Amerikanët dashuruan qeveritarët, ‘braktisën’ shqiptarët

Amerikanët dashuruan qeveritarët, ‘braktisën’ shqiptarët

15:56, 24/06/2024
A+ Aa A-

Nga Basir Çollaku

SHBA-Shqipëri.

Marrëdhëniet u vendosën me 28 korrik 1922. U emërua më pas ambasadori i parë me 4 dhjetor 1922, Ulysses Grant Smith. U ndërprenë me mbylljen zyrtarisht të ambasadës amerikane në Tiranë me 16 shtator 1939, për tu rikthyer me më 15 mars të vitit 1991 me emërimin e ambasadorit William Raierson.

Perandoria Amerikane, për ne shqiptarët është shpëtuese e asgjësimit tonë në fillesat e shtetit me veton e presidentit Willson në Paris. Nuk u përfshi aq sa meritonim dhe dëshironim, kur anglezët pas Luftës së Dytë Botërore, anuan nga fatet e Greqisë, duke na lënë ne, tutje në sinoret e Stalinit. Pasojat dihen. Më pas, në gjysëm shekullin e diktaturës, ata ishin ëndërr, shpresë, lakmi e shumëçka mbante gjallë në ekzistencë kundërshtarët e regjimit. Pikatoret me diversantë nuk prodhuan liri, deri kur nisi shembja e madhe e murit të Berlinit, ndarjes së sistemeve, valë goditëse për mbarë lindjen. Në vitet 90 një vizitë e Ramiz në New York në OKB shënoi zbutje, e më pas protesta të komunistëve të pakënaqur ndaj të kënaqurve, ku nuk mungoi përpunimi mbushës i turmave, prodhoi pluralizmin, thuajse të kontrolluar në Shqipëri. Në Tiranë kthehen amerikanët, me rivendosjen e marrëdhënieve diplomatike, një ogur mbarësie dhe rëndësie. Motet rrodhën e sot gjendemi në një hartë politike të tjetërsuar ku globalistët e konservatorët përballen botërisht.

Habia zhgënjyese pas daljes nga regjimi i të persekutuarve, të djathtëve, atyre me memorie dijenie se, SHBA ishte antikomuniste e thekur, u befasua kur në Ambasadën Amerikane në Tiranë, të përzgjedhur si punonjës shqiptarë, u bënë ish-punëtorë e bashkëpunëtorë të Sigurimit të Shtetit. Ata ishin agjentë të gatshëm, njohës të mëkateve të gjithkujt në Shqipëri dhe Perandoria i selektoi si instrumentë. Megjithatë, ndihma amerikane, siç ishte vijon të mbetet përcaktuese ngjashëm me vitet 1900. Në 97-ën dora e tyre mbajti në binarë sërish Shqipërinë. Çlirimi dhe pavarësia e Kosovës janë një tjetër monument i përjetshëm amerikan për Kombin tonë, e ne mbetemi përsëri Kombi më pro-amerikan, ndoshta në planet.

Por…!

Ka një rënie të kësaj mbështetjeje, shqetësuese kjo me të drejtë edhe për miqtë tanë tej Atlantikut. Në 15 vitet e fundit, animi me pjerrësi të shtuar pas interesave, kur radha ka rënë në agjendë, për disa ngjarje komplekse, nuk është prodhuar ngjashëm pëlqyeshmëri. Rajoni ku dy shtetet shqip, Shqipëria e Kosova apo vendet ku shqiptarët janë shtetformues si Maqedonia e Veriut dhe Mali i ZI, kanë vëmendje amerikane të theksuar, ndonëse Tirana zyrtare nuk ka qenë në këtë dekadë aktor,faktor përbashkues.

Çdo ambasador, diplomat, i dërguar, kongresmen apo senator i ardhur në Tiranë, kryefjalë publike ka pasur tekstin se, SHBA është aleate e shqiptarëve, qytetarëve të këtij vendi. Xhorxh Soros, filantropisti majtist, kishte hedhur rrënjë në Shqipëri, nga vitit 94 e po ndërtonte “partinë e njerëzve të tij” sa amerikane aq edhe personale, sipas rastit, për ta pasur aty kur duhej.

Në ngjarjen e rëndë të 21 janarit 2011-të, ku u vranë tragjikisht katër qytetarë, akush nuk e shpjegon dot deklaratën e ambasadorit amerikan Aleksandër Arvizu, teksa pohonte se kryeministri Sali Berisha ishte një burrë shteti. Për atë që nuk bëri? Për atë që nuk tha? Apo sepse dëgjoi amerikanët për ca informacione shumë delikate për njerëz të përfshirë?! Se Soros, sipas kabllogrameve të publikuara, kërkoi nga Hillari Klinton, sekretarja amerikane shtetit, të ndërhynte në Tiranë, duke vendosur edhe për emrat politikë amerikanë e evropianë si ndërmjetës?!

Në vitin 2013 Edi Rama bëhet kryeministër. Ra në sy dukshëm përfshira në ekipin e tij parlamentar e qeveritar, përfshirja e emrave me rekorde kriminale, ku në tavolina ai justifikohej se më duheshin se pa këto nuk e mundja dot Berishën. E vesi del me shpirtin. Amerikanët e toleruan. Ishte vetëm fillimi.

Në vitet 2014-2015-2016, Shqipëria u bë prodhuesja, tregtuesja, eksportuesja më e madhe e canabisit në Evropë. Ambasadori amerikan Donald Lu nuk tha asnjë fjalë. Madje në pikun prodhues e trafikues Rama e Tahiri shoqëruar nga Lu u bënë vizitorë të zyrës Ovale në tryezë me presidentin amerikan Barak Obama. Këmbëngulja opozitare e presioni amerikano-evropian, solli në dhjetor 2014, dakordësinë për ligjin e dekriminalizimit, ose çmontimin e ramës nga inkriminimi. Rezultati një iluzion. Ndonëse raportet e DEA, Europol, CIA, reflektonin të dhëna tronditëse të këtij trafiku. Ish-kreu shërbimit Informativ Shtetëror, Visho Ajazi, denoncoi në Prokurorinë e Përgjithshme mes të tjerash, emra konkret, një listë të madhe rreth 200 oficerësh policie të inkriminuar si pjesë e bandave të drogës. Heshtje. Amerikanët dhe evropianët me të drejtë kërkonin një impuls më energjik e të pastër të drejtësisë, duke dashur një reformim të sajin, ndonëse sapo ishin mbushur 10 vite nga modeli mëparshëm të Krimeve të Rënda, ideuar po prej tyre. Nazet rezistuese të Edi Ramës i gjendur rehat në rritjen agresive të pushtetit, shemben kur del si pa dashje raporti OSCE, se Edi Rama kishte një pasuri 200 milionë dollarë të menaxhuar nga i vëllai Olsi nëpër off shore në SHBA.

Shfaqet Soros financues e drafti punohet nga njerëzit punonjës nëpër fondacionet e projektet e tij ndër vite. Reforma në drejtësi u votua nga 140 deputetë dhunshëm, e rrallë kush mund ta ketë lexuar. Mesazhet nga rruga e Elbasanit, nëse nuk voton atëherë.....mjaftuan për tufëzimin e kartonave të parlamentit. Donald Lu dhe Romana Vlahutin shpërthyen me një puthje pasioni profesionale më shumë se emocionale pas 140 votave pro. Adriatik Llalla u akuzua e dënua pas përplasjes me Ambasadorin Donald Lu sepse siç ka pohuar ish-prokurori i përgjithshëm, diplomati kërkoi mos hetimin e kompanisë së naftës ku kishin interesa emra jo të panjohur amerikanë. U gatua një kapje e re drejtësisë. Opozita braktisi procesin në mënyrë të pashpjegueshme duke sjellë kosto të lartë. Vettingu erdhi si një gjellë kombëtare e ndërkombëtare, e një ekipi politik mesatarisht të dobët profesionalisht të pakapërdishëm, lexues të porosive të Edi Ramës. Rama rriste pushtetin dhe afrinë me Mafian e të korruptuarit. Ministra e bashkiakë të tij u bënë të pandehur. Ambasadoresha Yuri Kim, fekste nëpër evente e fotot me to si në pasarela mode. Berisha shpallet non grata. Amerikanët premtojnë prova nuk tregojnë asgjë për tre vite. Basha fshihet pas pafuqisë, thërmon PD-në e prêt mos u duhet ndërkombëtarëve. Të dërguarit Palmer dhe Eskobar gjezdisin në Tiranë si zotër të drejtësisë, ndonëse kur lëkunden nga postet zbulohen interesa jo thjesht zyrtare por me hise ekonomike. Charles McGonigal drejtori FBI korruptuar e dënuar nga Rama, dënuar në USA, zbuloi afera të rënda shërbimesh dhe ekonomike. Ambasada amerikane natyrisht nuk ka qenë e paditur por nuk ka thënë asnjë germë. Yuri Kim shiste barngrënie për PD në favor të Edi Ramës. Sot pas mbështetjes së qeverisë dhe Edi Ramës amerikanët e dinë me një pafundësi burimesh se tregtarët shqiptarë dhe jo vetëm të kokainës gjeneralë e mafiozë janë lidhur me Edi Ramën. Mbase më tepër se 15 miliardë euro kanë vërshuar në tregun e pastrimit të parasë. DEA e di. Ka hapur zyrë në Tiranë. Ata e dinë për vëlla Olsin. Interesat e qeveritarëve dhe Edi Ramës nuk përkojnë aspak me ato të shqiptarëve. Rama mund të ketë përcjellë interesa grupimesh politike e korporatash amerikane për Kosovën, e kjo i ka zgjatur qëndrimin në pushtet, siç i ka sjell ndëshkim Berishës si kundërshtar. Blinken një qokëbërës i Soros, u tall publikisht me shqiptarët duke na shenjtëruar Ramën në Tiranë si superudhëheqës. Do jenë habitur trafikantët e të korruptuarit afërmendsh. Zgjedhjet janë masakruar nga Mafia dhe Rama dhe amerikanët e dinë por e kanë mbështetur. Vota nuk ekziston. Ajo nuk prodhon rrotacion. Kur qytetarët zemërohen e me të drejtë rebelohen, pesë gjashtë ambasada lexojnë hartime në mbrojtje të Ramës e Veliajt. Kjo nuk është aleancë me qytetarët as me shqiptarët. Ambasada nuk ka drejtues. Amerikanët do të bëhen aleatë të qytetarëve në Tiranë e Shqipëri, kur të ndajnë mendjen e kthejnë kurrizin këtyre qeveritarëve e bashkiakëve. Kur ata të sillen ndryshe me Edi Ramën. Kurt ë mos qëndrojnë mbështetës të njeriut më të lidhur me Mafian se askush tjetër së paku në rajon. Nëse miliona eurot e lobimeve e miliardat e investimeve mbyllin reagimet, kjo nuk është histori aleatësh por alarmantësh. Në fund ambasadat janë punësime të përkohshme, ku vijnë e ikin qindra e mijëra zyrtarë qokash. Për ta toka e premtuar është në Tiranë jo në USA. Para, dashnore, favore. Por ne shqiptarët duhet të djegim të keqen me çdo kusht e çdo mjet, jo ata, ambasadorë e diplomatë butakë. Unë vij nga një familje, ku xhaxhai im, është dënuar në regjimin e qoftëlargut, sepse akuzohej ndër të tjera si proamerikan. Zëri Amerikës, atëherë solli burg fizik e vuajtje në shtëpinë tonë, por rrënjosi liri e pavarësi në shpirtrat e mendjen tonë.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco