Rama me diasporën në Dubai koordinator vrasës me pagesë dhe trafikantë

Rama me diasporën në Dubai koordinator vrasës me pagesë dhe trafikantë

13:32, 19/06/2024
A+ Aa A-

Nga Basir Çollaku/

Pas Greqisë dhe Italisë, me shkuljen e administratës në turizmin e mitingjeve, në hallakatjen për të sajuar takime në Gjermani e Angli, në turin e nacionalizmit elektoral më para publike, Partia Socialiste me porosi të Edi Ramës është duke shqyrtuar datën e përshtatshme për një kryetakim me diasporën në Emiratetet e Bashkuara, për t’u tubuar në Dubai, para zgjedhjeve në Shqipëri. Do të jetë një Kuvend me numra dhe emra të reduktuar, sepse aty gjendet shtabi elektoral i partisë në pushtet, investitorët e mandateve dhe drejtuesit kriminalë të qarqeve e qendrës. Socialistët mendojnë se, Durim Bami dhe Ergys Agasi do të ishin dy nga koordinatorët më të mirë, për të mbledhur aty “Metamorfozën”, “Revanshin”, “184’, “339” “Shpirtin”, Inceneratorët”, “5D”, “Teatrin”, “Portin e Durrësit”, “Sky-n” “Encro chat-on” e mjaft “ambasadorë” dosjesh të SPAK, në emigrim ligjor, për të pritur ndryshimet e lobingjet e duhura nga partia ortake në qeverisje, në thërrmimin gradual të çështjeve në hetim e gjykim, me shpërdorim detyre apo tejkalim afatesh.

Vrasës, trafikantë globalë kokaine, krerë bandash, anëtarë të rrjeteve mafioze ndërkombëtare, investitorë, ndërtues, aksionerë resortesh, lojtarë ofshoresh, financues partish politike, ortakë ministrash, deputetësh, bashkiakësh e biznesmenësh të ligjshëm. Janë të kudogjendur ata, pronarët e parasë informale me burime trafiqesh e krimin, ata janë në ishuj të paprekshëm, të fshehur si në emra, ashtu edhe në vende me ngërçe ligjore me vendin e origjinës. Bashkë me “kolegët” qeveritarë, bashkiakë, prokurorë, gjyqtarë, oficerë policie, ata janë në bordin e mbikëqyrjes, investimeve, emërimeve, listave të kandidatëve. Vëllezërit Durim dhe Valter Bami, Eldi Dizdari, Plarent Dervishi, Endrit Dokle, Ramazan Rraja, Suel Çela, Arben Ndoka, Hajdar Çopja, ekstraduar për në Belgjikë për llogari të drejtësisë së këtij vendi. Duke mos lënë pa përfaqësi në takim, Bajrët, Shullazin, Dajtin, Ndrecën, Prengën, Visin e Pojës, Agasin ndërmjetës e mjaft të tjerë, emra ku përmendjet nëpër përgjime i lidh me mazhorancën ngushtësisht në keqbërje.

Nuk mund të mungojë as Nuredin Dumani me Luftar Reçin, dy të penduarit e SPAK. Artur Shehu, Luftar Hysa, Florian Coldea, gjenerali shërbimeve lidhur me Sinaloan, Engjëll Agaçi, Fabrizio Lisi, Masimo Dalema, Romana Vlahutin, Luigi Soreca e Tony Blair, nuk shmangen dot nga eventi me ftesa speciale. KPK, KPA, SPAK, BKH, Prokuroria e Përgjithshme, ata të Juridiksionit të Përgjishëm të shkallëve të para dhe Apelit, do mendojnë për përfaqësues. Kjo është sofra e Ramës e ngritur në 2013 për të marrë pushtetin dhe vetëm sa është zgjeruar. Takimtarët e Dubait, natyrisht nuk do e lënë Ramën të vallëzojë si patriot, por do shkëmbejnë librat kontabël, llogaridhënie të ndryshme e investime. Do rindajnë zonat elektorale për vitin 2025, sepse ka largime e arrestime të pjesshme. Do të diskutojnë rreth emrave të larguar e të tjerë të përfshirë në listat e deputetëve për zgjedhjet e vitit 2025. Ky takim do të nxjerrë emrat final, do caktohen sponsorët, grupet e armatosura të ruajtjes së kutive dhe ekipet e kanosjes së votës. Historia e ekstradimeve është një poshtërsi qeveritare. Janë zyrtarët shqiptarë, të cilët nuk duan të bëhet një marrëveshje ekstradimesh me Emiratet e Bashkuara, sepse sekrete e financa bien në duar të tjera, e kërcet makina llogaritëse me zhurmë për të rivendosur punët në vijë.

Pacipësia policore, se po bëhen ekstradime, njëlloj si gënjeshtrat e ministrit të brendshëm, Taulant Balla, të cilit nuk i erdhi asnjë ministër në konferencën e organizuar në Tiranë, me gjithë ftesat e dërguara. Emiratet kanë marrëveshje ekstradimi me 53 vende dhe kanë gatishmëri për të nënshkruar edhe me Shqipërinë, por refuzimi dhe sorollatja vjen nga Tirana zyrtare. Emiratet kanë marrëveshje me Francën, Britaninë, USA, Belgjikën, Gjermaninë, Greqinë, Indinë, Australinë, Kinën, Pakistanin, Danimarkën, Rumaninë, Kanadanë, Afrikën e Jugut, Irlandën, Kazakistanin, Algjerinë, Sirinë, Jordaninë, Egjiptin, Somalinë e Italinë që në vitin 2018 e me të gjitha vendet e Lindjes së Mesme. Më 5 dhjetor 2023 kanë nënshkruar edhe me Irlandën.

Nga viti ‘97 në janar, deri në 31 dhjetor 2022, Dubai ka ekstraduar ndaj vendeve kërkuese, 253 autorë krimesh, ndërsa nga vendet e tjera drejt Dubait janë ekstraduar 96 autorë krimesh. Kështu, qeveria ndalon marrëveshjet dhe SPAK, letër-porositë. Asnjëra palë nuk merr nismë për t’i shkuar në fund e marrë produktin e kërkuar. Diaspora e Dubait dhe Rama janë në bashkëpunim ndërkombëtar për të zezën e Shqipërisë. Vendi i takimit dhe ora do të lajmërohen nga qeveria dhe Partia Socialiste. Nga Shqipëria do të ketë një numër të konsiderueshëm të kërkuarish, të cilët do të nisen tre ditë përpara me avion, ditë në të cilën, do të jetë jashtë funksionit sistemi TIMS.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco