Mashtroi në Parlament/ Zbulohet lidhja e Stela Gugalles me Elisa Spiropalin

Mashtroi në Parlament/ Zbulohet lidhja e Stela Gugalles me Elisa Spiropalin

16:39, 13/07/2023
A+ Aa A-

Në seancën e sotme parlamentare, kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, denoncoi se Klodian Zoto, njëri nga njerëzit kryesorë të aferës së inceneratorëve, ka qenë këshilltar i bashkëshortit të ministres Elisa Spiropali, Salarjon Totaj, gjatë kohës kur ky i fundit ka qenë drejtor i Ujësjellësit në Fier.

“Zoto paska qenë këshilltar i Salarjanit, bashkëshortit të Elisës. Në çdo sirtar që hapni ju del Zoto dhe Mërtiri”, theksoi Berisha.

Vetë Spiropali i mohoi këto akuza, duke thënë se as bashkëshorti i saj dhe as vetë ajo nuk kanë lidhje me inceneratorët dhe njerëzit e tyre.

“Bashkëshorti im ka qenë drejtor Ujësjellësi nuk ka lidhje as në këtë botë e as në atë botë, në qiell apo tokë, me inceneratorët”, u shpreh ministrja.

Pas kësaj, “Bold News” publikoi disa dokumente që tregonin se Klodian Zoto i inceneratorëve ka shërbyer si këshilltar i drejtorit të Ujësjellësit të Fierit në periudhën nga janari 2013 deri në gusht 2014 dhe emërimi i tij është firmosur nga vetë bashkëshorti i Spiropalit, Salarjon Totaj, asokohe drejtor i institucionit. Ky fakt është konstatuar edhe nga Prokuroria e Posaçme.

Gjatë kohës që Zoto ka qenë këshilltar, bashkëshorti i ministres i ka dhënë një tender për vendosjen e matësve të ujit me sistem elektronik në Fier kompanisë “Teo Alb”, e cila ka lidhje të ngushta ortakërie me shoqërinë “Integrated Technology Service” të Klodian Zotos.

Në kompaninë që mori tenderin e matësve të ujit ishin të punësuar dy prej njerëzve kryesorë të inceneratorëve, “truri” i inceneratorëve, Mirel Mërtiri, dhe bashkëjetuesja e tij, Stela Gugallja.

CNA ka siguruar një dokument ekskluziv, ku vërtetohet se ministrja Spiropali ka gënjyer ditën e sotme në Parlament.

Dokumenti është një letër reference që konfirmon se Gugallja ka qenë e punësuar në kompaninë “Teo Alb” që Salarjon Totaj i dha tenderin.

Në këtë letër reference, administratori i kompanisë “Teo Alb”, Konstantinos Aloupis, e rekomandon Gugalljan si një punonjëse të përkushtuar.

 

Image

“Letër reference

Për të interesuarit,

Ne kemi punuar me Znj. Stela Gugallja për 3 vite, nga dhjetori 2011 deri në nëntor 2014 dhe gëzojmë respektin më të lartë absolut për të. Ajo ka demonstruar gjithmonë dedikimin për kompaninë dhe ne gjithmonë jemi mbështetur tek ajo në kohët kur na është nevojitur.

Po rendisim disa nga arsyet se përse e rekomandojmë atë:

Aftësi lidershipi

Aftësi organizimi

Shkëlqyeshmëri në shkrim dhe në komunikim verbal

E sinqertë, ambicioze dhe me etikë strikte pune

Në përgjithësi, ka qenë kënaqësi të punonim me Stela Gugalljan dhe ne jemi të gatshëm të japim këtë rekomandim pa asnjë hezitim. Ju lutem, ndihuni të lirë të na telefononi në numrin e mëposhtëm nëse keni ndonjë pyetje ose nëse doni të dini ndonjë gjë më tej.

Sinqerisht,

Konstantinos Aloupis

Administrator”, thuhet në letrën e siguruar nga CNA.

Kështu vërtetohet se Elisa Spiropali gënjeu kur deklaroi se bashkëshorti i saj nuk ka lidhje me inceneratorët dhe njerëzit e inceneratorëve.

Pasi Totaj, si drejtor i Ujësjellësit të Fierit, jo vetëm që ka punësuar si këshilltar të tijin Klodian Zoton, por i ka dhënë tenderin e matësve të ujit kompanisë së lidhur me inceneratorët dhe që ka pasur si të punësuar Mërtirin dhe Gugalljan.

Burri i ministres së Ramës ka dhënë tenderin e matësve të ujit me një çmim stratosferik sepse “Teo Alb” ka marrë 3.5 milionë euro nga Ujësjellësi i Fierit.

Përveç çmimit të lartë të tenderit, matësit e ujit në Fier janë të pakolauduar. Ndonëse ministrja nuk do ta pranojë, fakt mbetet që ky tender është dhënë nga bashkëshorti i saj për një kompani të lidhur ngushtë me njerëzit e inceneratorëve.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco