DASH: Synimi afatgjatë është njohja reciproke mes Kosovës dhe Serbisë

DASH: Synimi afatgjatë është njohja reciproke mes Kosovës dhe Serbisë

09:49, 14/06/2024
A+ Aa A-

Në një përgjigje ekskluzive për Gazetën Express, Departamenti Amerikan i Shtetit ka thënë se qëndrimi i Uashingtonit zyrtar sa i përket procesit të normalizimit në mes të Kosovës dhe Serbisë s’ka ndryshuar dhe se synimi afatgjatë i politikës amerikane është që në fund të dy shtetet ta njohin njëra-tjetrën.

Në pyetjet e Gazetës Express rreth deklarimeve të fundit të ambasadorëve amerikanë në Prishtinë dhe Beograd rreth çështjes së njohjes reciproke mes Kosovës dhe Serbisë, një zëdhënës i DASH ka thënë se qëndrimi i SHBA s’ka ndryshuar dhe se Uashingtoni e përkrah dialogun e lehtësuar nga BE si e vetmja rrugë për të arritur normalizim, paqe e raport produktiv mes dy vendeve.

“Qëndrimi i Shteteve të Bashkuara për dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë nuk ka ndryshuar.Ne vazhdojmë të mbështesim fuqishëm Dialogun e lehtësuar nga BE-ja ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, si rrugë për të arritur një marrëdhënie të normalizuar, paqësore dhe produktive ndërmjet dy vendeve”, ka thënë ky zëdhënës për Gazetën Express.

Ai ka shtuar se e ardhmja e të dy vendeve është në institucionet evropiane dhe se normalizimi i marrëdhënieve mes dy shteteve përmes procesit të lehtësuar nga BE-ja është e vetmja rrugë përpara.

Nga DASH kanë deklaruar se presin që Kosova dhe Serbia t’i respektojnë dhe zbatojnë marrëveshjet e arritura pa vonesa dhe parakushte.

“Ne presim që Kosova dhe Serbia të respektojnë dhe zbatojnë të gjitha angazhimet e tyre të Dialogut plotësisht dhe pa vonesa apo parakushte.Synimi afatgjatë i politikës së Shteteve të Bashkuara është një përfundim me njohje të ndërsjellë ndërmjet Kosovës dhe Serbisë”, ka përfunduar për Gazetën Express ky zëdhënës i DASH.

Ambasadori i SHBA në Prishtinë, Jeffrey Hovenier, në një aktivitet të Economist Impact ka thënë se finalja mes Kosovës dhe Serbisë duhet të mbyllet me njohje reciproke dhe asgjë më pak. Ndërsa ambasadori në Beograd, Christopher Hill, i pyetur nëse mendon që Serbisë duhet t’i kushtëzohet hyrja në BE me njohjen e Kosovës, ka thënë se s’është i një mendimi të tillë dhe se mes dy shteteve do të ketë normalizim, siç po kërkon Bashkimi Evropian.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco