SYRI TV/ Ministrja Manastirliu paraqitet në SPAK për dosjen e sterilizimit, afera nisi kur drejtonte QSUT

20:51, 19/02/2024
A+ Aa A-

Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Ogerta Manastirliu është paraqitur në orët e pasdites të së hënës në Prokurorinë e Posaçme. Ajo ka dhënë deklarime për rreth 2 orë e 30 minuta në cilësinë e personit që ka dijeni mbi çështjen e sterilizimit në kohën kur ka drejtuar Qendrën Spitalore Universitare Nënë Tereza. Kujtojmë se për këtë dosje ndodhen në burg ish.zv.ministri i Shëndetësisë Klodian Rrjepaj dhe fituesi i koncesionit Ilir Rrapaj. Ndërkohë 4 mjekë e anëtarë komisioni janë më masën detyrim paraqitje, ndërsa ish-ministri Ilir Beqaj është marrë i pandehur për shpërdorim detyre e falsifikim vulash, stampash e  formularësh shtetëror. Ndaj Beqajt është caktuar masa detyrim paraqitje ndërsa vetëm pak javë më parë u paraqit për herë të tretë në SPAK për të dëshmuar si person nën hetim. Ky i fundit në një prononcim për mediat në dyert e prokurorisë deklaroi se hetimet janë ende shumë të ngushta dhe sugjeroi se është e domosdoshme që ato të shtrihen në dy pjesë.

“Së pari nga marsi 2011 deri në shtator 2013 për të hetuar pse dy vjet e gjysmë u mbaj ai central dhe nuk u vu në punë, por edhe tashmë janë bërë 8 vjet nga zbatimi i kontratës për të hetuar kush janë përfitimet e drejtpërdrejta të qytetarëve dhe buxhetit nga zbatimi i kësaj kontrate”.

Beqaj la të kuptohej se përgjegjësitë për abuzimet me këtë koncesion duhet të ndahen teksa hetimet sipas tij duhet të zbulojnë edhe ndryshimit të kontratës, gjë kjo e cila është bërë kur shëndetësia drejtohej nga Ogerta Manastirliu. Bëhet fjalë për Janarin e vitit 2020, kur është shtuar numri i seteve kirurgjikale të parashikuar në kontratë, që ishin 63 mijë copë për një vit. Në atë kohë, Manastirliu e deklaroi se ndryshimi i kontratës është bërë lidhur me nevojën për sete të tjera mbi 63 mijë që do merreshin me 25% ulje, pasi operacionet në një vit shkonin deri në 90 mijë.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco