Kurti e Vuçiç përplasen për dinarin, SHBA kritikon Kosovën

Kurti e Vuçiç përplasen për dinarin, SHBA kritikon Kosovën

22:38, 08/02/2024
A+ Aa A-

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, e ka quajtur gënjeshtër çdo pretendim të presidentit të Serbisë, se Kosova kryen spastrim ndaj serbëve të Kosovës. Në fjalimin e tij, ai ka kërkuar sërish nga Serbia, që në fund të mbledhjes të nënshkruajnë Marrëveshjen e Brukselit. Gjithçka që u tha në këtë seancë:

SHBA-ja kritikon Kosovën për rregulloren e BQK-së

Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë kritikuar Kosovën për rregulloren e Bankës Qendrore të Kosovës, që e përcakton euron si të vetmen valutë në vend. Sipas përfaqësueses së SHBA-së në OKB, Kosova ka vepruar pa koordinim dhe pa konsultim me serbët lokalë.

Ajo po ashtu ka thënë se dialogu mbështetet nga Bashkimi Evropian dhe jo nga Këshilli i Sigurimit, duke iu përgjigjur Kurtit që kërkoi nënshkrimin e Marrëveshjes me Serbinë.

“Shtete e Bashkuara mbesin të përshkuara për paqen dhe stabilitetin e Ballkanit Perëndimor duke përfshirë edhe mbështetjen tonë për Forcën e Kosovës nga NATO-ja në përputhje me mandatin e OKB-së. Inkurajojmë që t’i kthehen dialogut të ndërmjetësuar nga BE-ja që SHBA-ja e mbështet fuqimisht dhe vazhdimisht. Që të jemi të qartë, është dialogu i lehtësuar nga BE-ja e jo i Këshillit të Sigurimit që duhet të jenë kanale për zgjidhjen e çështjeve që kanë të bëjnë me normalizimin e marrëdhënieve midis Kosovës dhe Serbisë, duke përfshirë edhe zgjidhjet që respektojnë të drejtat e të gjitha komuniteteve. Kështu SHBA-ja ka shprehur brengën sa i përket planit të Kosovës për zbatimin e Rregullores së ndryshuar të BQK-së për sa i përket transaksioneve në para të gatshme. Vendimi është marrë pa përgatitje adekuate apo konsultim me popullatën lokale. Edhe një herë bëjmë thirrje për zbatim të këtij plani, por që të shtyhet deri sa të ketë procedura të kënaqshme në përputhje me standardet evropiane”, ka thënë përfaqësuesja e SHBA-së.

Ajo ka thënë se SHBA-ja është e brengosur edhe për “veprimet e Qeverisë së Kosovës ndaj zyrave të institucioneve të mbështetura nga Serbia”.

“Këto veprime nuk janë konsistente me zotimin e Kosovës që të punojë përmes dialogut të lehtësuar nga BE-ja për të rregulluar çështje që kanë të bëjnë me mirëqenien e komunitetit serb në Kosovë, si dhe dëmtojnë rrugëtimin e normalizimit të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë. Edhe një herë Këshilli i Sigurimit nuk është vendi ku duhet të zgjidhen këto çështje”, ka thënë ajo.

Përfaqësuesja e SHBA-së po ashtu ka përsëritur që ky shtet dënon sulmet paramilitare ndaj Policisë së Kosovës dhe ka kërkuar nga Serbia që të vërë para përgjegjësisë ata që planifikuan dhe kryen sulmin terrorist.

“Lideri i vetëquajtur i sulmit mbetet ende i lirë në Serbi. Edhe njëherë i bëjmë thirrje Serbisë që të kërkojë llogari të plotë nga vepruesit, organizatorët dhe sulmuesit e këtij sulmi”, ka thënë ajo.

Malta: Kosova e Serbia të fokusohen në uljen e tensioneve

Përfaqësuesi i Maltës në OKB i ka bërë thirrje Kosovës e Serbisë t’i respektojnë marrëveshjet e dakorduara, duke shtuar se palët duhet t’i zgjidhin mospajtimet me dialog. Sipas këtij shteti, zotimet duhet të implementohen, e Asociacioni i Komunave me shumicë serbe të jetë “qenësor në procesin e normalizimit”.

“Theksojmë rëndësinë që të dyja palët të respektojnë të gjitha marrëveshjet e arritura në dialogun e ndërmjetësuar nga BE-ja, përfshirë edhe marrëveshjen për rrugëtimin e normalizimit të marrëdhënieve që është dakorduar në Ohër vitin e kaluar. Apelojmë që të implementohen zotimet, implementimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe do të jetë qenësor në procesin e normalizimit dhe shpresojmë që të bëhet punë më e përshpejtuar gjatë muajve në vijim. Kjo është e vetmja rrugë që çon në anëtarësim në BE”, u tha nga përfaqësuesi.

Rusia në OKB: Kërkesa e BE-së për t’u njohur Kosova është e padrejtë

Përfaqësuesi i Rusisë në OKB, Dmitry Polyanskiy, ka thënë se kërkesa e Bashkimit Evropian që të njihet shtetësia e Kosovës është e padrejtë.

Ai ka shtuar të enjten se vetëm në 2023-n, Kosova i ka kryer 178 sulme etnike ndaj serbëve në Kosovë.

“Vetëm në vitin 2023, 178 sulme etnike janë kryer ndaj serbëve e pronave të tyre... Një fushatë për të uzurpuar trashëgimi kulturore, kishat po merren e vendet e vjetra ortodokse po emërohen si katolike...Ka krime ndaj njerëzimit e arrestime arbitrare, kërcënime e dhunë”, ka deklaruar ai.

Kurti: Ideja që Kosova kryen spastrim etnik – thjesht gënjeshtër

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka kundërshtuar çdo pretendim të presidentit të Serbisë, se Kosova kryen spastrim ndaj serbëve të Kosovës. Të gjitha i ka quajtur gënjeshtra. Në fjalimin e tij në Këshillin e Sigurimit të OKB-së, Kurti ka thënë se është Serbia ajo që ka kryer gjenocidin e fundit të shekullit të shkuar e se vazhdon të veprojë ende edhe tash njësoj. Në fund të fjalimit, ai ka kërkuar sërish nga Serbia, që në fund të mbledhjes të nënshkruajnë Marrëveshjen e Brukselit.

“Me krenari themi që e zbatojmë Kushtetutën me masat më të larta të mbrojtjes së të drejtave të pakicave, 20 ulëse të garantuara në parlament nga 120 në total, prej të cilave 10 janë të serbëve veçanërisht. Serbët në Kosovë kanë po ashtu 10 nga 38 komunat në Kosovë. Gjuha serbe është gjithkund gjuhë zyrtare. Ideja që Kosova po kryen spastrim etnik apo persekutim ndaj komunitet serb është thjesht gënjeshtër që është demantuar nga shumë organizata ndërkombëtare”, ka thënë Kurti teksa ka kthyer vëmendjen kah trajtimi që Serbia ua bën shqiptarëve në Luginë. “Fushata e spastrimit etnik bëhet në mënyrë administrative... Qeveria serbe sistematikisht i ka hequr mbi 4 mijë e 200 shqiptarë etnikë nga regjistri civil në Medvegjë dhe mbi 2 mijë në Bujanoc. Kjo shlyerje e njerëzve ka pasoja të prekshme, viktimat nuk kanë qasje më në letërnjoftime, pasaporta, shërbime mjekësore, ndihmë sociale, transaksione pronësore, pensione dhe të drejta votimi, pra i bën ata të jenë pa shtet. Kjo fushatë është metodë e shpopullimit të shqiptarëve atje”.

Sa i përket Rregullores së Bankës Qendrore të Kosovës për euron, Kurti ka thënë se ajo s’e pengon Serbinë t’u ofrojë ndihma financiare serbëve. “Gjithçka tjetër është propagandë e rrejshme dhe nxitje e tensioneve. Rregullorja sjell ligjshmëri të importit të parave në Kosovë në përputhje me kushtetutën dhe politikën monetare të BE-së. Beogradi ka thirrur alarm jo për shkak të këmbimit të dinarit në euro, por për shkak se po ndalohen thasë me dinarë në kufij dhe ata ankohen jo për shkak të brengës për qytetarët serbë të Kosovës, por sepse ato tubacione të parave në veri të Kosovës po ndalen”, ka shtuar ai.

Kurti ia ka përmendur Vuçiqit edhe sulmin e shtatorit në Banjskë. Ai ka thënë se Serbia pati shpallur ditë zie, ndërsa ka akuzuar direkt Vuçiqin për financim e mbështetje të sulmit terrorist.

“Një rast i qartë ndodhi më 24 shtator të vitit të kaluar. Rreth 80 paramilitarë të mbështetur nga Serbia filluan një sulm të paprovokuar ndaj patrullës policore në Kosovë duke rezultuar me vdekjen e policit Afrim Bunjaku dhe lëndimin e dy të tjerëve. Përkundër përpjekjes terroriste duke përdorur edhe pelegrinët e pafajshëm si mburoja, Policia jonë i ka shmangur këto viktima. Më 27 shtator Serbia shpalli ditë zie për terroristët e vrarë nga Policia e Kosovës dhe nga operacioni anti-terrorist. E vërejtët që sot, z. Vuçiq po rikujtonte disa serbë që janë lënduar apo plagosur në incidente të ndryshme, por nuk i përmendi tre serbët e vrarë, pse nuk i përmendi këta? Sepse e di që ata kanë qenë terroristë të financuar, mbështetur dhe orkestruar nga ai vetë dhe mu për këtë tre serbët e vrarë nuk u përmendën fare”, ka thënë kryeministri Kurti.

Kurti ka thënë po ashtu se nuk është befasi që Serbia nxit probleme nga veprimet e ligjshme të Kosovës. Ai ka kujtuar se Serbia udhëhiqet nga fytyra të larta të regjimit të Sllobodan Millosheviqit, përfshirë presidentin Aleksandar Vuçiq.

Në fund ai ka folur edhe për mosnënshkrimin e marrëveshjeve të Brukselit dhe Ohrit nga ana e Serbisë. Ka akuzuar Serbinë se nuk po i respekton pikat për të cilat janë dakorduar.

“Serbia refuzon dy obligime kyçe, që të mos pengojë anëtarësimin ndërkombëtar të Kosovës dhe të mos respektojë integritetin territorial. Nënshkrimi i marrëveshjes nuk është vetëm formalitet është edhe garanci për implementimin e saj të plotë dhe të pakusht, edhe për paqen dhe sigurinë në Ballkan. Përkundër ofertave të mia të përsëritura, z.Vuçiq ka refuzuar të nënshkruajë, e ftoj të nënshkruajë këtu sot, menjëherë, duke theksuar rolin krucial të kartës së OKB-së në këtë marrëdhënie. Ky akt simbolik do të demonstronte përkushtimin e tij për marrëdhënie paqësore me Kosovën”, ka thënë Kurti.

Vuçiç: Prishtina po bën krim ndaj njerëzimit 

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka thënë se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, u prin “persekutimeve ndaj serbëve të Kosovës”. Ai ka akuzuar institucionet e Kosovës se kanë krijuar kushte “të padurueshme për serbët, duke shtuar se kanë bërë edhe sulme sistematike dhe persekutim”.

Në Këshillin e Sigurimit të OKB-së, Vuçiq ka thënë të enjten se këto sulme mund të shkaktojnë dëme të pariparueshme.

“Mund të shkaktojnë dëme të pariparueshme deri në takimin e ardhshëm për raportimin e radhës së UNMIK-ut. Kemi kërkuar këtë takim për shkak të veprimit të Bankës së ashtuquajtur të Kosovës për ndalimin e dinarit. I ashtuquajturi lidership ka vazhduar sulmet ndaj popullatës serbe dhe ka kulmuar pasi që mbijetesa i tyre në provincën jugore varet nga buxheti i Serbisë”, ka thënë Vuçiq.

Sipas Vuçiqit, “sulmet ndaj serbëve në Kosovë e vështirësojnë situatën”. Ai e ka përmendur edhe themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

“Ky është sulm ndaj popullatës serbe dhe e bën situatën në Kosovë të vështirë. Prishtina po i pamundëson veprimet e të gjitha institucioneve shëndetësore, kulturore e arsimore që ofrojnë kushtet bazike. Çdo parandalim i financimit të spitaleve, shkollave e çerdheve të Serbisë është sulm i drejtpërdrejt ndaj serbëve dhe ndaj themelimit të Asociacionit”, është shprehur ai.

Vuçiqi ka thënë se janë 470 sulme të motivuara etnikisht ndaj serbëve dhe Kishës serbe në Kosovë, prej se Qeverinë e udhëheq Albin Kurti. “Ai është në ballë të persekutimit të serbëve”, ka deklaruar Vuçiqi.

Ai ka kritikuar edhe armatimin e Kosovës.

“Sa i përket Asociacionit, jetesa e serbëve në territorin e Kosovës po bëhet e pamundur”, ka thënë Vuçiqi në KS të OKB-së.

Vuçiqi e ka quajtur vendimin e Kosovës për ndalimin e dinarit serb si “vazhdimësi të sulmeve sistematike”, por edhe “krim ndaj njerëzimit”.

Caroline Ziadeh, shefe e misionit të UNMIK-ut, në fjalimin e parë ka thënë se “pa marrë parasysh ligjshmërisë dhe arsyetimit, veprimet duhet të merren duke marrë parasysh ndikimin te popullata e prekur”.

Ajo ka akuzuar Kosovën se me vendimin e Bankës Qendrore për ndalimin e dinarit nuk është vepruar për shtensionim.

“Në të kundërtën, këto veprime rrisin tensionet”, ka thënë Ziadeh.

Në raport ajo ka përmendur marrëveshjet e arritura vitin e shkuar, ndërsa ka thënë se megjithatë ka pasur ngecje të progresit në marrëveshjen për sekuencim. Ka përmendur sulmin në Banjskë të cilin e ka cilësuar “incident tejet serioz”.

Ka nisur në New York seanca e jashtëzakonshme e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara për situatën në Kosovë, sipas kërkesës së Serbisë. Kosova përfaqësohet nga kryeministri Albin Kurti dhe ministrja e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla. Në këtë mbledhje, Serbia përfaqësohet nga presidenti serb, Aleksandar Vuçiq.

Të hënën, Serbia kërkoi seancë të jashtëzakonshme të Këshillit të Sigurimit të OKB-së për shkak të situatës në Kosovë, për të cilën pretendon se është “në kontrast të fortë me Kartën e OKB-së dhe Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së”. Do të diskutohet për vendimin për ndalimin e përdorimit të dinarit nga Banka Qendrore e Kosovës.

Dy herë në vit, në prill dhe tetor, Këshilli i Sigurimit i OKB-së mban seanca të rregullta për situatën në Kosovë, ku diskutohen raportet gjashtëmujore të sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, Antonio Guterres për punën e Misionit të OKB-së në Kosovë (UNMIK). Seanca e fundit e tillë u mbajt më 23 tetor 2023.

Këshilli i Sigurimit aktualisht kryesohet nga Guajana.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco