Basha i quan tradhëtarë e hipokritë të gjithë deputetët që futi vetë në lista

Basha i quan tradhëtarë e hipokritë të gjithë deputetët që futi vetë në lista

20:33, 17/06/2024
A+ Aa A-
Lulzim Basha është njeriu që e ka çuar Partinë Demokratike më shumë se kushdo tjetër në humbje të vazhdueshme. Prej 2017, kur bëri pazarin e u mor peng nga Edi Ramën, Basha nisi misionin e tij të shkatërrimit të Partisë që solli pluralizmin në Shqipëri.

Djegia e mandateve, shitja e kauzave opozitare, lënia në mënyrë të paprecedentë të pushtetit vendor në tavolinë Edi Ramës duke bojkotuar zgjedhjet ishin akte të Lulzim Bashës. 

Prej tre vitesh, Lulzim basha përjashtoi deputetë nga Grupi Parlamentar, përjashtoi e bëri të vdekur rreth 60-mijë anëtarë të partisë dhe çoi në dorën e Ramës simbolet e PD, i cili i mbajti ato peng për dy palë zgjedhje me gjykatë duke shantazhuar gjyqtarët me vetting.

Vendimi i fundit i Gjykatës së Apelit, vendim i cili nuk ishte tjetër veçse ekzekutim i vendimit të Gjykatës së Lartë, ka çorientuar Edi Ramën, i cili duket se po shtrëngon pengun e tij për të vijuar misionin e pamundur të pengimit e shkatërrimit të PD.

I cilësuar si tradhëtar e hipokrit nga njerëzit dhe bashkëpunëtorët e tij më të besuar nga 2017 e këtej, prej akteve të tija, Basha nuk e ka patur për gjë të cilësojë si hipokritë e tradhëtarë të gjithë deputetët që vetë i ka futur në listat e deputetëve në zgjedhjet e 2021.

Në një intervistë për Zërin e Amerikës, Basha është shprehur se po punon për një parti të re, pasi vulën nuk e mbajti dot peng dhe PD-n nuk e ndali dot që të bashkohej.

Pozicionimin e deputetëve, të cilët vetë i ka futur në listë, me Partinë, anëtarësinë dhe në krahë të liderit Berisha, Luli e ka quajtur tradhëti dhe hipokrizi, vetëm e vetëm pse nuk u pozicionuan me të për asgjesimin e opozitës.

Pjesë nga intervista për VOA:

Zëri i Amerikës: Zoti Basha, janë të shumtë ata që shohin në fjalimet tuaja, qëndrimin e një njeriu, i cili sikur sapo ka ardhur në politikë, ndërkohë që ju jeni në politikë prej shumë vitesh. Prej 2013 keni drejtuar opozitën. Eshtë e vështirë për ta, të besojnë se ju mund të sillni një ndryshim. Si mund t’i bindni ata se ju jeni ndryshimi, ndërkohë që ju patët në dorë një opozitë akoma më të madhe se kjo forcë që po drejtoni tani dhe megjithatë nuk arritët ta çoni në pushtet…

Lulzim Basha: Ankthi prej ndryshimit që unë përfaqësoj kulturalisht si brez, bashkë me bashkëpunëtorët e mi, është ajo që ka mobilizuar të gjithë faktorët kundër nesh. Opozita e drejtuar nga unë është gjendur nën sulme si asnjë opozitë në 34 vite. Ju kujtoj këtu pagesat për 50 milionë sms, kundër meje personalisht. Korruptimin e Drejtorit të kundërinteligjencës amerikane të zyrës së Nju Jorkut të FBI-së, si një akt i paprecedente nga një anëtar i Natos, kundër një tjetër anëtari të Nato-s. Të gjitha për llogari të ngushta politike, për luftë politike, kundër meje si kryetar i Partisë Demokratike dhe alternativës që unë përfaqësoj.

