Teliti: PD kundër modelit ekonomik të Ramës, pro rivitalizimit të familjes dhe sipërmarrjes

13:13, 20/06/2024
A+ Aa A-

Këshilltari për Çështjet Ekonomike në PD, Dorian Teliti gjatë një deklarate për mediat u shpreh se, ‘modeli ekonomik i qeverisë Rama, ka treguar së është modeli i luftës ndaj familjes sipërmarrjes së ndershme’.

Gjatë deklaratës, Teliti u shpreh se Partia Demokratike ka vizion për rivitalizimin e familjes dhe sipërmarrjes shqiptare.

Deklarata e Dorian Telitit:

Të dashur qytetarë!

Të dhëna të tjera shqetësuese mbi ekonominë dhe mirëqenien e shqiptarëve janë publikuar ditët e fundit nga Eurostat.

Ekonomia shqiptare vazhdon të jetë një ekonomi e brishtë, e cila nuk mbështetet nga fuqizimi i sektorëve prodhues, eksporti apo rritja e konkurrueshmërisë dhe produktivitetit, por ashtu siç raportohet edhe nga Eurostat, ekonomia jonë gjatë viteve të fundit e gjen rritjen e saj kryesisht nga fluksi i lartë i ndërtimeve, shpeshherë të financuara nga burime të dyshimta financiare.

Sipas Eurostat, të ardhurat për frymë të shqiptarëve rezultojnë të jenë në masën 35% të mesatares europiane, ndërkohë që vendet e rajonit janë në nivele më të larta. Konkretisht, Maqedonia e Veriut ka të ardhura për frymë sa 41% e mesatares europiane, Serbia 46% dhe Mali i Zi me 52%.

Gjithashtu, sipas Eurostat, edhe në treguesin e konsumit individual për frymë, përsëri konsumatori shqiptar renditet i fundit, me 42% të mesatares europiane, ndërkohë që banorët e Maqedonisë së Veriut kanë konsum në masën 52% të mesatares europiane, Serbia 54% dhe Mali i Zi me 65%.

Të nderuar qytetarë!

Ekonomia shqiptare gjatë 11 viteve të fundit nuk është mbështetur nga një model ekonomik dhe filozofi zhvillimi që garanton rritje ekonomike me ritme të larta dhe gjithëpërfshirëse, përkundrazi.

Në këto 11 vite, modeli ekonomik i qeverisë Rama, gjithnjë e më shumë, ka treguar veten se është modeli i luftës ndaj sipërmarrësit të ndershëm, model ekonomik i bazuar në taksat më të larta në rajon dhe procedura të komplikuara, model ekonomik që nuk gjeneroi vende pune dhe rritje të duhura pagash, model ekonomik që minoi sigurinë juridike, parimet e konkurrencës dhe mbajti larg investimet e huaja aq të nevojshme për ekonominë tonë.

Shqiptaret, gjithnjë e më shumë, panë sesi pasuroheshin padrejtësisht një grusht njerëzish të lidhur me pushtetin, ndërkohë që e gjetën veten e tyre të papunë, të pa shërbyer, të nëpërkëmbur nga administrata patronazhiste. Sipërmarrësit me mijëra kanë falimentuar, e të shumtë akoma janë ata që gjenden buzë greminës së thellë të falimentit të shkaktuar nga keqqeverisja dhe arroganca e saj.

Ndaj sot më shumë se kurrë, largimi i Edi Ramës nga drejtimi i punëve dhe ndryshimi politik është një domosdoshmëri kombëtare.

Nevojitet ndërgjegjësimi i çdo qytetari, i çdo familjari, i çdo sipërmarrësi, duke drejtuar gishtin nga fajtorët e vërtetë të kësaj katastrofe ekonomike dhe sociale që po përjeton Shqipëria e shpopulluar me më shumë se 1 milionë banorë gjatë viteve të fundit, e duke i ndëshkuar ata me votën e sovranit, në zgjedhje të lira e të ndershme, të organizuara nga një qeveri teknike.

Partia Demokratike e ka të qartë vizionin e saj. Me një qeverisje të vogël që në qendër të vëmendjes vendos individin, familjen dhe sipërmarrjen e ndershme, me strategji zhvillimore gjithëpërfshirëse, me implementimin e minimumit jetik, me një model taksimi të ulët dhe i bazuar në taksën e sheshtë 10%, rivitalizimi i familjes, fuqizimi i rinisë dhe i gruas në shoqëri dhe biznes, krijimi i kuadrit të duhur ligjor dhe institucional për të qenë përsëri lider në rajon në thithjen e investimeve të huaja, etj, do bëjmë të mundur kthimin e Shqipërisë në shinat e zhvillimit gjithëpërfshirës, ku çdokush sipas meritës dhe aftësive të tij të ketë në dorë e të bëjë fatin e tij.

Ju faleminderit!

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco