'Reporterët pa Kufij': Gazetaria përballë dezinformimit dhe gjendja e shtypit në botë

'Reporterët pa Kufij': Gazetaria përballë dezinformimit dhe gjendja e shtypit në botë

07:47, 03/05/2024
A+ Aa A-

Organizata “Reporterët Pa Kufij” shpreh shqetësim për gjendjen e lirisë së shtypit në botë e cila sipas saj po kërcënohet pikërisht nga ata që duhet të ishin garantuesit e saj, autoritetet politike, shkruan Zëri i Amerikës.

Organizata thotë se përdorimi i inteligjencës artificiale për përhapjen e dezinformimit për qëllime politike është shqetësues, duke theksuar se lajmet e rreme po zënë një rol të rëndësishëm në ndikimin e procesit zgjedhor.

Sipas saj, grupet politike shpesh shërbejnë si kanale për përhapjen e dezinformimit apo edhe nxitjen e tij. Në 138 vende nga 180 që vlerësohen në Indeks, të anketuarit e pyetuar kanë pohuar se aktorët politikë shpesh përfshihen në përhapjen e propagandës ose fushatat e dezinformimit.

Në Evropën Lindore dhe Azinë Qendrore, veçanërisht në Bjellorusi, Gjeorgji, Kirgistan dhe Azerbajxhan është forcuar ndjeshëm censura mbi median, duke imituar metodat shtypëse të Rusisë, thuhet në raport. “Ndikimi i Kremlinit ka arritur deri në Serbi, ku mediat pro-qeveritare përhapin propagandën ruse dhe autoritetet kërcënojnë gazetarët rusë në mërgim”, thuhet në raport.

Vendet ku gjendja e lirisë së shtypit është “e mirë” ndodhen të gjitha në Evropë dhe më konkretisht brenda Bashkimit Europian.

Për të tetin vit radhazi, vendin e parë e zë Norvegjia, e ndjekur nga Danimarka dhe Suedia. Organizata vëren se politikanët në Evropë po përpiqen të ngushtojnë hapësirën për gazetari të pavarur. “Në krye të kësaj prirjeje të rrezikshme janë kryeministri i Hungarisë që mbështet Kremlinin, Viktor Orban dhe homologu i tij sllovak Robert Fico”.

Liria e shtypit është vënë në provë nga partitë në pushtet në Hungari, (vendi 67), Maltë (vendi 73) dhe Greqi (vendi 88), vendet europiane me renditjen më të ulët. Edhe Italia që drejtohet nga kryeministrja Giorgia Meloni ka zbritur me tre vende duke u renditur në vendin e 46. Dhe në Evropën Lindore kushtet për të bërë gazetari po përkeqësohen për shkak të dezinformimit dhe censurës mediatike, nëpërmjet ngritjes së akuzave të pavërteta për terrorizëm ose për dëmtim të sigurisë kombëtare.

Kështu po ndodh në Rusi (vendi 162), në Bjellorusi (vendi 167) dhe në Turkmenistan (i 175-ti), ndërkohë që në Gjeorgji, e cila ka zbritur 26 vende, duke u renditur e 103-ta, partia në pushtet po nxit politikën e afrimit me Moskën.

Falë përmirësimit të treguesit të saj të sigurisë – më pak gazetarë të vrarë dhe treguesit politik, Ukraina është ngjitur 18 vende, duke u renditur e 61-ta.
Afganistani, që përndjek pa rreshtur gazetarët qëkurse talebanët morën kontrollin në vend, Siria dhe Eritrea renditen në tre vendet e fundit, ku gjendja për gazetarët është “shumë e rrezikshme”.

Indeksi i rendit Shtetet e Bashkuara në vendin e 55, me një rënie prej 10 vendesh, duke zbritur nga shtetet me gjendje “të kënaqshme” në ato “problematike” për lirinë e shtypit.

“SHBA-të zbresin me 10 vende ndërsa përgatiten për zgjedhjet presidenciale 2024 mes rritjes së mosbesimit në media, e nxitur pjesërisht dhe nga antagonizmi i hapur dashakeq i zyrtarëve politikë ndaj saj, përfshirë dhe thirrjet për burgosjen e gazetarëve”, vëren Organizata “Reporterët Pa Kufij”. “Në disa raste të profilit të lartë, organet ligjzbatuese vendore kanë kryer veprime frikësimi, përfshirë bastisjen në redaksi dhe arrestimin e gazetarëve”.

Në Lindjen e Mesme dhe Afrikën e Veriut, gjendja është “shumë e rrezikshme” në afro gjysmën e shteteve. Gjatë këtij viti, 8 vendeve të tjera - Jemenit, Arabisë Saudite, Iranit, Palestinës, Irakut, Bahreinit, Sirisë dhe Egjiptit, të shënuara me të kuqe në hartë, i janë bashkuar dhe Emiratet e Bashkuara Arabe. Territoret palestineze, më vdekjeprurësit për gazetarët, renditen gjithashtu afër fundit të Indeksit. Katari është vendi i vetëm në këtë rajon, ku gjendja nuk cilësohet as “e vështirë” dhe as “shumë rrezikshme”.

Organizata vlerëson se prej tetorit të vitit 2023, lufta në Gazë ka shënuar një numër rekord sulmesh kundër medias dhe gazetarëve. Mbi 100 reporterë palestinezë janë vrarë nga forcat e mbrojtjes izraelite, përfshirë të paktën 22 gazetarë të vrarë ndërsa ishin në punë.

Përveç se është vendi me numrin më të lartë të gazetarëve të arrestuar në botë, qeveria e Kinës (e renditur në vendin e 172) vazhdon të ushtrojë kontroll të rreptë mbi kanalet e informacionit, me politika censuruese dhe kontrolluese, duke bërë rregullime të përmbajtjes në internet dhe duke kufizuar përhapjen e informacionit që konsiderohet i ndjeshëm ose në kundërshtim me linjën e partisë.

Turqia ka vijuar të humbasë pikë në Indeks, duke u renditur në vendin e 158. “Reporterët Pa Kufij” vërejnë se burim për një farë shqetësimi përbën dhe rizgjedhja e Presidentit Recep Tayyip Erdogan.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco