Dasho: Onkologjiku po hidhet për konsum, që të sabotohen hetimi parlamentar dhe fitoret ligjore të opozitës!

Dasho: Onkologjiku po hidhet për konsum, që të sabotohen hetimi parlamentar dhe fitoret ligjore të opozitës!

10:32, 27/06/2024
A+ Aa A-

Dr. Erion Dasho, mjeku që jeton dhe punon në Gjermani, kritik i zhvillimeve politike në vendin tonë, e ka parë krejt ndryshe shpërthimin e skandalit të korrupsionit të mjekëve në Spitalin Onkologjik në Tiranë pikërisht në këtë moment. Ai ka bindjen se “ky skandal nxirret sot sepse në shëndetësi duhet sabotuar puna e komisionit hetimor, kurse në përgjithësi në skenën politike, të tërhiqet vëmendja nga fitoret e spikatura të opozitës siç janë: vendimi gjyqësor për njohjen se cila do të jetë opozita ligjore në Shqipëri,  vendimi i drejtë për moscenimin e mandatit të kreut të opozitës dhe protestat e përditshme të opozitës.”

I ftuar sot në emisionin Kafe Shqeto në SYRI TV, dr. Erion Dasho tha:

“Ndoshta është qëndrim kundër rrymës, keni të drejtë, sepse unë gjatë gjithë kohës kam qenë dhe mbetem kritik i ashpër i mënyrës sesi është qqeverisur ose keqqeverisur ose siç nuk është qeverisur, shëndetësia në këto dhjetë vjet, por këtu kam një pakënaqësi ndaj mënyrës sesi është trajtuar ky rast.

Askush nuk ka për t’i mbrojtur ata kolegë nëse akuzat që janë bërë ndaj tyre provohen. Janë akuza që unë dot t’i quaja të përbindshme, skandaloze. Pra, nëse arrihet të provohet se ata realisht i kanë kryer të gjitha ato për të cilat akuzohen., sigurisht që do të marrin dënimin që u takon sipas vendimeve që do të japin organet e drejtësisë.

Por mua nuk më pëlqen, jo vetëm në rastin e këtyre kolegëve, por ne rastin e të gjithë arrestimeve që bëhen në Shqipëri, unë nuk e konceptoj dot duke jetuar në Gjermani dhe në Europë, se si mundet në një media të shikosh emrin, mbiemrin, emrin e nënës, emrin e babait, datëlindjen, numrin e kartës së identitetit, t’i shikosh të gjitha këto për një person që është ende i akuzuar dhe nuk është provuar.

E dyta, ajo që është kryesoja dhe që mua më ka bërë përshtypje është momenti se kur ka dalë ky skandal, se është një problem i cili dihet, është një problem i trashëguar prej vitesh për të mos thënë prej dhjetëra vitesh.

Pse del ky problem pikërisht sot?

Dhe unë e lidh me disa elementë që ndodhin sot.

Në radhë të parë është një element që po ndodh brenda sistemit shëndetësor. Kemi komisionin hetimor parlamentar të hajdutërive me koncesionet e shëndetësisë. Kemi një komision që është sabotuar që nga dita e parë e Rilindjes dhe prej rilindësve, sepse ata i tmerrohen daljes dhe bërjes publike, bërjes zyrtare të hajdutërisë së pashembullt të 500 milionë eurove në sistemin shëndetësor shqiptar.

E kanë sabotuar këtë komision që nga dita e parë duke mos marrë pjesë; e kanë sabotuar që para fillimit të punës duke caktuar zonjën Milva Ekonomi që ka qenë zv.ministre në kohën e koncesioneve,  që ka firmosur për konçensionet. Sot zonja Ekonomi është pjesë e komisionit që heton veten e vet - një rast i pashembullt ky, një konflikt interesi i pastër.

Kur ky komision sot, nën drejtimin shumë profesional të opozitës dhe me pjesëmarrje shumë aktive të mjekëve të opozitës dhe anëtarëve të opozitës në komision, evidenton se çfarë vjedhjesh të përbindshme kanë ndodhur me Checkh Up, me Sterilizimin, me konçesionin e Laboratorit, që ka shkatërruar diagnostikën e sistemit shëndetësor ... Pra, kur këto fakte po kalojë tashmë nga media dhe nga hapësira mediatike - në dokumentimin në një raportim të hetimit parlamentar, pikërisht sot shpiket një skandal i cili ka dhjetëra vite që mahiset. Janë probleme që dihen këto; vetëm te SYRI TV ne kemi analizuar vitin që kaloi tre ose katër herë, mungesën e preparateve onkologjike. Deri edhe për fëmijët e sëmurë me tumore kanë munguar këto preparate. Atëherë pse nxirret ky skandal sot?!

Nxirret ky skandal sot sepse në shëndetësi duhet sabotuar puna e komisionit hetimor, kurse në përgjithësi në skenën politike, fitore të spikatura të opozitës siç janë vendimi gjyqësor për njohjen se cila do të jetë opozita ligjore në Shqipëri, vendimi i drejtë për moscenimin e mandatit të kreut të opozitës, protestat e përditshme të opozitës që kanë sensibilizuar publikun se jemi duke u qeverisur nga banditë dhe hajdutë prej 11 vitesh... të gjitha këto duan sigurisht një tërheqje vëmendjeje. Duan sigurisht, një ngjarje, e cila të duket në pamje makabre  (dhe është realisht makabre po t’i vërtetojë gjykata ato akuza që i bëhen mjekëve), pra i hidhet publikut për konsum një situatë që tërheq vëmendjen nga ato që janë problemet e vërteta që ndodhin qoftë në arenën politike, qoftë në arenën shëndetësore. “/ar.sh/SYRI.NET

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco