Gjysma e popullsisë në emigrim

Gjysma e popullsisë në emigrim

16:51, 28/06/2024
A+ Aa A-

Të dhënat e publikuara nga Censi 2023, në krahasim me të dhënat e regjistrit civil, sugjerojnë se së paku 48% e popullsisë ose 2.2 milionë shqiptarë jetojnë aktualisht jashtë Shqipërisë, pa llogaritur këtu shqiptarët që kanë hequr dorë nga shtetësia apo fëmijët e emigrantëve që nuk janë regjistruar në atdhe.

Shqipëria duket se është bërë një atdhe emigrantësh, ku më shumë se gjysma e popullsisë jeton jashtë vendit. Të dhënat e analizuara nga BIRN të censusit të popullsisë 2023, të cilat u publikuan të premten nga Instituti i Statistikave dhe ato të Regjistrit Civil, i cili mbahet nga Ministria e Brendshme dhe që u morën nga BIRN përmes një kërkese për të drejtë informimi, sugjerojnë se i gjithë territori i vendit është prekur në masë nga fenomeni i emigrimit, i cili ka dërguar nëpër botë së paku 2.2 milionë njerëz përgjatë tre dekadave të fundit.

Të dhënat e Regjistrit Civil tregojnë se popullsia me shtetësi shqiptare në fund të vitit 2023 ishte 4,611,189 vetë ndërsa të dhënat e Censit 2023, të cilat pasqyrojnë situatën faktike të gjetur në shtator 2023, tregojnë se në Shqipëri banojnë 2,402,113 vetë. Diferenca e këtyre dy shifrave, më shumë se 2.2 milionë banorë, është popullsi me shtetësi shqiptare që jeton jashtë vendit.

Popullsia shqiptare që jeton jashtë vendit ka gjasa është edhe më e madhe se sa kaq nëse marrim parasysh se një pjesë e emigrantëve kanë hequr dorë nga  shtetësia ose nuk i  kanë regjistruar në Gjendjen Civile shqiptare fëmijët që kanë lindur jashtë.

Të dhënat e ndara sipas qarqeve tregojnë se të gjitha qarqet janë prekur nga emigrimi, ndonëse në përmasa të ndryshme.

Qarku i Vlorës, ku përfshihen bashkitë Vlorë, Selenicë, Himarë, Sarandë, Delvinë, Finiq e Konispol duket se ka përqindjen më të lartë të popullsisë në emigrim. Regjistri Civil shënon si popullsi në këtë qark 390 mijë vetë, por INSTAT gjeti në shtatorin e kaluar vetëm 243 mijë vetë, gjë që do të thotë se 62% e popullsisë atje jeton jashtë Shqipërisë.

Qarku i Gjirokastrës është i dyti për nga përqindja e lartë e popullsisë jorezidente me 58% ndërsa në Lezhë kanë emigruar 56% e në Shkodër, 55% e popullsisë. Në anën tjetër, Tirana, Dibra dhe  Berati  kanë një shkallë emigrimi krahësimisht më të ulët. Këtu,  rreth  37% e popullsisë me shtetësi mungoi në censin e vitit të kaluar.

Për nga numri faktik, Qarkut të Tiranës i  mungojnë rreth 450 mijë shtetas ndërsa në Fier mungojnë 271 mijë vetë, pasuar nga Durrësi ku mungojnë 248 mijë vetë, Vlora me 243 mijë vetë.

Sipas të dhënave të Censit, 32% e popullsisë në Shqipëri jeton aktualisht në Tiranë, pasuar nga Elbasani dhe Fieri me 10% secili dhe Durrësi me 9%./BIRN

Image

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco