Në fjalën e tij të mbajtur në tubim, kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha u ka bërë thirrje qytetarëve që të dalin në protesta, sepse vetëm mosbindja civile e vazhdueshme dhe e pamposhtur është rruga për realizimin e qëllimeve tona madhore.
Pjesë nga fjala e kreut të PD-së, Sali Berisha:
Mirëmbrëma dhe përshëndetjet më të përzemërta qëndrestarëve të pamposhtur, mbrojtësve të kauzës së drejtë, misionarëve të lirisë, dinjitetit, shpresës dhe fitores së shqiptarëve.
Një përshëndetje të përzemërt për oratorët, fjalët e tyre që rrezatojnë të vërteta, shpresë dhe besim te mbarë shqiptarët.
Miqtë e mi, në këtë betejë ju jeni bërë shembulli më i shkëlqyer.
Jeni bërë shembulli i frymëzimit.
Shembulli i qytetarit atdhetar.
Shembulli i qytetarit të pamposhtur.
Në këtë betejë ju keni përcaktuar rrugën e fitores.
Rrugën e betejës për mbarë shqiptarët!
Të dashur miq, sot çdo opozitar pret me padurim fitoren ndaj një regjimi të pamëshirë, antishqiptar që po e zhbin Shqipërinë nga shqiptarët.
Po shpopullon këtë vend sa asnjë pushtim tjetër në histori.
Por sot çdo shqiptar duhet ta ketë të qartë si drita e diellit se vetëm protesta e vazhdueshme, vetëm protesta e pamposhtur, vetëm mosbindja civile e vazhdueshme dhe e pamposhtur është rruga për realizimin e qëllimeve tona madhore.
Është rruga për përmbysjen e narkoqeverisë.
Është rruga për krijimin e qeverisë teknike.
Për zhvillimin e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme dhe fitoren e padiskutueshme të opozitës.
© SYRI.net