Për një arsye fare të thjeshtë dhe dua ta them fare qartë sot. Këta të dy i shohin shqiptarët si pula që u bëjnë vezë. Dhe në këtë fermë pulash ka një administrator të përgjithshëm që është kryeministri, dhe ka një bashkëaksioner që merr pjesën që i takon. Këta nuk duan që ky realitet, i çimentuar prej të paktën 12 vitesh, të ndryshojë, dhe investimi më i sigurt, që kjo të mos ndryshojë, është të godasin çdo alternativë të besueshme, siç është Partia Demokratike nën drejtimin tim, siç është alternativa jonë për “Shqipëria meriton më shumë”. Ndaj ajo që ka ndodhur të martën, nuk është, asgjë tjetër, veçse një episod më shumë, në këto goditje 12 vjeçare ndaj meje, ndaj bashkëpunëtorëve të mi, ndaj kësaj altarnative, ndaj kësaj mënyrë të re, kulture të re që mëton t’i trajtojë shqiptarët si qenie me dinjitet, racionale, që meritojnë më shumë, e për të ruajtur monopolin politik, për ta trajtuar Shqipërinë, si fermën e tyre të pulave, dhe për të vazhduar për t’i trajtuar shqiptarët, si pula që bëjnë vezë për ta.

Zëri i Amerikës: Zoti Basha, ju patët një përballje dhe brenda Partisë Demokratike, në 2021 kur larguat zotin Berisha. Megjithatë duket se përballja juaj me zotin Berisha, dështoi. Ju humbët mbështetjen e grupit parlamentar, i cili erdhi duke u reduktuar dhe rrezikon të tkurret më tej. Dhatë dorëheqjen nga PD, e u rikthyet. Zoti Berisha kishte marrë selinë e tani e humbët dhe zyrtarisht PD-në. Përse, për opozitarët, alternativa juaj është më e besueshme se ajo e zoti Berisha?

Lulzim Basha: Sepse është e sinqertë. Eshtë e drejtpërdrejtë. Unë nuk them se nuk është e vështirë. Përkundrazi. Unë po e them fare hapur se këta kanë synim ta pamundësojnë një alternativë për shqiptarët në zgjedhje. Ndaj bashkohen rreth kësaj pike, ndonëse bëjnë sikur luftojnë mbi pika të tjera që shqiptarët të mos kenë një alternativë. Cila është altermativa e zotit Berisha? Eshtë kauza e tij personale dhe këtë e kupton fare mirë zoti Berisha. E di dhe zoti Rama. Për të, zoti Berisha është aseti i vetëm në zgjedhjet e ardhshme parlamentare. E kuptojnë dhe ndjekësit e zotit Berisha. Dhe tregohen hipokritë me demokratët. Të gjithë e dinë që në këtë situate, PD nuk ka asnjë shans të vijë në pushtet e të largojë zotin Rama.

Që PD të vijë në pushtet duhet të ketë një alternativë të besueshme që ta përqafojnë të gjithë shqiptarët. Për këtë qëndroj unë, për këtë qëndrojmë të gjithë së bashku, siç kemi qenë para datës 11 qershor, duke besuar në vlera, duke besuar në parime dhe tashmë me një ofertë të qartë politike

Ajo që dua të bëj të qartë për njerëzit, për ndjekësit tanë, por dhe për të gjithë shqiptarët, është që kjo alternative, do i paraqitet shqiptare në zgjedhjet e ardhshme. Sigurisht beteja jonë është që t’u paraqitet me logon e PD-së duke e kthyer atë te vlerat me të cilat e nisi rrugëtimin, ndonëse shumë prej këtyre vlerave u tradhëtuan apo u harruan gjatë rrugës. Por kjo nuk është në dorën tonë. Në dorën tonë është të bëjmë gjithshka për kthimin e legjitimitetit të Drejtësisë dhe të shpalosim alternativën tonë, kudo anembanë Shqipërisë. Eshtë dicka të cilën shqiptarët mezi e presin.

Zëri i Amerikës: Zoti Basha, sidoqoftë shifrat janë kokëforta. Zoti Berisha gëzon një mbështetje shumë herë më të madhe se sa ju në gjirin e opozitës. Për më tepër, ka dhe Partinë Demokratike zyrtarisht, që do të thotë dhe burime më të shumta financiare por dhe burime njerëzore, përfaqësuesë në komisionet zgjedhore, gjë që e kishit ju deri tani dhe nuk do e keni në zgjedhjet e ardhshme, në pritje të një vendimi të Gjykatës së lartë, natyrisht…

Lulzim Basha: Këto janë padiskutim evidente, siç është evidente dhe dëshira dhe plani i Edi Ramës që kjo të jetë fushata e ardhshme. Sepse në këtë fushatë, dihet rezultati. Sali Berisha është gogoli, shqiptarëve u paraqitet alternativa cili është më pak I korruptuar dhe natyrisht dhe me truket që Edi Rama ka bërë vazhdimisht traditë në zgjedhje, dihet rezultati. Kundër kësaj statuskuoje qëndrojmë ne. Ne nuk e pranojmë këtë gjendje, Nuk e pranojmë këtë Shqipëri pa alternativë, me shqiptarë kokëulur që trajtohen si konsumatorë mjerën të një pushtet dual, i cili vazhdon të hedhë valle, të pasurohet, të marrë më shumë pushtet, ndërkohë që vendi zbrazet.

Për këtë arsye, ajo që kemi marrë përsipër nuk është një llogaritje e vogël, teknikalitetesh jo të parëndësishme, por është një mision. E kemi nisur si mision, sepse po ta kishim nisur për pragmatizëm, do kishim marrë rrugën e atyre hipokritëve që shkojnë te Sali berisha, e thonë “Rroftë Berisha”, “Berisha kryeministër”. Ndërkohë që sapo ndahen, thonë se “me këtë nuk vihet ne pushtet dhe hajde të vëmë shishen, kur t’i shkasë këmba”.

Po kjo është një hipokrizi, dhe një llogari meskine personale karakteresh të deformuara politikisht, dhe këta janë tradhëtarët e vërtetë të interesit të demokratëve dhe të interesit të qytetarëve shqiptarë, Ndërsa ne qëndrojmë ballëlartë. Betejën e kemi bërë për kauza parimore, sepse besojmë që një PD pa një aleancë të ngushtë me SHBA-të, me Britaninë e madhe, dhe BE-në nuk mund të vijë në pushtet.

Ne besojmë se që Edi Rama të mundet, nuk mjaftojnë klithmat e denoncimeve, në veçanti kur hollohen me hijet e pazareve, por duhet një alternativë e besueshme që u ofron shqiptarëve zgjidhje dhe që e rikthen PD si alternativë të së djathtës në Shqipëri, me familjen, me ekonominë, me luftën kundër korrupsionit, me pronat dhe të përndjekurit, dhe natyrisht me sigurinë kombëtare, këto kohë, në qendër të programit, që është pikërisht programi që ne u ofrojmë shqiptarëve.

Zëri i Amerikës: Ju folët për hipokritë, tradhëtarë, po a ndjeni përgjegjësi për gjithë këtë masë hipokritësh dhe tradhëtarësh, sepse të paktën, i gjithë grupi parlamentar është aty dhe kandidoi me firmën tuaj?

Lulzim Basha: Padiskutim. Sigurisht që kam përgjegjësitë e mia për gjithshka që kam bërë. Por në situatën që ndodhi në PD, gjithkush mban përgjegjësi për integritetin, apo mungesën e integritetit që tregoi në momente kyçe. Unë ndjehem me fat dhe i bekuar, që në momente kyçe, qindra mijëra demokratë, sado e vështirë ishte, dhe më të vështirë na e bënë, me sulme të pafundme personale, me qeverisjen e Edi Ramës, me gjithë truket e makinacionet e tyre, qëndruan sepse besojnë në vlera.

Nuk mund t’i kërkosh askujt më shumë vlera seç ka. Ka njerëz të thjeshtë, demokratë të thjeshtë, qytetarë, ndoshta të paangazhuar deri para disa vitesh në PD, që e kuptojnë se kjo është një betejë, jo thjesht për zgjedhjet e radhës, por dhënies fund të tranzicionit dhe lojërave të tranzicionit mes të njejtëve aktorë të vjetër politikë, dhe vizionit për një Shqipëri ndryshe, që të gjitha vlerat dhe potencialin e vet i vendos në dispozicion të shqiptarëve, dhe jo shqiptarët në dispozicion të liderëve të vjetër politikë.

Këtu ka dhe njerëz që bëjnë hesape të ngushta dhe kujtojnë se nuk kuptohen, kur për pazaret e tyre të vogla tradhëtojnë këto vlera e kauza, haptazi, që në këtë moment shesin shpresën për ndryshim e rrotacion në 2025, me shpresën se do u vijë dita. Natyrisht secili bën llogaritë e veta. Kjo është dhe një shpalosje mes forcës së integritetit të qindra, mijërave shqiptarëve, demokratëve që besojnë se PD ka një mision dhe të tjerëve që kanë treguar një personalitet të deformuar, apo u është deformuar personaliteti, me presionin e parë që kanë patur

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco