‘Mandati i Xhaçkës u mbrojt nga mazhoranca’/ Logu: Ridërgimi në GJK, për të shpëtuar dinjitetin dhe autoritetin e gjykatës

20:09, 21/06/2024
A+ Aa A-

I ftuar në SYRI TV me Armela Ferkon, përfaqësuesi ligjor i PD-së, Marash Logu ka sqaruar vendimin e demokratëve për të dërguar sërish në Gjykatë Kushtetuese çështjen e mandatit të deputetes së PS-së, Olta Xhaçka, pasi në kohën kur kjo ishte ministre, burri i saj, Artan Gaçi, përfitoi statusin e investitorit strategjik me një vendim të kryeministrit Edi Rama dhe Këshillit të Ministrave, ku bënte pjesë edhe Xhaçka.

Logu u shpreh se ‘në 11 prill 2024, një rast unik dhe i paprecedent në historinë 34-vjeçare të parlamentarizmit shqiptarë, ku Kuvendi i Shqipërisë vendosi ta shpallë veten sovran ndaj vendimeve të Gjykatës Kushtetuese dhe të mos zbatojë një vendim të Gjykatës Kushtetuese’.

Sipas juristit, vendimi i Partisë Demokratike për ta dërguar sërish në Gjykatën Kushtetuese çështjen e mandatit të Olta Xhaçkës, u vlerësua si një çështje për të shpëtuar dinjitetin dhe autoritetin e kësaj gjykate.

Logu: Në tetor të vitit 2022 Kuvendi i Shqipërisë vendosi të mos e dërgonte çështjen në Gjykatën Kushtetuese.

Ne ju drejtuam me një kërkesë Gjykatë Kushtetuese, e cila me vendimin nr.1 të datës 23 janar 2023 thoshte në mënyrë shumë të qartë se kërkesa duhet t’i ishte dërguar Gjykatës Kushtetuese pasi nuk ka asnjë pengesë formalo-juridike.

Ky vendim u zbardh dhe iu komunikuar Kuvendit të Shqipërisë dhe për 1 vit e 4 muaj Kuvendi i Shqipërisë, mazhoranca refuzonte ta fuste në procedurë parlamentare shqyrtimin e këtij vendimi të Gjykatës Kushtetuese për të cilin kishte detyrimin ta zbatonte.

Për të ardhur në 11 prill 2024, një rast unik dhe i paprecedent në historinë 34-vjeçare të parlamentarizmit shqiptarë, ku Kuvendi i Shqipërisë vendosi ta shpallë veten sovran ndaj vendimeve të Gjykatës Kushtetuese dhe të mos zbatojë një vendim të Gjykatës Kushtetuese duke qënë një rast shumë i rëndë për këdo shtet dhe për një shtet që është vend anëtar i NATO-s, apo vend kandidat për në BE, për një shtet të së drejtës.

Kjo ishte arsyeja që vlerësuam që e vetmja mënyrë që të adresohej kjo çështje ishte që t’i drejtoheshim sërish Gjykatës Kushtetuese.

Siç e tha dhe zoti Bardhi sot në qëndrimin që mbajti përpara Gjykatës Kushtetuese kjo jo më vetëm si një çështje e mandatit të Xhaçkës, por si një çështje për të shpëtuar dinjitetin dhe autoritetin e Gjykatës Kushtetuese.

Nqs mazhoraca parlamenti i lejon vetes që të rrëzojë me votim apo me vendimmarrje politike një vendim të Gjykatës Kushtetuese këtu pastaj bie koncepti i Gjykatës Kushtetuese fuqia e vendimeve të saj.

 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco