INSTAT tregojnë se pesha e banesave bosh ka ardhur në rritje që nga viti 2001.

Por rritja duket se është përshpejtuar në dekadën e fundit, teksa vendi përballet me valët e reja të emigracionit masiv, ndërsa ndërtimi rritet me ritme të frikshme.Në Censusin e vitit 2001, pesha e banesave të pabanuara në  Shqipëri ishte sipas INSTAT vetëm 11.3 për qind e totalit.

Në vitin 2011 shifra u rrit në 21.7 për qind, ndërsa në Censusin e fundit të vitit 2023, pjesa e banesave bosh arriti në 32.9 për qind. Kjo do të thotë se aktualisht në Shqipëri ka 356 mijë banesa të pabanuara.

Sipas INSTAT, aktualisht 40 për qind e apartamenteve në pallate janë bosh, të pabanuara. Kjo i korrespondon një shifre prej gati 180 mijë apartamenteve të pabanuara. Pra tashmë, problemi nuk është tek zhvendosja e popullsisë nga fshati në qytet, por zbrasja e apartamenteve në qytete.

Teksa 40 për qind e pallateve janë bosh, në Tiranë vazhdojnë të ngrihen kullat shumëkatëshe, të cilat garojnë me njëra tjetrën se cila ngjitet me lartë. Dhe pavarësisht këtij bumi në ofertë, çmimet vazhdojnë të rriten me ritme të pandalshme.

Për shumë ekspertë këto paradokse shpjegohen nga faktorë të tjerë përtej atyre legjitimë. Sipas tyre, tregu i ndërtimit riciklon dhe ushqehet nga paratë që vijnë nga burime të paligjshme, si trafiku i drogës, por edhe korrupsioni galopant.

Kohët e fundit ky fenomen ka filluar të shqetësojë edhe vendet partnere, të cilat po e njësojnë bumin e ndërtimit në Shqipëri gjithmonë e më shumë me paratë e trafiqeve.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco